Këshilli i Prindërve i Shkollës Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz pasi ka shprehur problemet dhe shqetësimet e tyre për siç thonë ata, mosrespektimin e gjuhës shqipe nga ana e administratës së kësaj shkolle, ka paralajmëruar bojkotim të mësimit nga lëndët e anglishtes dhe italishtes, për të cilat këshilli në fjalë përmes shumë deklaratave publike ditëve të fundit, ka shprehur shqetësim për shkak se mësimin në këto lëndë e ligjërojnë mësimdhënës/e që nuk e njohin gjuhën shqipe.
Shqetësimi i prindërve konsiston në, siç thonë, mosrespektimin e gjuhës shqipe në këtë institucion, problemi ky që sipas tyre, nuk ka filluar sot dhe as ditëve të fundit, por disa vjet më parë e që për fat të keq është heshtur dhe ka vijuar si i tillë deri në ditët e sotme.
Sipas deklaratave publike të këshillit të prindërve, ata nuk kërkojnë asgjë që do të ishte antiligjore, por vetëm një të drejtë bazë të cilën ua garanton edhe Kushtetuta e republikës, arsimimin në gjuhën amtare (shqipe).
Këshilli i Prindërve deri më tani i është drejtuar me shkrim drejtorisë së kësaj shkolle, konkretisht drejtorit Nikollë Dukaj dhe Ministrisë së Arsimit, por siç bëjnë me dije, ende nuk kanë fituar një përgjigje me shkrim (zyrtare) për plotësimin e kërkesave të tyre të plota.
Njëri ndër anëtarët e këshillit të prindërve, Gjergj Dedvukaj, në prononcimin për “Koha Javore” tha se problemi ende nuk është zgjidhur plotësisht dhe se për këtë problem dhe për probleme të tjera të ngjashme, nuk do të heshtin më derisa drejtuesit e institucioneve përkatëse të zbatojnë plotësisht kërkesat që u takojnë fëmijëve të tyre sipas ligjit dhe kushtetutës.
“Vite me radhë përballemi me problemin e gjuhëve të huaja të cilat nuk ligjërohen në gjuhën shqipe, çfarë përbën barrierë jo të vogël për fëmijët tanë që shqipen e kanë gjuhën e nënës. Kulmi i shqetësimit tonë në këtë kuadër, ka arritur këtë vit shkollor kur drejtori i shkollës, sërish ka tentuar të punësojë një arsimtare të pakualifikuar, madje në kundërshtim edhe të kolektivit të shkollës, përshirë dhe kundërshtimin e zv/drejtorit, dhe si pasojë e kësaj kemi vendosur që të mos heshtim më ndaj këtyre padrejtësive që ju bëhen fëmijëve tanë vite me radhë, por të ndërmarrim hapa konkretë deri në zbatimin e plotë të kërkesave tona”, u shpreh Dedvukaj.
Ndërkaq, në deklaratën për media, Këshilli i prindërve sqaron se edhe pse përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë përkatëse kanë dalë me deklarata se problemi është zgjidhur plotësisht, e vërteta sipas tyre qëndron ndryshe dhe problemi vijon të jetë ende aktual.
“Problemi nuk është zgjidhur plotësisht pasi janë dhe katër paralele ku gjuha italiane zhvillohet nga një mësuese që nuk e njeh shqipen. Po ashtu në vend të bashkëpunimit, në adresë të prindërve dërgojnë etiketime qëllimkëqija vetëm për të shmangur përgjegjësitë nga vetja. Bazuar në këto fakte, Këshilli i prindërve, në takimin e mbajtur më 16. 09. 2017, konsideron se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar. Për këtë arsye bojkoti i mësimit është alternativa më e mirë”, thuhet në mes tjerash në këtë deklaratë.
Në të njëjtën kohë, ky këshill ka njoftuar se nëse Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e shkollës, nuk do të veprojnë urgjentisht për përmbushjen e kërkesave në fjalë, do të ndërmarrin masa më të ashpra (bojkot total të mësimit), përfshirë dhe tre paralelet e shpërndara të shkollës amë si dhe problemin e tyre, siç deklarojnë, do ta adresojnë drejt organizatave ndërkombëtare në vend.t. u.