Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe festohet çdo vit më 22 nëntor, në kujtim të Kongresit të Manastirit, të mbajtur në Manastir, në vitin 1908. Kjo datë mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, sepse alfabeti i përbashkët u bë një nga themelet e fuqishme të ruajtjes së gjuhës, arsimit dhe identitetit shqiptar.
Në kuadër të kësaj dite të madhe kombëtare, Shkolla Fillore “Bashkimi” nga Skorraqi i Hotit organizoi më 20 nëntor 2026 një program në mjediset e shkollës, kushtuar gjuhës shqipe, alfabetit dhe figurave të Kongresit të Manastirit.
Programin e moderuan Rina Junçaj, nxënëse e shkëlqyer e klasës IX, dhe Aleksandra Camaj, nxënëse e dalluar e klasës VIII. Ato përshëndetën drejtorin e shkollës, Luigj Dukaj, i cili është përkrahës i vazhdueshëm i aktiviteteve shkollore dhe i procesit mësimor, stafin arsimor, nxënësit dhe të gjithë të pranishmit.
Në fillim u fol për rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe për miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe me 36 shkronja, 7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore. U kujtua se para këtij Kongresi shqiptarët përdornin alfabete të ndryshme dhe se bashkimi rreth një alfabeti të përbashkët ishte një hap i jashtëzakonshëm për zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare.
Në Kongres morën pjesë figura të shquara të kombit. Kryetar ishte Mit’hat Frashëri, ndërsa në kryesinë e tij ishin edhe Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi. Kryetar i Komisionit të Alfabetit ishte Gjergj Fishta, ndërsa Parashqevi Qiriazi ishte e vetmja delegate femër. Në mesin e delegatëve të shumtë ishte edhe Dom Ndre Mjeda, së bashku me shumë atdhetarë të tjerë që punuan me përkushtim për një çështje që i përkiste mbarë kombit.
Programi artistik solli emocion dhe krenari shqiptare. Nxënësit e klasave I dhe III u paraqitën me pikën mbresëlënëse “Zemra jonë flet shqip”, me thënie kushtuar gjuhës dhe kombit, të vendosura në një zemër të punuar nga kujdestari, Robert Ivezaj, dhe edukatorja Drita Kalaj.
Aleksandra Camaj recitoi me intonacionet e duhura poezinë “Mëmëdheu” nga Andon Zako Çajupi. Nxënëset e klasës II, Anamaria Ivezaj dhe Renata Gojçaj, interpretuan këngën “Dita e Alfabetit” kushtuar kësaj feste madhështore. Nxënësja e klasës VI, Magdallena Dushaj, recitoi poezinë “Gjuha shqipe” nga Gjergj Fishta, ndërsa nxënëset e klasës VII, Andrea Ivezaj, Alesia Gjergjaj dhe Viktoria Dushaj, sollën thënie kushtuar Ditës së Alfabetit. Angjella Gjonaj dhe Maria Dushaj, nxënëse të klasës VIII, recituan së bashku poezinë “Alfabeti i gjuhës shqipe” nga Zeqire Latifi. Nxënësit e klasës V interpretuan këngën “Për një fjalë e për një shkronjë”, të përgatitur nga kujdestarja e tyre, Vera Ivezaj. Amanda Dushaj, nxënëse e klasës IX, recitoi poezinë “Alfabeti ynë”, ndërsa Marta Dedvukaj, nxënëse e klasës VIII, solli poezinë “Gjuha e zemrës” nga Naim Frashëri.
Një nga momentet më të bukura të programit ishte edhe Vallja e Rugovës, e interpretuar nga vajzat e klasës VIII, me një koreografi të bukur, të përgatitur nga kujdestarja e tyre, Kristina Lekoçaj.
Ky manifestim ishte më shumë se një program shkollor. Ishte një udhëtim në historinë e gjuhës sonë, një kujtesë për sakrificën dhe përkushtimin e atyre burrave dhe grave që punuan për një alfabet të përbashkët dhe një mesazh për brezat e rinj se gjuha shqipe është një nga pasuritë më të çmuara që kemi trashëguar.
Në çdo shkronjë të alfabetit jeton një pjesë e historisë sonë. Në çdo fjalë shqipe ruhet kujtesa e një populli. Dhe në çdo fëmijë që mëson të shkruajë shqip vazhdon rrugëtimi i atyre që në Manastir, më 1908, patën guximin të mendonin për të ardhmen e kombit.
Prandaj, ta duam, ta flasim dhe ta shkruajmë bukur gjuhën shqipe. Ta ruajmë atë me kujdes dhe t’ua përcjellim brezave si një amanet të çmuar të paraardhësve tanë.
Mirënjohje për nxënësit dhe mësimdhënësit që me punën e tyre e kthyen këtë ditë në një festë të dijes, kulturës dhe atdhedashurisë, si dhe një falënderim i veçantë për mësimdhënësen e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Mare Dukaj, për përgatitjen dhe organizimin e këtij manifestimi të rëndësishëm.
22 Nëntori na kujton se një komb mund të jetë i fortë kur ruan gjuhën e vet. Gjuha shqipe është zëri ynë, kujtesa jonë dhe një nga themelet më të forta të identitetit tonë kombëtar.
Valbona Gojçaj – Gjokaj
