Sofër e shtruar e shprehjes së lirë të shqiptarëve

Koha Javore gjatë gjithë këtyre pesëmbëdhjetë viteve ka qenë,  dhe në mandatin tonë do të jetë,  e depolitizuar dhe një tribunë e hapur për të gjithë  shkrimtarët, pavarësisht bindjeve politike, në kushtet e  demokracisë dhe pluralizmit

Gjekë Gjonaj

Me emërimin e Këshillit Programor të Kohës Javore, nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve para një viti, gjendja në gazetën “ Koha Javore” ndryshoi për mirë. Ajo tashmë, siç jeni në dijeni, është shndërruar në një revistë moderne, e cila për nga cilësia është konkuruese e denjë e revistave me emër të mirë jo vetëm në Mal të Zi , por edhe në rajon dhe në hapësirën mbarëshqiptare. Përveç botimit të saj me format të ri, me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, arritëm të shtojmë edhe katër faqe më shumë seç kishte më parë dhe të mundësojmë daljen e saj edhe në versionin elektronik. Revista u freskua dhe u pasurua edhe me shkrime të reja, në tri zhanre: zhanrin informativ, zhanrin analitik dhe zhanrin publicistik (letrar).
Këshilli Programor dhe redaktori përgjegjës i Kohës javore u kanë dhënë mundësinë e shprehjes së lirë, pa censurë, të gjithëve, gazetarëve, shkrimtarëve, poetëve, profesorëve, studentëve e të tjerëve, me dëshirën që ata pa asnjë frikë të shprehin kreativitetin e tyre nëpërmjet trajtimit të temave kulturore, arsimore, artistike, politike, shoqërore, ekonomike e tjerë.
Koha Javore ka qenë dhe do të jetë e hapur për të gjithë njerëzit e lapsit . Ajo mirëpret dhe publikon artikuj të ndryshëm informues, kritik, frymëzues, udhërrëfyes, poetik, artistik, kulturor, shkencor, atdhetar e sportiv. Si e tillë është bërë sofër e shtruar e shprehjes së lirë të shqiptarëve të gjitha profileve që duan të thonë e të bëjnë publike mendimin e tyre për problemet dhe të arriturat e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në të gjitha trojet e tjera ku jetojnë ata. Prandaj, ju inkurajojmë të gjithëve dhe keni përkrahjen tonë morale që me po të njëjtin përkushtim të vazhdoni të ushtroni i këtë profesion të shenjtë të informimit qytetar, gjithnjë duke pasur përcaktim në radhë të parë qëndrim human ndaj çdo situate dhe dëshirën e përbashkët për ngadhënjim të vlerave shoqërore.
Koha Javore gjatë gjithë këtyre pesëmbëdhjetë viteve ka qenë, dhe në mandatin tonë do të jetë, e depolitizuar dhe një tribunë e hapur për të gjithë shkrimtarët, pavarësisht bindjeve politike, në kushtet e demokracisë dhe pluralizmit.
Kjo qasje dhe arritje modeste ndjeshëm ka shtuar numrin e lexuesve, që është parametri kryesor i suksesit të secilës medie, por jo aq sa do të dëshironim. Andaj ju lus që ta blejmë më shumë se deri më tani Kohën Javore, pavarësisht se ajo është e përjavshme dhe ndoshta nuk i përmbushë shijet e të gjithëve, sepse është e jona, dhe s’kemi medie tjetër të printuar në gjuhën shqipe. Nëse veprojmë në këtë mënyrë do të arrijmë tri gjëra, për mua të rëndësishme.
E para, do të shmangim një traditë jo të mirë që më shumë jemi të prirur të lexojmë shtypin e huaj se atë shqiptar, për fat të keq.
E dyta, do të krijojmë një kulturë të re të leximit shqip.
E treta, do të përmbushim një detyrim kombëtar, i cili na nderon të gjithëve.
Jemi të mendimit se është nevojë e kohës që Koha Javore të mos mbetet e përjavshme, por të gjithë së bashku, përfshirë këtu edhe klasën politike shqiptare, të veprojmë guximshëm dhe me këmbëngulje ndaj pushtetit malazez që ajo në një ditë jo të largët të dalë tri herë në javë me po atë numër të faqeve që ka sot. Të shtohet numri i punëtorëve e gazetarëve, dhe më pas, edhe të shndërrohet në gazetë ditore. Kjo, e them me bindje, është edhe dëshirë e shqiptarëve në Malin e Zi. Jetësimi i këtij synimi të lartë patjetër do t’i gëzojë të gjithë shqiptarët.
Uroj që Koha Javore në rrugëtimin e saj të vazhdojë të përsoset dhe të kryejë siç duhet misionin e saj informativ, në mënyrë profesionale , në pajtim me standardet e gazetarisë, duke u bazuar gjithnjë në të vërtetat që i duhen opinionit publik.

(Autori është kryetar i Këshillit Programor të Kohës Javore)

Të fundit

më të lexuarat