Trashëgimi që nuk ruhet vetë, por përgjegjësi që duhet ushqyer çdo ditë

Ne duhet të punojmë fort, të vetëdijshëm se identiteti nuk duhet të lihet në mëshirë të fatit por të mbrohet e të zhvillohet me vetëdije, përgjegjësi. Vetëm kështu brezat e ardhshëm do ta trashëgojnë, jo thjesht emrin shqiptar apo si nocion i prejardhjes së tyre, por edhe përmbajtjen e plotë të tij.

Robert Camaj

Në vijim të përpjekjeve për të treguar ashtu siç e kam përfytyruar etosin, etnosin dhe entitetin e shqiptarëve, si tri përmasa të një krijese të përbashkët, identiteti është pjesë e formulës që paraqet vetëdijen e një njeriu ose populli për atë se kush është, prej nga vjen, çfarë vlerash mban dhe cilës bashkësi i përket, dhe si katërshe (etos, etnos, entitet, identitet) nuk e përmbyll ciklin por e plotëson atë. Identiteti nuk është vetëm kujtesë e së kaluarës; ai është aftësi për të jetuar me vetëdije në të tashmen dhe për t’ua transmetuar brezave të ardhshëm gjuhën, kulturën, dinjitetin dhe ndjenjën e përkatësisë. Identiteti i shqiptarëve në Malin e Zi ndërtohet mbi disa shtylla themelore, ashtu siç insistojmë tanimë me dekada dhe shekuj, dhe siç e kemi kuptuar se gjuha shqipe, trashëgimia familjare e kulturore, kujtesa historike, lidhja me vendlindjen dhe pjesëmarrja e barabartë në jetën publike të shtetit ku jetojnë, na bashkojnë si shqiptarë dhe na japin forcë të jetojmë e të integrohemi pa humbur atë që jemi. Ruajtja e identitetit na tregon qartë se etnosi shqiptar ruhet jo duke u mbyllur ndaj të tjerëve, por duke qenë i organizuar, i arsimuar dhe i pranishëm në institucionet ku merren vendimet për politikat publike. Ndërsa etosi (sistemi i vlerave) duhet të shprehet nëpërmjet punës, arsimit, solidaritetit, besueshmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, sepse rreziku kryesor i asimilimit nuk vjen domosdoshmërisht nga një veprim i hapur kundër identitetit. Shpesh ai vjen gradualisht, nga dobësimi i përdorimit të gjuhës në familje, nga mungesa e leximit në shqip, nga largimi i të rinjve prej organizimit kulturor dhe nga bindja e gabuar se përparimi kërkon heqje dorë nga përkatësia. Një komunitet mund të integrohet plotësisht në jetën e një shteti demokratik, por si parakusht duhet ta kemi shtetin demokratik dhe jo hegjemonist, pa u tretur në shumicë. Integrimi nuk është asimilim; integrimi nënkupton pjesëmarrje me identitet, ndërsa asimilimi nënkupton humbje të identitetit.
Ruajtja dhe forcimi i identitetit shqiptar kërkon mekanizma të qëndrueshëm që veprojnë në familje, arsim, kulturë, institucione dhe jetën publike. Mekanizmi i parë për ruajtjen e identitetit është familja. Në shtëpi formohet raporti i parë me gjuhën, emrin, këngën, kujtesën dhe vendlindjen. Gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë e komunikimit natyror ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, jo vetëm simbol ceremonial. Pa gjuhë, identiteti mund të mbetet ndjenjë, por vështirë se mbetet kulturë e gjallë. Përveç ruajtjes së saj në familje, gjuha shqipe në Ulqin dhe Tuz duhet të mos mbetet vetëm gjuhë në përdorim zyrtar, por të njihet si gjuhë zyrtare, me synimin që statusi dhe përdorimi i saj të avancohen edhe në nivel shtetëror në Mal të Zi.
Mekanizmi i dytë është arsimi. Shkollimi në gjuhën shqipe, tekstet cilësore, mësuesit e përgatitur dhe përfshirja e historisë e kulturës shqiptare në procesin edukativ janë kushte themelore. Arsimi duhet të krijojë të rinj që e njohin trashëgiminë e tyre, por njëkohësisht zotërojnë gjuhën shtetërore, gjuhë të huaja dhe aftësi bashkëkohore, e kjo ndihmon që identiteti të lidhet me suksesin, jo me izolimin.
Mekanizmi i tretë për ruajtjen e identitetit është organizimi kulturor, politik dhe institucional. Shoqatat, bibliotekat, mediet në gjuhën shqipe, aktivitetet artistike, botimet, grupet rinore dhe institucionet lokale kanë rol vendimtar. Kultura nuk ruhet vetëm me përkujtimore! Ajo sipas bindjeve të mia ruhet kur prodhohet vazhdimisht, kur shkruhet, lexohet, këndohet, studiohet dhe përcillet në formatet e kohës sonë.
