
Rama përpiqet gjithnjë e më shumë të krijojë përshtypjen se vetëm ai është i aftë ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se largimi i tij do ta rrezikonte apo vononte këtë proces. Kjo është një premisë që nuk duhet pranuar. Shqipëria nuk varet – dhe nuk duhet të varet – nga një njeri i vetëm. Ajo ka mjaft njerëz të arsimuar, profesionistë të zotë dhe një brez të ri politik e intelektual, brenda dhe jashtë vendit, me aftësinë dhe përvojën për ta vazhduar procesin e integrimit evropian dhe, njëkohësisht, për ta qeverisur vendin më mirë.
Në të vërtetë, pyetja se kush do ta “çojë” Shqipërinë në BE nuk është as çështja më e rëndësishme. Integrimi evropian nuk duhet të jetë projekt personal i asnjë kryeministri apo partie politike. Ai është një projekt kombëtar, i cili duhet të mbështetet mbi institucione të qëndrueshme dhe të vazhdojë pavarësisht se kush qeveris.
Çështja thelbësore është që Shqipëria të bëhet realisht gati për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian. Kur vendi t’i ketë përmbushur standardet politike, ekonomike dhe institucionale, anëtarësimi i saj do të jetë jo vetëm në interesin e Shqipërisë, por edhe të vetë Bashkimit Evropian. Sa më e përgatitur të jetë Shqipëria para anëtarësimit, aq më të mëdha do të jenë përfitimet dhe aq më të vogla rreziqet dhe pasojat e padëshiruara që mund ta shoqërojnë atë.
Askush nuk duhet ta shohë anëtarësimin në BE si një panace që do t’i zgjidhë automatikisht të gjitha problemet e Shqipërisë. Anëtarësimi krijon mundësi të jashtëzakonshme, por sjell edhe sfida të reja, veçanërisht për një ekonomi që ende nuk ka arritur nivelin e vendeve më të zhvilluara të Unionit.
Le të marrim vetëm një shembull: lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore. Nëse Shqipëria hyn në BE pa e forcuar më parë ekonominë e saj, pa krijuar vende pune cilësore dhe pa ngushtuar hendekun e pagave, sa të rinj të arsimuar, mjekë, inxhinierë, specialistë të teknologjisë dhe profesionistë të fushave të tjera do të zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri, kur në vende të tjera të BE-së mund të gjejnë mundësi shumë më të mira profesionale dhe të ardhura dukshëm më të larta?
Atëherë lind një pyetje shumë më serioze: kush do ta ndërtojë Shqipërinë?
Një vend nuk ndërtohet vetëm me rrugë, ndërtesa, resorte apo kulla. Ai ndërtohet, mbi të gjitha, me njerëzit e tij. Nëse më të rinjtë, më të arsimuarit dhe më të aftët vazhdojnë të largohen, ndërsa boshllëku në tregun e punës plotësohet gjithnjë e më shumë me fuqi punëtore të ardhur nga vende ekonomikisht më të varfra, Shqipëria mund të përballet me një paradoks të dhimbshëm: të afrohet gjithnjë e më shumë me Evropën, ndërkohë që humbet një pjesë të kapitalit njerëzor që i nevojitet për të ndërtuar të ardhmen e vet.
Pikërisht këtu qëndron sfida e vërtetë për gjeneratën e ardhshme politike. Detyra e saj nuk do të jetë thjesht ta çojë Shqipërinë përtej vijës së anëtarësimit në BE. Ajo do të duhet të përballet me probleme shumë më të thella: forcimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit, luftën reale kundër korrupsionit, krijimin e një ekonomie konkurruese, mbrojtjen e pronës dhe interesit publik, frenimin e shpopullimit, krijimin e mundësive për të rinjtë dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te shteti.
Shumë prej këtyre problemeve jo vetëm që nuk janë zgjidhur gjatë viteve të qeverisjes së Ramës, por në disa raste janë thelluar. Pikërisht për këtë arsye, debati për të ardhmen e Shqipërisë nuk duhet të reduktohet në pyetjen nëse Rama është apo jo njeriu që do ta fusë vendin në BE. Pyetja duhet të jetë shumë më e madhe: çfarë Shqipërie do të hyjë në Bashkimin Evropian dhe çfarë vendi do t’u lëmë brezave që vijnë?
Prandaj, objektivi nuk duhet të jetë thjesht: “Sa më shpejt në BE.”, por “Një Shqipëri sa më e përgatitur për BE-në.”
Anëtarësimi duhet të jetë kurorëzimi i transformimit ekonomik, institucional dhe demokratik të Shqipërisë – jo zëvendësim për të.
