Ekonomia në vend të komoditetit nacional

Fjala është për Vendimin për dhënien me qira të tokës në mes të Deponisë e Dinoshës, me sipërfaqe prej 53.4 hektarësh, për 3.36 euro/m2 në vit. Asgjë nuk do të ishte e paarsyeshme sikur kjo tokë nuk do të konsiderohej e banorëve vendas, kur dihet historiku i saj, aq më tepër kur luhet me dinjitetin e banorëve të Dinoshës që edhe kësaj here do të paguajnë çmimin më të lartë

Enis Gjokaj

Seanca e 18-të e Kuvendit të Komunës së Tuzit solli një risi në menaxhimin e komunës së Tuzit, që nga viti 2019, qëkur filloi funksionimi i plotë i kësaj vetëqeverisjeje lokale. Duhet përmendur se që nga viti 2019 buxheti i Komunës u rrit gradualisht. Po ashtu, përqindja e buxhetit kapital ishte normale të sillej mbi 55% të buxhetit total, ndërsa me ribalanc të buxhetit për vitin 2026 edhe pse buxheti total u planifikua mbi 14 milionë euro, pjesa investuese parasheh vetëm 36.9% të buxhetit.
Stërngarkimi i Komunës dhe ndërmarrjeve e shërbimeve komunale (SHPK “Komunale”, SHPK “Ujësjellësi e kanalizimi”, SHPK “Tregu”, QKI “Malësia”, Policia Komunale, Organizata Turistike, Shërbimi për Mbrojtje dhe Shpëtim, SHPK “Kanioni i lumit Cem”) me të punësuar dhe të angazhuar me kontrata është ndër faktorët kryesorë për zvogëlimin e buxhetit kapital në kuadër të buxhetit total, e ky ndikim do të jetë edhe më i madh nëse EURO modeli do të jetësohet nga fillimi i vitit 2027.
Investimet kapitale janë shumë larg 70 milionëshit që u propagandua gjatë fushatës parazgjedhore të Forumit Shqiptar, sikur edhe propaganda politike për qindra persona që pritej të punësoheshin nëpër fabrikat e shumta e që nuk ndodhi. Në fakt, opinioni u manipulua maksimalisht.
Njëri nga investimet e shumëpritura me gjenerata të tëra është edhe ndërtimi i Qendrës kryesore sportive në komunën tonë. Për çudi, ky projekt gjatë fushatës parazgjedhore paraqitej se do të ndërtohej në Tuz, ku edhe e ka vendin, por FSH pas zgjedhjeve projektin në fjalë e zhvendosi në zonën jashtë vendbanimit të Tuzit, në Bashkësinë Lokale të Sukruqit, gjë që tregon njëanshmërinë e FSH-së. Bile-bile, në fillim u paraqit si projekt mbi 10 milionë euro, për të ardhur në përfundim se projektin në fjalë do ta ndërtojë Komuna nga buxheti vetanak, me faza, për disa vite.
Çudit fakti se ka një iniciativë nga Qeveria, ku edhe FSH është pjesë e saj, për ndërtimin e Qendrës kryesore sportive në afërsi të objektit të Komunës se Tuzit, por nuk gjen mbështetjen e FSH-së. Ky projekt, sipas informatave të deritanishme, do të përfshinte të gjitha segmentet e nevojshme, të standardizuara, për një zhvillim adekuat e modern të sportit në komunën tonë. Edhe më i çuditshëm është fakti mohues nga Komuna e Tuzit, gjegjësisht Sekretariati për Urbanizëm, kur po ai investim do të realizohej nga buxheti kapital i shtetit në vlerën rreth 12 milionë euro dhe me garanci se çdo pagesë për rregullimet pronësore do të kryhet po ashtu nga buxheti kapital i shtetit.
Por, kësaj here theksin do ta vendosi në një moment tjetër që paraqet kthesë për menaxhimin aktual të komunës sonë, që në fakt krijon edhe një paradoks kur në momentin që kemi rritje të buxhetit, në tjetrën anë del nevoja e dhënies me qira të resursit më të rëndësishëm që kemi si popull, si identitet, si zonë, që baballarët, gjyshërit e stërgjyshërit tanë e shfrytëzuan por edhe e mbrojtën, disa herë edhe me beteja të përgjakshme, e ajo është pasuri e paluajtshme me sipërfaqe shumë të madhe në Fushën e Cemit. Fjala është për Vendimin për dhënien me qira të tokës në mes të Deponisë e Dinoshës, me sipërfaqe prej 53.4 hektarësh, për 3.36 euro/m2 në vit. Asgjë nuk do të ishte e paarsyeshme sikur kjo tokë nuk do të konsiderohej e banorëve vendas, kur dihet historiku i saj, aq më tepër kur luhet me dinjitetin e banorëve të Dinoshës që edhe kësaj here do të paguajnë çmimin më të lartë.
