Tuz- Këshilli i Prindërve i SHF “Mahmut Lekiq” përmes një deklarate për opinion ka njoftuar se situata në këtë shkollë mbetet e pandryshuar edhe përkundër kërkesave të tyre të vazhdueshme për punësimin e mësimdhënësve shqipfolës, duke thënë se diskriminimi ndaj nxënësve shqiptarë po vazhdon edhe më tutje.
Në këtë kuadër, ky këshill ka njoftuar se ka autorizuar një avokat që të nis procesin gjyqësor për t’i dhënë fund, sipas tyre, kësaj dukurie joligjore, duke njoftuar se shkolla ka shpallur konkurs, por jo për ato orë të cilat janë duke u bojkotuar nga nxënësit.
Ndërkaq, i pyetur nga “Koha Javore” për situatën e krijuar në këtë shkollë, drejtori i shkollës Nikollë Dukaj tha se pas miratimit të Rregullores për punë dhe sistematizim si dhe të lejes për shpalljen e konkurseve, ka shpallur konkurs publik për të gjitha orët e lira, me përjashtim të lëndëve ku ka më pak se gjashtë orë e që sipas tij në rastin konkret nuk mund të shpallet konkurs kur ka pak se gjashtë orë, duke pohuar se në disa lëndë nuk ka kuadër profesional për nxënësit në gjuhën shqipe.
“Ne nuk jemi në gjendje që brenda natës të bëjmë ndryshimet e pamundura që mësimdhënësit me status të përhershëm të punës t’i largojmë nga puna sidomos jo në këtë periudhë kur sapo ka filluar viti shkollor. Ne së bashku me të gjitha organet e shkollës do të bëjmë përpjekje maksimale me synim që ky problem të zgjidhet më së largu deri në fund të vitit 2017. Ftoj të gjithë nxënësit që të mos e bojkotojmë procesin mësimor”, u shpreh Dukaj.
Ndërsa, Dukaj thotë se nuk mund të shpallë konkurs për lëndët që kanë më pak se gjashtë orë, këshilli i prindërve vë në dukje se janë plot tetë orë të italishtes ku mësimi ende zhvillohet në gjuhën malazeze, lëndë të cilën nxënësit shqiptarë vazhdojnë ta bojkotojnë.
“Janë 200 fëmijë që jo vetëm se nuk ndjekin mësimin në gjuhën italiane, por ata madje janë dhe jashtë bankave të shkollës- në rrugë. Drejtoria siç duket, me mbështetje të plotë edhe të Ministrisë së Arsimit, në vend që të tregojë gatishmëri dhe vullnet për të zgjidhur situatën e krijuar, ajo po vazhdon t’i injorojë dhe t’i fyejë prindërit duke i diskriminuar me paturpësi të madhe nxënësit dhe kuadrot shqiptarë. Dëshmia më e mirë për këtë është dhe konkursi i shpallur më 25 tetor 2017 për më shumë se 20 vende pune. Për çudi, në këtë konkurs në vend që të kërkohet kuadër për orët e italishtes që zhvillohen në gjuhën malazeze e që po bojkotohen nga nxënësit shqiptarë, shkolla kërkon një arsimtar/e të italishtes që t’i mbulojë orët e një punonjëseje që është në pushim lindjeje”, thuhet në mes të tjerash në kumtesën për opinion të lëshuar nga këshilli i prindërve i SHF “Mahmut Lekiq”.
Ky këshill ka njoftuar se prindërit kanë filluar definitivisht rrugën gjyqësore deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, duke ftuar njëkohësisht edhe të gjitha institucionet që kanë ndikim dhe që e kuptojnë rolin e prindit, në veçanti Ministrinë e Pakicave dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, që t’i mbështesin në kërkesat e tyre. t. u.
