Në kategorinë e shkollave fillore, vendi i parë i takoi Behar Palit, nxënës i Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë, kurse në kategorinë e shkollave të mesme, vendin e parë e zuri Sara Beqoviq, nxënëse e Medresesë “Mehmed Fatih” – Tuz. Në edicionin e sivjetshëm morën pjesë nxënësit e nëntë shkollave fillore dhe katër shkollave të mesme nga Plava, Gucia, Malësia, Kraja dhe Ulqini
Ulqin – Për të katërtin vit me radhë, Fondacioni “Studenti” organizoi të shtunën mbrëma në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, Garat e recituesve të rinj në nivel të shkollave në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Juria e përbërë nga Farida Ramadani, shkrimtare nga Shkodra, Dr. Gëzim Puka, pedagog pranë Departamentit të Letërsisë së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” – Shkodër, dhe Adriana Hoxha, studiuese e letërsisë nga Ulqini, shpalli fitues të Garave Jetlira Hoxhën, nxënëse e vitit të tretë në Shkollën e Mesme “Vëllazërim Bashkim” – Ulqin, e cila recitoi poezinë “Baladë çame” nga Bilal Xhaferri.
Në kategorinë e shkollave fillore, vendi i parë i takoi Behar Palit, nxënës i Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë, vendi i dytë Enola Balidemajt nga Shkolla Fillore “Xhafer Nikoçeviq” – Guci, kurse vendi i treta Florentina Lekperiqit nga Shkolla Fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Ostros.
Ndërsa në kategorinë e shkollave të mesme, vendin e parë e zuri Sara Beqoviq, nxënëse e Medresesë “Mehmed Fatih” – Tuz, vendi i dytë Antoneta Gjokajt nga Shkolla e Mesme “25 Maji” – Tuz dhe vendi i tretë Jonida Kovaçit nga Shkolla e Mesme “Vëllazërim Bashkim” – Ulqin.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Fondacionit “Studenti”, Hajredin Kovaçi, ka thënë se është mirë që të gjithë të kontribuojmë për ruajtjen e vazhdimësisë së mbajtjes së Garave të recituesve të rinj.
“Është një ngjarje e bukur kulturore, si e vetmja e këtij lloji që ndodh në qytetin tonë. Është kënaqësi që mblidhemi në një vend, nxënës, mësues e prindër, që nga Rozhaja, Plava, Gucia, Malësia, Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini”, është shprehur ai.
Duke u nisur nga problemet e hasura gjatë këtij viti, por edhe viteve të kaluara, siç janë recitimi i poezive të njëjta nga nxënësit, ai u ka bërë thirrje mësimdhënësve që ta lajmërojnë me kohë organizatorin për pjesët që do të recitojnë nxënësit, në mënyrë që të mos vijë deri te përsëritja e poezive dy apo edhe tri herë.
“Mos ejani gjithmonë me të njëjtat poezi apo të njëjtit autorë! Nuk fiton autori, as poezia e tij, por interpretimi, zëri, sytë, duart dhe lëvizjet e këtyre nxënësve të mrekullueshëm!
Mos na thoni se jeni lajmëruar vonë. Unë që sonte po Ju ftoj që të përgatiteni dhe të merrni pjesë në Garat e recituesve të rinj 2018”, ka bërë apel Kovaçi.
Fituesit janë shpërblyer me çmime në të holla dhe diploma, kurse të gjithë nxënësit pjesëmarrës dhe mësimdhënësit që i kanë përgatitur ata me libra.
Ky është konkursi i vetëm që organizohet në mënyrë të rregullt për shkollat shqipe në Mal të Zi, i cili përpos garës, zbulimit, afirmimit dhe mbështetjes së talenteve të reja, ka për qëllim edhe njohjen dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollave shqipe në Mal të Zi.
Në edicionin e sivjetshëm kanë marrë pjesë nxënësit e nëntë shkollave fillore dhe katër shkollave të mesme nga Plava, Gucia, Malësia, Kraja dhe Ulqini.
Mbajtjen e kësaj veprimtarie kulturore e ka mbështetur Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. i. k.