Mërgimi, përtej largësisë gjeografike, është një histori ndarjesh, pritjesh dhe lidhjesh që nuk këputen kurrë. Pikërisht këtë realitet, të përjetuar ndër breza nga familjet shqiptare, solli në vëmendje libri më i ri i Prim. dr. Gani Karamanagës “Valixhja nga Amerika”, i cili u promovua më 18 nëntor 2026, në Bibliotekën e Qytetit të Ulqinit.
Përurimi mblodhi një numër qytetarësh, intelektualësh, krijuesish, përfaqësuesish të medieve dhe dashamirësish të kulturës nga Ulqini, Shkodra dhe Kosova. Interesimi i publikut dëshmoi se tema e trajtuar në libër prek një përvojë të përbashkët, që pothuajse çdo familje shqiptare e ka njohur në një formë apo tjetër.
Vepra nuk e trajton kurbetin vetëm si histori të njerëzve që kërkuan një jetë më të mirë jashtë vendit, por edhe si histori të atyre që mbetën në shtëpitë e zbrazëta, të prindërve që presin dhe të familjeve që jetojnë mes shpresës për një takim tjetër.
Veprimtarinë e drejtoi Ardita Rama, udhëheqëse Bibliotekës së Qytetit, e cila vuri në dukje rëndësinë e krijimtarisë vendase dhe përgjegjësinë e institucioneve kulturore për ta ruajtur atë. Ajo theksoi se biblioteka duhet të jetë një hapësirë e hapur për autorët dhe lexuesit, por njëkohësisht kërkon ndërhyrje serioze për rinovimin e objektit, modernizimin dhe digjitalizimin e fondit bibliotekar.
Mbështetjen institucionale për botimin e ka dhënë Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi. Kryetari i tij, Faik Nika, vlerësoi bashkëpunimin me autorin dhe rikujtoi se ky është libri i dytë i dr. Karamanagës që botohet me përkrahjen financiare të këtij institucioni. Ai nënvizoi se botime të tilla kanë rëndësi të veçantë për ruajtjen e kujtesës dhe forcimin e kulturës shqiptare.
Duke analizuar përmbajtjen e veprës, recensenti Esat Mehmeti u ndal te mënyra se si autori ka dokumentuar përvojat e njerëzve të larguar nga vendlindja. Libri përmbledh katër rrugë jetësore, të pasqyruara përmes kapitujve “Shkuan”, “Nuk erdhën asnjëherë”, “U kthyen në vendlindje” dhe “Besnikë vendlindjes”.
Këto katër pjesë përfaqësojnë fate të ndryshme njerëzore: ata që u larguan në kërkim të një të ardhmeje tjetër, ata që mbetën përgjithmonë në mërgim, ata që vendosën të kthehen dhe ata që, pavarësisht vështirësive, zgjodhën të mos e braktisin vendin e tyre.
Një dimension të veçantë të veprës e solli redaktori teknik Gazmend Çitaku, i cili në paraqitjen e tij u përqendrua te një aspekt që shpesh mbetet jashtë rrëfimeve për suksesin e emigrantëve: vetmia e familjarëve që presin në vendlindje.
Ai përshkroi realitetin e prindërve të moshuar, të cilët i kalojnë vitet duke pritur një vizitë, një telefonatë apo kthimin e fëmijëve. Në këtë kontekst, Çitaku theksoi se “emigracioni mund të shpëtojë materialisht një familje, por shpesh lë pas zemra të thyera dhe shtëpi të zbrazëta.”
Përmes fjalës së tij u rikthye vëmendja te çmimi njerëzor i emigracionit, një çmim që nuk matet me të ardhurat, por me vitet e kaluara larg njerëzve më të dashur.
Në fjalën e tij, autori Prim. dr. Gani Karamanaga shpjegoi se pas këtij libri qëndrojnë takime, biseda, kujtime dhe histori të njerëzve realë. Ai nuk u ndal vetëm te vështirësitë e emigracionit, por solli edhe shembuj të atyre që kanë arritur të ndërtojnë një jetë të suksesshme në vendlindje.
Tri shprehje të dëgjuara gjatë bisedave me mërgimtarët, sipas tij, përmbledhin më së miri ndjenjën që i lidh ata me vendin e tyre: “Na dogji malli për vendlindje!”, “Do të kthehem!” dhe “Sa i lehtë është dheu i vendit tim!”.
Karamanaga rikujtoi gjithashtu se Ulqini ka përjetuar shpërngulje të mëdha edhe në të kaluarën. Ai përmendi vitin 1880, kur pas kalimit të Ulqinit nën administrimin e Malit të Zi, 413 familje shqiptare, me rreth 3000 banorë, u larguan nga qyteti, kryesisht drejt Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit.
Nëpërmjet këtij referimi historik, autori vuri në pah vazhdimësinë e një dukurie që ka ndikuar thellë në strukturën demografike dhe jetën shoqërore të Ulqinit dhe të trevave shqiptare.
Megjithatë mesazhi përmbyllës i autorit ishte i orientuar drejt së ardhmes. Ai shprehu bindjen se vendlindja duhet të shihet jo vetëm si vend i kujtimeve, por edhe si hapësirë ku mund të ndërtohet një jetë e mirë, me dinjitet dhe perspektivë.
Përjetimet personale zunë vend edhe në diskutimin me të pranishmit. Hadixha Gjoni, nëna e Edin Gjonit, njërit prej personazheve të përfshirë në libër, ndau përvojën e saj si nënë që jeton larg fëmijës. Në këtë pjesë të mbrëmjes kontribuuan edhe Dr. Astrit Beci nga Shkodra, gazetarja Eliana Peku, dhe poeti e publicisti Neki Lulaj nga Kosova, të cilët sollën mendime dhe reflektime mbi lidhjen e mërgimtarëve me vendin e origjinës, por edhe për lidhjen e tyre me doktor Karamanagën.
“Valixhja nga Amerika” vjen kështu si një dëshmi letrare dhe njerëzore për një realitet që vazhdon të ndikojë në jetën e shqiptarëve. Ajo i jep zë jo vetëm atij që niset, por edhe atij që mbetet, duke na kujtuar se pas çdo largimi ekziston një histori familjare që meriton të dëgjohet.
“Valixhja nga Amerika” nuk kërkon vetëm të kujtojë të kaluarën e mërgimit, por të nxisë reflektim për të ardhmen e vendlindjes. Sepse kthimi nuk duhet të mbetet vetëm një premtim që përsëritet larg shtëpisë, por një mundësi që duhet ndërtuar këtu, në vendin tonë.
Dafina Teliqi – Rexha