Duhet përmendur se kjo pikë e rendit të ditës (Vendimi për dhënien me qira të pasurisë së paluajtshme përmes mbledhjes së ofertave) iu dorëzua këshilltarëve pak para miratimit të rendit të ditës, në mënyrë që të mos ketë kohë të dëgjohet zëri i opinionit e as të shqyrtohet mirëfilli nga vetë këshilltarët, sikur ishte rasti me momentin qëllimkeq të po së njëjtës shumicë kur po të njëjtën patundshmëri donin ta shitnin, por nuk ia patën arritur.
Mund të them lirisht se Dinosha kësaj here po e paguan çmimin e funksionimit të FSH-së, por edhe më e çuditshme është se as edhe një reagim nuk pati nga këshilltarët e shumicës që vijnë po nga Dinosha.
Një gjë është e sigurt – kushdo qoftë investitor nuk do të ruajë rehatinë e popullatës vendase dhe se brezat që vijnë s’do të kenë resursin kryesor për ekzistencë – tokën. Këtë po ua heq Komuna nga dora. Nëse e krahasojmë ngjarjen me Ulqinin, kur Plazhi i Madh u mbrojt nga ulqinakët, sot në Malësi kemi tjetër qasje. Shihet qartë se “Malësia zgjodhi ekonominë në vend të komoditetit nacional”, sepse u hap rrugë edhe aktiviteteve tjera afariste në atë zonë e në dëm të banorëve vendorë që me shekuj e shfrytëzonin bashkërisht si të mirë të përbashkët. Në vend të asaj rehatie që kishim deri tani, FSH po kontribuon për një të nesërme të pasigurt për identitetin tonë shqiptar, sepse kur kemi parasysh se së shpejti do të fillojnë punimet në ndërtimin edhe të bulevardit në afërsi të asaj zone (nga Ura e Zharnicës deri tek Ura në Dinoshë, përgjatë anës së djathtë të lumit Cem) ngjall dyshime se ajo zonë së shpejti do të transformohet më shumë për interesa të oligarkëve sesa për popullatën me të ardhura financiare modeste. Ky është një nga skenarët, por nga ana tjetër ekziston rreziku që investitori aktual të heqë dorë nga investimi, prandaj shtrohet pyetja, çka pastaj? Ndoshta dikush nga FSH e ka menduar mirë edhe këtë skenar, për interesa personale të tyre ose të dikujt afër tyre?!
Po ashtu, Këshilli Ekonomik, i themeluar nga Komuna e Tuzit, nuk del as edhe me një deklaratë për mbështetjen apo jo të këtij vendimi, ndoshta edhe nuk e ka guximin që do të duhej ta kishte. Por edhe sikur Këshilli Ekonomik të jepte mendimin e vet, ajo do të ishte vetëm një nga shumë segmente të jetës që për mendimin tim nuk do të duhej të ishte themelore.
Çdo lëvizje sjell ndryshim, sigurisht që do të ketë edhe përfitime afatshkurtra, por ndryshimet në dëm të identitetit të popullatës vendase, e jam i sigurt se indirekt këto lloj aktivitetesh e bëjnë një gjë të tillë, me një rrezik afatgjatë të një pamundësie të ruajtjes së resursit më të rëndësishëm – tokës, tregon qartë se shumica aktuale në Komunën e Tuzit bën çkamos vetëm e vetëm të mbesë në pushtet e t’ia fali dreqit edhe këto pak resurse që na kanë mbetur.
Ky është rezultat i angazhimit të FSH-së, e cila në vend që të mburret për arritjet që ka bërë do duhej të turpërohet sa të jenë gjallë. Thjesht, shumica e sotme në Tuz jo vetëm se është një zhgënjim, por ajo paraqet kërcënim të madh për të ardhmen tonë.
Si përfundim, ky veprim nga ana e FSH-së është edhe një falënderim për dinoshjanët e banorët e Omerbozhajve, të cilët në fakt nga mbështetja e parezervë për FSH-në si dhuratë humbin për jetë, për momentin diku rreth një të katërtën e Fushës së Cemit, e koha do të jetë dëshmitarja më e mirë për ngjarjet që do të vijnë pas kësaj.
Unë mendoj se më mirë është më pak ekonomi, por të ruajmë këtë që kemi, se të kemi më shumë ekonomi e të humbim edhe këtë që kemi. Daltë hajër e pafshim!

(Autori është këshilltar i UDSH-së në Kuvendin e Komunës së Tuzit)

Të fundit

më të lexuarat