Në një atmosferë të ngrohtë vjeshtore, pranë lumit Cem dhe ujëvarës së njohur të Niagarës, të dielën (25 tetor 2026), në Rakiq u organizua Festa e Kungullit, nën përkujdesjen e Organizatës Turistike të Tuzit. Ky aktivitet, i cili vitet e fundit është kthyer në një traditë të bukur të stinës së vjeshtës, mblodhi prodhues, artizanë, vizitorë dhe dashamirës të produkteve vendore.
Në këtë festë morën pjesë prodhues dhe artizanë të shumtë nga Malësia, të cilët prezantuan me krenari produktet e tyre tradicionale. Tryezat ishin të mbushura me shije e aroma të veçanta, duke filluar nga pitet e kllinit, mjalti, ëmbëlsirat shtëpiake, çajet, lëngjet natyrale, pijet alkoolike dhe joalkoolike, e deri te punimet e ndryshme artizanale, të realizuara me mjeshtëri dhe përkushtim.
Një vend të veçantë në këtë veprimtari zuri edhe pjesëmarrja e nxënësve të ciklit të ulët nga shkolla qendrore e Tuzit, “Mahmut Lekiq“, të cilët u bënë pjesë e kësaj feste me punimet dhe krijimtarinë e tyre. Me pjesëmarrjen e tyre, ata sollën gjallëri dhe dëshmuan rëndësinë e përfshirjes së brezave të rinj në ruajtjen dhe promovimin e traditave vendore.
Përveç pjesëmarrësve nga Malësia, me produktet dhe punimet e tyre u prezantuan edhe përfaqësues nga qytete dhe treva të tjera të Malit të Zi, si Ulqini, Podgorica, Kraja e më gjerë. Kjo pjesëmarrje e bëri aktivitetin edhe më të larmishëm, duke krijuar një hapësirë të bukur shkëmbimi kulturor, bashkëpunimi dhe promovimi të prodhimeve vendore.
Festa u karakterizua nga një numër i madh vizitorësh dhe blerësish, të cilët patën mundësinë të shijonin produktet tradicionale, të njiheshin nga afër me punimet artizanale dhe të kalonin çaste të këndshme në një mjedis të veçantë natyror. Bukurisë së aktivitetit i shtohej edhe peizazhi piktoresk pranë lumit Cem dhe ujëvarës së Niagarës, duke e kthyer këtë vend në një pikë tërheqëse jo vetëm për vendasit, por edhe për turistët e shumtë që ishin të pranishëm.
Për ta bërë edhe më të veçantë këtë ditë, organizatorët kishin ftuar këngëtaren e njohur ulqinake Eliza Markiq, e cila, së bashku me bendin e saj, solli atmosferë festive përmes muzikës dhe interpretimit të saj.
Festa e Kungullit tashmë përfaqëson më shumë se një panair vjeshtor. Ajo është një mundësi e çmuar për të promovuar prodhuesit vendorë, për të mbështetur artizanatin, për të ruajtur traditat dhe për të vënë në pah pasuritë natyrore e kulturore të Malësisë.
Në një kohë kur ruajtja e traditave dhe promovimi i produkteve vendore kanë rëndësi të veçantë, aktivitete të tilla dëshmojnë se tradita, puna dhe mikpritja mbeten vlera që i bashkojnë njerëzit dhe i japin jetë komunitetit.
Valbona Gojçaj – Gjokaj
