Përfaqësimi i femrës në listat zgjedhore është i ulët në aspektin sasior, ku në shumicën e listave mezi e kalon 30 përqindëshin, por sidomos në aspektin cilësor, domethënë vendin e renditjes në listat zgjedhore. Asnjëra prej dhjetë listave nuk kryesohet nga një kandidate femër, por pothuajse tek të gjitha listat zgjedhore femra e parë ndodhet në vendin e katërt
Përfaqësimi i femrës në politikë është një ndër problemet e trashëguara të shoqërisë së sotme shqiptare dhe asaj malazeze. Këtë e dëshmojnë më së miri listat zgjedhore të kandidatëve për këshilltarë të Kuvendit të Komunës së Ulqinit për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 4 shkurt 2018. Nga një vështrim sipërfaqësor i dhjetë listave zgjedhore nuk është vështirë të arrish në përfundimin se përfshirja e femrave në këto lista është bërë vetëm me qëllim të përmbushjes së kërkesës ligjore dhe se femrat janë aty vetëm dekor.
Në nenin 39a të Ligjit mbi zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve theksohet se “Me qëllim të realizimit të parimit të barazisë gjinore, në listën zgjedhore do të jenë më së paku 30% të kandidatëve të gjinisë më pak të përfaqësuar. Në listën zgjedhore në mesin e çdo të katërtit kandidat sipas renditjes në listë (katër vendet e para, katër vendet e dyta dhe kështu deri në fund të listës) duhet të jetë të paktën nga një kandidat pjesëtar i gjinisë më pak të përfaqësuar”.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “799” të revistës Koha Javore