
Një ndër çështjet e rëndësishme që do të duhej të zinte vend në një shoqëri që aspiron të zhvillohet, të emancipohet dhe të përparojë, është edhe ajo që lidhet me jetën kulturore dhe krijimin e institucioneve të rëndësishme për shoqërinë.
Zhvillimi i një vendi nuk mund të shihet dhe të matet vetëm përmes përpjekjeve për zhvillimin e infrastrukturës dhe ekonomisë, pasi një vend që synon të shënojë prosperitet, duhet paralelisht me zhvillimin e këtyre fushave t’i kushtojë rëndësi edhe zhvillimit kulturor, arsimor dhe intelektual të shoqërisë.
Kur i referohemi vendit ku edhe unë jetoj, Malësisë, çështja e institucioneve kryesore të artit dhe kulturës në Tuz është trajtuar edhe më parë në faqet e gazetës sonë. Në këto shkrime kemi vënë në dukje rëndësinë që edhe Malësia të ketë institucione kulturore, të cilat do t’u shërbenin qytetarëve dhe veçanërisht gjeneratës së re, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillimin kulturor dhe shpirtëror të komunitetit.
Në Tuz ende nuk kemi një bibliotekë publike të qytetit dhe një teatër, ndërsa sa i përket kinemasë mbetet të shihet se çfarë mundësish do të ofrojnë digjitalizimi i sallës së Qendrës Kulturore-Informative dhe programi i filmave që është paralajmëruar të zhvillohet aty.
Mungesa e një biblioteke publike të qytetit dhe e një teatri, pavarësisht aktiviteteve të ndryshme kulturore që zhvillohen në Tuz dhe Malësi, si panaire libri, mbrëmje letrare, aktivitete artistike dhe të fushave të tjera, vazhdon të lërë një boshllëk në jetën kulturore të kësaj treve. Kjo për faktin se këto aktivitete zhvillohen kryesisht në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Komuna dhe jo në institucione të përhershme të kulturës që do të krijonin mundësi për një veprimtari kulturore më të vazhdueshme.
Veçanërisht me rëndësi do të ishte jetësimi i një biblioteke publike të qytetit, e cila do të krijonte mundësi më të mëdha që libri dhe leximi të bëhen pjesë e jetës së përditshme. Një bibliotekë do të ishte e rëndësishme për nxënësit, studentët dhe të rinjtë, të cilët do të kishin një hapësirë ku mund të gjenin literaturë dhe të kalonin një pjesë të kohës në një mjedis të dedikuar për dije dhe lexim.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për teatrin, pasi që një hapësirë e tillë do ta pasuronte jetën kulturore të qytetit dhe do t’u krijonte qytetarëve mundësi më të mëdha për t’u njohur me artin skenik. Një shfaqje teatrale apo një aktivitet tjetër artistik nuk duhet të jetë diçka për të cilën qytetarët e Tuzit duhet të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera, kur bëhet fjalë për nevoja kulturore që janë krejtësisht të zakonshme në shoqëritë e zhvilluara.
Në këtë këndvështrim, mendoj se do të ishte me rëndësi që institucionet përgjegjëse të vazhdojnë përpjekjet për jetësimin e këtyre projekteve, të cilat do të ishin të dobishme për të gjithë komunitetin, e në veçanti për gjeneratën e re, e cila është dhe do të mbetet një potencial i fuqishëm për zhvillimin dhe përparimin e vendit në të gjitha sferat e jetës.
Pra, po e ngremë sërish këtë çështje, duke e parë si një nevojë për të ardhmen.
Biblioteka e qytetit, teatri dhe mundësitë për të ndjekur filma në Tuz do të kontribuonin për zhvillimin kulturor dhe shpirtëror të Malësisë.
Jetësimi i tyre, krahas mundësive të tjera kulturore që mund të krijohen, do të shërbente në pasurimin e jetës së qytetarëve dhe në krijimin e kushteve më të mira për edukimin, dijen dhe zhvillimin e gjeneratave të ardhshme.
