Mrika Krasniqi, regjisorja e filmit “Prova” (Proof, 2018), ka konfirmuar projektin e saj të ri.
“Prova” është një film autorial me metrazh të gjatë, me skenar, regji dhe producente Mrika Krasniqi, prodhim i kompanisë filmike amerikane “Nil Production”. Ikona legjendare e aktrimit shqiptar, i madhi Xhevat Limani luan rolin e protagonistit kryesor, përkrah Liza Hoxha. Filmi bën fjalë për gjyshin dhe mbesën e tij, të cilët mbesin të izoluar në bodrumin e një ndërtese gjatë bombardimeve të luftës së Kosovës
Për Koha Javore: Ermira Babamusta Nju Jork
Pasi merr vesh se vajzës (luajtur nga Liza Hoxha) ia kanë vrarë prindërit, gjyshi (luajtur nga Xhevat Limani, “Ikona e Aktrimit Shqiptar”) pëson një traumë dhe vendos të qëndroj në bodrum edhe pas përfundimit të luftës. Duke qenë profesor i artit dramatik ai krijon brenda bodrumit hapësira të ndryshme për të argëtuar mbesën e cila gjendet në karrocë invalidësh nga një aksident i pësuar më parë. Filmi i dedikohet rreth 20 mijë fëmijëve të Kosovës, prindërit e te cilëve u vranë në luftën e vitit 1999.
“Pasi lexova skenarin e Mrika Krasniqit mu duk sikur roli ishte shkruar për mua. Kisha shumë pikëtakime me personazhin dhe dramën e tij të brendshme. Bëmë disa seanca provash me regjisoren dhe ramë dakord të futemi në fazën parapërgatitorë dhe me forca të përqendruara filluam projektin. Puna hulumtuese me regjisoren ishte një eksperiencë e veçantë. Mrika ishte shumë kërkuese sa u përket skenave me partnerët, situatat e rënda me transformime të shpeshta psikologjike si dhe në ritmin e brendshëm të veprimeve konkrete në rrafsh natyrshmërie dhe spontaniteti. Mendoj se kemi realizuar diçka të veçantë,” tha Xhevat Limani.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “801” të revistës Koha Javore