Botim i veçantë epistolar dokumentar

“Ismail Doda është i veçantë në këtë komunikim, sepse nuk i shkruante profesor Çabejt vetëm për ta uruar, për ta përshëndetur apo për t’i shprehur respektin, por e kontaktonte nga konferencat shkencore, diskutonte me të çështje gjuhësore dhe madje polemizonte për probleme konkrete, siç ishte prejardhja e toponimeve. Kjo është një nga arsyet kryesore pse këtij letërkëmbimi i kam kushtuar një studim të veçantë”, u shpreh autori Begzad Baliu

Në organizim të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Librarisë “Ulqini” dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, në Ulqin u bë përurimi i librit më të ri të studiuesit dhe profesorit Begzad Baliu, me titull “Letërkëmbimi i Ismail Dodës me profesor Eqrem Çabejn”.
Ky botim i cili doli nga shtypi këto ditë në edicionin e Shoqatës “Art Club”, sjell një korrespondencë me vlerë të veçantë shkencore dhe historike ndërmjet dy personaliteteve të rëndësishme të albanologjisë shqiptare: profesorit Eqrem Çabej dhe studiuesit nga Kraja, dr. Ismail Doda.
Në këtë mbrëmje kulturore morën pjesë autori i librit, Prof. dr. Begzad Baliu, recensenti Prof. ass. dr. Faton Krasniqi, ndërsa Dr. Ismail Doda, njëri prej dy protagonistëve të letërkëmbimit, nuk ishte i pranishëm për shkaqe shëndetësore.
Në hapje të veprimtarisë, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Shoqatës “Art Club”, Ismet Kallaba, i cili foli në emër të botuesit dhe organizatorëve të përurimit.
“Letërkëmbimi duhet të shihet në kontekstin historik në të cilin është zhvilluar. Ishin vitet ’70 të shekullit të kaluar, një periudhë kur komunikimi ndërmjet studiuesve shqiptarë nga të dy anët e kufirit shtetëror nuk ishte aspak i lehtë. Duhet thënë hapur se kërkohej guxim për të komunikuar përmes letrave apo formave të tjera, duke pasur parasysh se çdo gjë kontrollohej dhe survejohej nga organet shtetërore të të dy vendeve. Pikërisht për këtë arsye, kjo korrespondencë merr një rëndësi edhe më të madhe, sepse dëshmon se dashuria për gjuhën shqipe dhe përkushtimi ndaj shkencës i tejkalonin pengesat politike dhe rrethanat e kohës”, u shpreh ai.
Më pas, recensenti i librit, Prof. ass. dr. Faton Krasniqi, paraqiti vlerësimet e tij mbi rëndësinë dhe përmbajtjen e botimit.
“Vepra nuk është vetëm një dëshmi e marrëdhënieve akademike ndërmjet intelektualëve shqiptarë, por edhe një pasqyrë autentike e rrjedhës së mendimit shkencor në dekada të ndryshme të shekullit XX. Ky vëllim përmbledh letra, fotografi, kartolina dhe dokumente të tjera autentike, që dëshmojnë një bashkëpunim të vazhdueshëm intelektual mes dy personaliteteve të shquara, të ndarë nga qendra akademike, por të bashkuar në misionin e përbashkët të ruajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore shqiptare”, theksoi ai.
Sipas Krasniqit, “ky botim vjen si një gur i çmuar në mozaikun e kujtesës shkencore shqiptare. Ai nuk është vetëm një dëshmi mbi një marrëdhënie të veçantë profesionale, por edhe një mjet për të kuptuar se si janë formuar rrjetet intelektuale shqiptare në rrethana shpesh të vështira historike”.
Një nga pjesët më interesante të veprimtarisë ishte leximi nga moderatorja Liriona Mehmeti e dy letrave origjinale të përfshira në libër: letrës së tretë të Ismail Dodës dërguar profesor Eqrem Çabejt, më 4 mars 1977 nga Ostrosi, dhe përgjigjes së dytë të Çabejt, të datës 27 mars 1977, nga Tirana.
Vëmendje tërhoqi diskutimi për toponimin “Shitar”, ku Ismail Doda i drejtohej Çabejt për të kërkuar mendimin e tij shkencor lidhur me prejardhjen e emërtimit dhe lidhjet e mundshme me gjuhën shqipe apo atë sllave. Në përgjigjen e tij, profesori Çabej ofronte argumente gjuhësore dhe referenca studimore, duke dëshmuar seriozitetin dhe përkushtimin e tij ndaj kërkimeve albanologjike.
Në vijim, autori i librit Prof. dr. Begzad Baliu foli mbi rrethanat dhe nxitjen për përgatitjen e këtij botimi, si dhe rëndësinë e ruajtjes dhe publikimit të dokumenteve të tilla për historinë e mendimit shkencor shqiptar.
“Libri është ndërtuar në dy pjesë: rreth 70 faqe përbëjnë studimin tim, ndërsa 70 faqet e tjera sjellin dokumentet origjinale. Unë kam pasur mundësi të njihem me letërkëmbimin e profesor Eqrem Çabejt me studiues nga e gjithë bota, por një dosje të veçantë përbën ajo që ma ka besuar e bija e tij. Ismail Doda është i veçantë në këtë komunikim, sepse nuk i shkruante profesor Çabejt vetëm për ta uruar, për ta përshëndetur apo për t’i shprehur respektin, por e kontaktonte nga konferencat shkencore, diskutonte me të çështje gjuhësore dhe madje polemizonte për probleme konkrete, siç ishte prejardhja e toponimeve. Kjo është një nga arsyet kryesore pse këtij letërkëmbimi i kam kushtuar një studim të veçantë”, u shpreh ai, ndër të tjera.
Baliu ka thënë se Ismail Doda është një nga ata intelektualë që kanë një pasuri të rrallë dokumentare.
“Ai është i vetmi shqiptar në Mal të Zi, ndër tre shqiptarët jashtë Shqipërisë, që posedon dokumentin origjinal të nënshkrimit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 përbën një nga ngjarjet më të mëdha kulturore, shkencore dhe kombëtare të shqiptarëve pas Kongresit të Lushnjës”, tha autori i librit.
Baliu vlerësoi organizimin, duke thënë se Ulqini përbën një qendër të rëndësishme kulturore.
“Jam shumë i emocionuar që në një qytet si Ulqini shoh kaq shumë të pranishëm dhe kaq shumë njerëz të kulturës. Ulqini është një qendër e rëndësishme kulturore, historike, shkencore dhe intelektuale”, tha ai.
Botimi i korrespondencës ndërmjet Ismail Dodës dhe Eqrem Çabejt i jep lexuesit mundësinë të njohë jo vetëm përmbajtjen e një komunikimi shkencor të para gjysmë shekulli, por edhe frymën e bashkëpunimit, kërkimit dhe respektit intelektual që i karakterizonte marrëdhëniet ndërmjet studiuesve shqiptarë.
Përurimi u organizua në kuadër të aktiviteteve që Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, në bashkëpunim me shoqatat dhe institucionet kulturore, po zhvillon për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Përzgjedhja e datës 22 nëntor kishte gjithashtu domethënie simbolike, pasi përkon me Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke e lidhur këtë veprimtari me historinë e zhvillimit dhe afirmimit të gjuhës shqipe.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat