Protesta si pasqyrë e kulturës politike

Ndryshe nga Serbia, ku protestat morën një karakter të fuqishëm studentor dhe qytetar, protestat në Shqipëri u shoqëruan me skena dhune, përleshje, zjarre, sulme dhe shkatërrim të pronës publike. E gjithë kjo hap çështjen e kulturës politike dhe të përgjegjësisë së protestuesve ndaj shtetit të tyre

A.M. Perkaj

Të dielën, në Serbi u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Fitoren bindëse e shënoi Lista Studentore, me 52% të votave të fituara. Lista e presidentit të deritanishëm, Aleksandar Vuçiq, mori 39%. Përveç përfaqësuesve të partive të pakicave, asnjë subjekt tjetër nuk arriti të sigurojë vende në Parlament. Vuçiqi e pranoi humbjen.
Ky rezultat zgjedhor është kulmi i protestave qytetare që kanë nisur dy vjet më parë. Vala e protestave kundër korrupsionit në Serbi filloi më 3 nëntor 2024, pas ngjarjes tragjike që ndodhi më 1 nëntor në Novi Sad, kur u shemb streha e hyrjes në stacionin hekurudhor, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave.
Protestat dhe bllokadat u përhapën në qindra vendbanime, duke përfshirë bllokadat studentore të fakulteteve, si dhe grevat e punonjësve të profesioneve të ndryshme. Me kalimin e kohës, protestat çuan në organizimin e studentëve në një Lëvizje, e cila mori pjesë në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 25 tetor 2026.
Javët e fundit, që nga mesi i tetorit, edhe Shqipëria është tronditur nga protestat qytetare, të nxitura nga pakënaqësia lidhur me gjendjen në arsim, por që, në të vërtetë, janë nxitur nga një problem i mëhershëm që lidhet me investimet e huaja në ishullin e Sazanit. Protestat u shndërruan në demonstrata më të gjera kundër qeverisë, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndryshe nga Serbia, ku protestat morën një karakter të fuqishëm studentor dhe qytetar, protestat në Shqipëri u shoqëruan me skena dhune, përleshje, zjarre, sulme dhe shkatërrim të pronës publike. E gjithë kjo hap çështjen e kulturës politike dhe të përgjegjësisë së protestuesve ndaj shtetit të tyre.
Pra, kemi të bëjmë me dy qasje të kundërta:
Në Serbi, bëhet fjalë për protesta studentore dyvjeçare dhe mobilizim qytetar, me synimin që ndryshimet politike të realizohen në mënyrë institucionale, me anë të zgjedhjeve. Në Shqipëri, legjitimiteti i disa prej kërkesave të protestuesve nuk mund të justifikojë djegien dhe shkatërrimin e pronës private dhe publike, si dhe rrezikimin e sigurisë publike. Veprime të tilla i lënë në hije arsyet për të cilat njerëzit kanë dalë në rrugë. Veçanërisht shokant ka qenë sulmi mbi Nunciaturën e Vatikanit dhe grisja e flamurit të këtij shteti, gjë e cila dëmton rëndë imazhin e përgjithshëm të shtetit shqiptar në sytë e Evropës.
Në fund, protesta nuk mund të jetë vetëm shprehje e pakënaqësisë ndaj pushtetit aktual, por edhe një tregues i raportit të qytetarëve ndaj institucioneve, pronës publike dhe ndaj shtetit të tyre në tërësi.

Të fundit

më të lexuarat