Muaji tetor, i njohur botërisht si ”Tetori Rozë“, risjell në vëmendjen e shoqërisë sonë një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik: ndërgjegjësimin, parandalimin dhe luftën kundër kancerit të gjirit. Në kuadër të kësaj fushate globale, Radio Ulqini zhvilloi një bashkëbisedim me gjinekologen e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, Dr. Sadije Hollaj, për të trajtuar nga afër faktorët e rrezikut, rëndësinë e stilit të jetesës dhe shërbimet diagnostikuese që u ofrohen grave në komunitetin tonë.
Kanceri i gjirit mbetet një nga patologjitë më të shpeshta malinje te gratë, si në nivel global ashtu edhe në Malin e Zi. Megjithatë, mesazhi kryesor mjekësor është i qartë: zbulimi i hershëm rrit në mënyrë përcaktuese mundësitë e shërimit të plotë.
Gjatë bisedës, Dr. Hollaj vuri në dukje se faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje ndahen në të pandryshueshëm dhe të ndryshueshëm. Në grupin e parë bën pjesë mosha – ku rastet shtohen veçanërisht pas të pesëdhjetave – si dhe predispozita gjenetike. Prania e kancerit të gjirit te nëna, motra apo gjyshja, veçanërisht me praninë e mutacioneve në gjenet BRCA1 dhe BRCA2, rrit rrezikun individual, çka kërkon kontrolle më të shpeshta dhe të përshtatura mjekësore.
Nga ana tjetër, faktorët e ndryshueshëm lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si jetojmë. Obeziteti (veçanërisht në periudhën e post-menopauzës), konsumi i duhanit dhe alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik, stresi kronik dhe përdorimi i zgjatur i disa terapive hormonale zëvendësuese konsiderohen elemente që ndikojnë negativisht në nivel qelizor. Përkundrejt tyre, ushqyerja me gji veçohet si një faktor mbrojtës natyral me ndikim mjaft pozitiv për shëndetin e nënës.
Një nga pikat kyçe të bisedës ishte vetëdijësimi për ekzaminimet periodike. Statistikat tregojnë se rreth 80 për qind e rasteve të kancerit të gjirit zbulohen fillimisht nga vetë gratë përmes vetë-palpimit. Ky veprim i thjeshtë rekomandohet të kryhet çdo muaj, nga dita e 5-të deri në të 10-tën e ciklit menstrual, duke vëzhguar me kujdes çdo ndryshim vizual apo prani të gungave.
Sa i përket ekzaminimeve klinike:
- Për moshat 20-40 vjeç – rekomandohet kryerja e ultrazërit të gjirit një herë në vit.
- Për moshat mbi 40 vjeç – mamografia digjitale mbetet standardi kryesor diagnostikues, e cila këshillohet të përsëritet çdo dy deri në tre vjet.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin ofrohen shërbime të rregullta gjinekologjike dhe radiologjike, ndërsa institucioni është në pritje të furnizimit me mamografin e ri digjital, çka do të lehtësojë procesin e diagnostikimit lokal. Po ashtu, gratë mund të shfrytëzojnë edhe programet e depistimit falas në Klinikën Universitare në Podgoricë.
Në përmbyllje, Dr. Sadije Holla përcolli një apel për të gjitha gratë e komunitetit tonë.
“Kujdesi për veten nuk është luks, por përgjegjësi. Një grua e shëndetshme është shtylla e familjes dhe e gjithë shoqërisë. Parandalimi mbetet hapi më i sigurt për të shpëtuar jetë”, përfundoi ajo. - Eliana Peku
