Të rinjtë të arsimohen dhe të punojnë

Tuz- Aktorë të Teatrit “Istref Begolli” të Pejës kanë prezantuar në QKI “Malësia” në Tuz shfaqjen për fëmijë “Aventurat e Palaçove”, interpretuar nga Fisnik Sykaj dhe Kreshnik Malushaj.
Kanë qenë më të vegjlit të shoqëruar nga prindërit dhe mësimdhënësit e tyre të cilët e kanë mbushur sallën e shtëpisë së kulturës duke u kënaqur për afro pesëdhjetë minuata sa ka zgjatur kjo shfaqje.
Aktorët e kësaj shfaqjeje të cilët punuan plot tre muaj për ta vënë në skenë, pasqyrojnë realitetin në të cilin ndodhen artistët sot në mbarë botën. Ata nuk përkrahen nga institucionet duke u munguar trajtimi special që duhet të ketë një artist dhe një njeri që gjithë jetën ia kushton kulturës në tërësi, siç shprehet për “Koha Javore”, aktori i kësaj shfaqjeje Fisnik Sykaj.
“Dihet që artisti i cilësdo fushë, është ambasadori më i mirë i një shteti por për fat të keq nuk gëzojnë mbështetjen e duhur. Tema që sot trajtojmë është kësisoj, dy palaço që vuajnë nga performanca në rrugë dhe me ato të holla që fitojnë prej njerëzve në rrugë, i shfrytëzojnë për të blerë një copë bukë për t’u ushqyer, pra një luftë ekzistence”, theksoi Sykaj.
Mesazhi kryesor që kjo shfaqje transmeton te të rinjtë e në veçanti te fëmijët, është vetëdijësimi që ata të mësojnë më shumë, të avancohen në arsim dhe të motivohen për punë sa më shumë, që të mos përfundojnë në rrugë sikur këta dy artistë.
Premiera e shfaqjes “Aventurat e Palaçove” është shfaqur para dy vitesh në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, më pas në festivalin “Mono Aktiv” si dhe në shumë evenimente të tjera kulturore në qytetin e Pejës dhe më gjerë, ndërsa kjo është hera e parë që shfaqet në Tuz.  t.u.

Të fundit

më të lexuarat