Të rinjtë shprehin talentin dhekreativitetin e tyre

Një sërë punëtorish artistike dhe artizanale për të rinjtë dhe të rejat nga komuna e Tuzit nisën më 20 tetor 2026, në ambientet e QKI “Malësia”, në kuadër të projektit “Art for Europe Projekt”.
Sipas Kristijan Gjokajt nga Komuna e Tuzit, bëhet fjalë për një projekt të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, faza e dytë e të cilit përfshin punime artistike, zeje, punime dore dhe tjerrje.
“Kemi dhe punëtori të tjera, si aktrim, fotografi, kuzhinë dhe punime artizanale”, thotë ai.
Ai thekson se qëllimi i projektit në fjalë është që të rinjtë dhe të rejat të përfshihen për të shprehur talentin dhe kreativitetin e tyre.
“Të gjithë ata që më parë nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë në aktivitete të tilla, do të nxiten ndoshta për të bërë diçka ndryshe. Për dy-tri orë që vijnë këtu, ata janë plotësisht të përkushtuar punëtorisë dhe kjo mund t’i nxisë ata edhe për ide që të nesërmen të merren me diçka të ngjashme”, theksoi Gjokaj.
Ndërkohë, njëra ndër pjesëmarrëset në këtë punëtori, Kristinë Lulgjuraj, thotë se e ka pëlqyer organizimin që nga momenti kur është shpallur një aktivitet i tillë, duke thënë se bëhet fjalë për një risi për ta në Malësi.
“M’u duk diçka shumë interesante dhe mendova pse jo, ta provoj veten. Unë do t’u sugjeroja të rinjve që, pa marrë parasysh se në cilën lëmi e shohin veten, të marrin pjesë të paktën në njërën prej këtyre punëtorive pasi është gjynah për t’u humbur”, tha ajo.
Pjesëmarrësit e rregullt të përfshirë në këto punëtori do të pajisen edhe me certifikata.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat