Në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, të premten mbrëma, më 20 nëntor 2026, u bë hapja e sallës së re të kinemasë së digjitalizuar, e vendosur në mjediset e këtij institucioni.
Fillimisht, nga QKI “Malësia“ u theksua se ky institucion po hyn në një epokë të re, duke ofruar për publikun një program filmik që deri më tani ka munguar.
Gjithashtu, u tha se salla e QKI “Malësia” është pajisur tashmë me teknologji të projeksionit digjital, përfshirë edhe atë 3D, ndërsa nga ky institucion u zotuan se do të shfaqin një program filmik cilësor, me produksione vendore, rajonale dhe botërore.
Sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj, në fjalën e saj foli për rëndësinë që ka hapja e kësaj salle.
“Kjo do të thotë se qytetarëve tanë e veçanërisht të rinjve, do t’u mundësohet qasje në realizimet më të fundit filmike, me një përmbajtje që do të lidhë shoqërinë tonë me rrjedhat bashkëkohore kulturore”, tha ajo.
Ndërkohë, drejtoresha e Qendrës së Filmit të Malit të Zi, Aleksandra Bozhoviq, theksoi rëndësinë e hapjes së kinemasë edhe në komunën e Tuzit.
“Kam kënaqësi të madhe që sonte në Tuz po hapim edhe një sallë tjetër kinemaje bashkëkohore, të pajisur dhe të digjitalizuar. Me këtë po shkruajmë një kapitull të ri në zhvillimin e veprimtarisë kinematografike në Mal të Zi”, tha ajo.
Bozhoviq tha, ndër të tjera, se me këtë sallë kinemaje po hapin një hapësirë për histori të reja, takime, emocione dhe kujtime.
“Veçanërisht më vjen mirë që kjo histori nis sonte me një film tonin vendor. Dëshiroj që kinemaja në Tuz të jetë plot, që filmat vendas të kenë aty publikun e tyre besnik dhe që kjo sallë të bëhet një vend i pashmangshëm i jetës kulturore të komunës suaj”, tha Bozhoviq.
Ndërkaq, ministrja e Kulturës dhe Medias, Tamara Vujoviq, duke e shpallur të hapur këtë sallë, u shpreh se ky aktivitet përfaqëson një moment të rëndësishëm për jetën kulturore të Malësisë, “por edhe një hap tjetër konkret dhe rezultat të politikës kulturore që po zhvillojmë në Ministrinë e Kulturës dhe Medias”.
“Kjo politikë bazohet në investime të planifikuara, bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe zhvillim të baraspeshuar të infrastrukturës së dedikuar kulturës në të gjitha pjesët e Malit të Zi”, tha Vujoviq.
Ajo më tej bëri të ditur se pothuajse në të gjitha qytetet e Malit të Zi kanë zhvilluar një rrjet që ndërlidh institucionet kulturore lokale dhe krijon bazë për një sistem afatgjatë dhe të qëndrueshëm të shfaqjes së filmave në kinema.
“Hapja e sallës së digjitalizuar të QKI ‘Malësia’ përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtyre synimeve. Nëse nuk gaboj, kjo është salla e 16-të nga gjithsej 24 qendra kulturore-informative që kemi avancuar dhe digjitalizuar”, u shpreh ministrja e Kulturës dhe Medias, Tamara Vujoviq.
Pas hapjes solemne, në sallën e re të kinemasë u shfaq për herë të parë filmi malazez me metrazh të gjatë “Crna truba” (Trumbeta e zezë), me regji të Bojan Stijoviqit dhe skenar të Stefan Boshkoviqit, duke shënuar kështu nisjen e veprimtarisë së saj.
Ky projekt u realizua në bashkëpunim ndërmjet Qendrës së Filmit të Malit të Zi dhe institucioneve vendore, me mbështetjen dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Kulturës dhe Mediave të Malit të Zi.
t. u.