Bashkëpunimi me Malin e Zi duhet të jetë i sinqertë, qytetar dhe institucional. Shqiptarët janë pjesë përbërëse e këtij shteti dhe kanë të drejtë të kërkojnë barazi reale, përdorim të gjuhës, përfaqësim të drejtë, zhvillim ekonomik të trevave shqiptare dhe respektim të trashëgimisë kulturore. Ky bashkëpunim duhet të shkojë deri aty ku forcon shtetin e përbashkët si hapësirë të sigurt për të gjithë qytetarët, por jo deri në pikën kur kërkohet zbehja e gjuhës, kujtesës apo vetëdijes shqiptare, sepse besnikëria qytetare ndaj shtetit dhe besnikëria kulturore ndaj kombit nuk janë kundërshtare. Sa i sinqertë është shteti në raport me ne, sinjalin e parë mund ta kapim kur të vërejmë se sa favorizon ai përmes institucioneve të përbashkëta bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve në Mal të Zi. Kurse dashamirësinë e shtetit mund ta vërejmë nëse ai mundohet të mos u fryjë dallimeve tona lokale, fetare apo politike, por shteti meqenëse ka resursin më të madh duhet të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të arsimit, kulturës, zhvillimit ekonomik, përfaqësimit dhe ruajtjes së trashëgimisë. Përçarja e përhershme, që është rreziku më i madh që e atakon idenitetin, kërkon një platformë të përbashkët e cila duhet të burojë nga ne, por por pa bonifikimin e mendjes së shtetit, çdo ide dhe nismë, platformë apo proklamatë, manifest apo notë proteste do të kontaminohet dhe do të dalë pa sukses.
Në anën tjetër, edhe nëse shteti ka ndjesinë dhe krijon kushte për ruajtjen e identitetit tonë, pa bashkëpunim të vazhdueshëm me viset e tjera shqiptare, kjo përpjekje mbetet e paplotë. Ne duhet të rritemi në kulturë, arsim, akademi, media dhe ekonomi së bashku me pjesën tjetër të trupit kombëtar shqiptar.
Lidhja me Kosovën, Shqipërinë, Luginën e Preshevës, Maqedoninë e Veriut dhe viset e tjera shqiptare duhet të jetë e natyrshme dhe kudo e kërkon nevoja dhe ndjenjat tona. Nuk mjafton që kjo lidhje të shprehet vetëm në raste festash kombëtare dhe momente sporadike, por duhet të krijohen mundësi konkrete në shkëmbime nxënësish e studentësh, projekte kërkimore, botime të përbashkëta, festivale kulturore, mbështetje për bizneset, duke rrjetëzuar identitetin dhe interesat. Në këtë kontekst dhe jo vetem si arsye nostalgjike, lidhja me diasporën duhet të organizohet në mënyrë të qëndrueshme, që brezat e lindur jashtë të mos e njohin vendlindjen e prindërve vetëm përmes kujtimeve, sepse kjo trevë është çerdhja e tyre dhe e jona, dhe shqiponjat nuk e braktisin kurrë çerdhen e vet, e kjo duhet të shndërrohet në ideologji e filozofi për ruajtjen e lidhjeve të natyrshme përjetësisht.
Identiteti nuk është trashëgimi që ruhet vetë, por përgjegjësi që duhet ushqyer çdo ditë. Ai kërkon unitet, vizion dhe punë të përbashkët, sidomos për të ardhmen e brezave të rinj. Vetëm duke e trajtuar identitetin si vlerë të gjallë dhe si forcë zhvillimi, mund ta përcjellim atë të plotë tek ata që vijnë pas nesh. Shqiptari duhet të jetë qytetar aktiv, i arsimuar, profesionist, votues i ndërgjegjshëm dhe pjesëmarrës në institucionet publike, por ai duhet të mbetet edhe folës i shqipes, njohës i historisë së vet, mbrojtës i trashëgimisë dhe bartës i kulturës së vet në familje e shoqëri.
Identiteti nuk ruhet me frikë dhe as me izolim, por me vetëbesim, dije, institucione, ekonomi dhe bashkëpunim, duke gjeneruar aftësi që të jetojmë në diversitet. Duke e ditur dhe duke mos e vendosur në dilemë atë çka jemi, aq më të qëndrueshëm do të jemi në ruajtjen e vetvetes. Kësisoj shqiptari me identitet të fortë nuk ka nevojë të mbyllet, sepse mbyllja e rrezikon identitetin. E kemi parë se sa herë e kemi kapërcyer shtegun etnik, jemi hutuar, rrjedhur, joshur dhe asimiluar. Si ai zogu që vendos të fluturojë e të hidhet nga çerdhja e vet me besimin se krahët do ta mbajnë dhe do t’i kthehet përsëri atij, ne guxojmë të hapemi vetëm kur të jemi të sigurt se mburoja identitare është aq e fortë që nëse e kalojmë pragun do të mbesim vetvetja dhe se ujku nuk na pret te shtegu.
Si konkludim por jo vetëm, identiteti shqiptar është themeli mbi të cilin qëndrojnë gjuha, kujtesa, kultura dhe vetëdija jonë kombëtare. Siç thekson filozofi Çarls Tajlor, identiteti formohet përmes njohjes së vetvetes dhe vlerave që i japin kuptim jetës së një bashkësie, kurse ne duhet të punojmë fort, të vetëdijshëm se identiteti nuk duhet të lihet në mëshirë të fatit (rastit) por të mbrohet e të zhvillohet me vetëdije, përgjegjësi. Vetëm kështu brezat e ardhshëm do ta trashëgojnë, jo thjesht emrin shqiptar apo si nocion i prejardhjes së tyre, por edhe përmbajtjen e plotë të tij.

Të fundit

më të lexuarat