Një mamograf digjital 3D për Shtëpinë e Shëndetit

Shtëpia e Shëndetit në Ulqin është pajisur me mamografin modern ”Planmed Clarity“, të financuar nga Komuna e Ulqinit me 140 mijë euro. Pajisja tashmë është në funksion dhe pritet të përmirësojë diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të gjirit, duke u mundësuar grave të kryejnë ekzaminime bashkëkohore në qytetin e tyre

Shtëpia e Shëndetit në Ulqin ka marrë një mamograf të ri digjital 3D, në kuadër të një investimi të rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e mundësive për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Pajisja u dorëzua më 22 tetor 2026, në një ceremoni ku morën pjesë kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtues të institucionit shëndetësor.
Nimanbegu theksoi se Komuna e Ulqinit ka ndarë 140 mijë euro nga buxheti i saj për blerjen e mamografit, duke e cilësuar investimin si pjesë të angazhimit për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
”Komuna e Ulqinit i ka dhuruar Shtëpisë së Shëndetit 140 mijë euro për një mamograf bashkëkohor. Një mamograf digjital 3D i këtij lloji është i rrallë në Mal të Zi. Vetëqeverisja lokale prej më shumë se dy vjetësh e gjysmë po punon intensivisht për përmirësimin e cilësisë së jetës në qytetin tonë. Shpresoj që përfitimet nga ky investim t’i ndiejnë të gjithë qytetarët tanë“, deklaroi ai.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, dr. Kreshnik Mustafa, falënderoi Komunën e Ulqinit për donacionin, duke theksuar se pajisja e re do të përmirësojë kushtet për ofrimin e shërbimeve diagnostikuese.
Sipas institucionit, mamografi tashmë ka filluar të përdoret, ndërsa caktimi i orareve për ekzaminime ka nisur që në fillim të javës. Gratë që dëshirojnë të kryejnë kontroll duhet të kontaktojnë mjekun e tyre të zgjedhur për udhëzimet përkatëse.
Rëndësinë e investimit e vlerësoi edhe radiologu dr. Selim Ismaili, i cili bëri të ditur se ky është donacioni i parë i Komunës së Ulqinit për Shtëpinë e Shëndetit që nga viti 1998.
Në ceremoninë e dorëzimit mori pjesë edhe sekretarja shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Mirjana Vllahoviq – Andrijasheviq, e cila vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet pushtetit lokal dhe sistemit shëndetësor.
”Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që vendbanimi të mos përcaktojë kurrë cilësinë e kujdesit shëndetësor që një person mund të marrë“, u shpreh ajo, duke u bërë thirrje grave të mos i neglizhojnë kontrollet parandaluese.
Mamografi i ri vjen në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Teknologjia 3D mundëson paraqitjen e indit të gjirit në shtresa, duke ndihmuar në vlerësimin më të detajuar të ndryshimeve të dyshimta.
Përmes këtij investimi synohet të lehtësohet qasja në ekzaminime të specializuara dhe të zvogëlohet nevoja që pacientet të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera për këto shërbime. Diagnostikimi në kohë mbetet një faktor i rëndësishëm për trajtimin e suksesshëm të sëmundjeve të gjirit.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat