
(vijon nga numri i kaluar)
Për të gjitha temat u zhvillua një diskutim i gjerë dhe i hapur, ligjëruesve iu bënë pyetje dhe u prezantuan mendime kritike të cilat në pjesën më të madhe kanë qenë të lidhura me tematikën e seminarit, por ka pasur edhe pyetje dhe diskutime të cilat pjesërisht kanë devijuar nga tematika e seminarit. Pyetjet kanë pasur të bëjnë me zbatimin e administratës dygjuhësore në shkolla, hartimin e akteve normative dygjuhësore, dhënien e dëftesave dygjuhësore të gjithë nxënësve të cilët mësojnë në gjuhën shqipe dhe serbokroate, nëse mësojnë në të njëjtën shkollë; regjistrimin e librave amëz në gjuhën amtare, përdorimin e flamurit kombëtar, librat dhe literaturën për vitin 1981 dhe 1982, bashkëpunimin e komisioneve që i hartojnë projektet programore dhe i propozojnë librat për përdorim me komisionet e njëjta në Republikën e Maqedonisë, RS të Serbisë dhe KAS të Kosovës, disa mangësi në disa libra të botuar nga Enti Republikan për Përparimin e Shkollave në Titograd (çështja e çlirimit të Ulqinit, prejardhja e shqiptarëve nga sllavët etj.).
Diskutim të veçantë, në të tre seminaret, ka nxitur Projekti i programit të përkohshëm të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe për shkollat e mesme dhe lista e librave të lejuar për vitin shkollor 1981/1982.
“Projekti i programit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, sipas mendimit tonë, ka nxitur një diskutim të gjallë dhe të llojllojshëm, për arsye se ky projekt në krahasim me të tanishmin, i cili është ende në përdorim, është ndërruar dukshëm dhe ofron shumë më tepër njësi mësimore nga letërsia e kombëve dhe kombësive të Jugosllavisë (deri më tani ka pasur gjithsej 10 në të katër klasat e shkollës së mesme). Arsimtarët e gjuhës shqipe, gjatë studimeve, nuk janë aftësuar sa duhet që këto programe t’i realizojnë. Nga ana tjetër, pjesëmarrësve në diskutim u duket se për së tepërmi është varfëruar letërsia në gjuhën shqipe, në shumë raste edhe shkrimtarëve dhe fondit të orëve, posaçërisht sepse janë mënjanuar veprat e shkrimtarëve nga Shqipëria, të cilët në programet e deritanishme kanë pasur vend dominant. (DACG, AO Ulcinj, f. SKJ, 1981, Informatë e Entit Republikan për Përparimin e Shkollave, OPB Puna shkencore hulumtuese për përparimin e edukimit dhe arsimimit, mbi mbajtjen e seminarit për punëtorët e arsimit të cilët zhvillojnë mësim në gjuhën shqipe në RS të Malit të Zi, fq. 2)
Lista e librave të lejuar, për këtë vit shkollor, ka qenë objekt i diskutimeve të gjalla, sepse ka ndryshuar shumë nga ajo e vitit të kaluar. Arsyet për ndryshim janë të njohura dhe të arsyeshme, sepse analiza ka treguar se disa nga ato kanë përmbajtje që mund të jenë të dëmshme për nxënësit, prandaj nuk kanë mundur të lejohen për përdorim. Në listën e librave të lejuar nuk gjenden librat shkollorë për klasat VI, VII dhe VIII të shkollës fillore, pa Antologjinë e letërsisë së huaj dhe Historia e letërsisë për shkollat e mesme. Në vend të librave për klasat VI, VII dhe VIII të shkollës fillore është rekomanduar përdorimi i manualit ‘Në prehër të jetës së re’ dhe revistës ‘Koha’, e cila në Mal të Zi botohet në gjuhën shqipe. Me këto ndryshime arsimtarët janë njoftuar në fillim të vitit shkollor ndërsa reagimet e tyre ndaj këtyre ndryshimeve kanë qenë shumë të ashpra. Nga lista e librave të rekomanduar të këtij viti janë lënë të përdoren librat e historisë për klasat V, VI, VII dhe VIII të shkollës fillore, që janë botuar në Kosovë, si dhe librat e matematikës, fizikës, kimisë dhe arsimit teknik.
Librat e përmendur të historisë nuk janë rekomanduar të përdoren këtë vit për shkak se ata nuk përputhen mjaftueshëm me kërkesat dhe programet mësimore dhe në vend të tyre janë propozuar librat shkollorë nga RS e Maqedonisë. Kjo tek arsimtarët ka krijuar përshtypjen se këto ndryshime kanë ndodhur si reagim i Entit Pedagogjik të RS të Malit të Zi ndaj ngjarjeve në Kosovë, pasi sipas mendimit të tyre librat shkollorë nga Kosova janë të mirë, e sikur të mos ishin nuk do të përdoreshin më as atje. Për këtë temë kanë diskutuar shumë pjesëmarrës në seminar, Diskutimet e ashpra kritikuese për projektet e programit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe kanë qenë të përcjella me miratimin dhe duartrokitjet e shumicës së të pranishmëve, kështu që është krijuar përshtypja se një numër i tyre nuk e kanë pranuar shpjegimin e arsyetimeve për shkak të të cilave janë bërë ndryshimet e atyre programeve dhe zëvendësimi i librave shkollorë. Disa nga këto diskutime, sipas tonit dhe vendosmërisë së tyre, kanë qenë shoqërisht të papranueshme.
E gjitha kjo tregon nevojën e rritjes së aktiviteteve politike në kolektivin e arsimtarëve të shkollave me mësim në gjuhën shqipe”.
Në vazhdim të Informatës ceket se thirrja për të marrë pjesë në punën e këtyre seminareve iu është dërguar: Seksionit për Arsim, Kulturë dhe Shkencë të KR të LSPP-së, Komisionit të KQ të LKMZ-së për Arsim, organizatave shoqërore-politike dhe kuvendeve komunale ku janë mbajtur seminaret dhe të gjitha shkollave fillore dhe të mesme, si dhe Enteve ndërkomunale arsimore-pedagogjike në regjionin e të cilave gjenden shkollat me mësim në gjuhën shqipe.
Në këtë informatë Enti Republikan për Përparimin e Shkollave jep këto përfundime: (DACG, AO Ulcinj, f. SKJ, 1981, Informatë…, ff. 4-5)
Seminaret, përkundër dobësive të përmendura, kanë qenë shumë të dobishëm, sepse janë trajtuar çështje të shumta të karaktarit politik, ekonomik dhe profesional-pedagogjik. Shqyrtimet, në shumicën e rasteve, kanë qenë korrekte dhe të drejtuara në zgjidhjen e çështjeve të cilat janë përfshirë në program.
Disa diskutime të cilat kanë qenë në kundërshtim me qëllimet themelore të seminarit – që në mënyrë të hapur dhe me përgjegjësi të diskutohet për problemet dhe vështirësitë, që me dialog të kulturuar të arrihet deri te zgjidhjet më të mira dhe përmirësimi i programeve mesimore të disa lëndëve, që të diskutohet për librat shkollorë dhe vështirësitë për blerjen e tyre – kanë qenë të drejtuara që të nxirret në pah individi si përfaqësues i interesave të kombësisë shqiptare, si orator që do t’u pëlqejë pjesëmarrësve të seminarit, sepse kritikon zgjidhjet e ofruara, edhe atëherë kur atë e bën pa argumente të duhura. Numri i folësve të tillë dhe i atyre që kanë bërë pyetje të parëndësishme nuk ka qenë i madh. Është e çuditshme se ato diskutime dhe qëndrime, kryesisht, kanë qenë të përcjella me miratim të theksuar dhe me duartrokitje të shumicës, ndërsa diskutimet konstruktive dhe të matura janë përcjellë në mënyrë të qetë, e nganjëherë edhe me mosmiratimin nga një pjesë e pjesëmarrësve. Kritikuesit më të ashpër, në të tri qendrat, kanë qenë mësimdhënësit e gjuhës shqipe dhe lëndëve shoqërore, prandaj me qëllim të sqarimit të disa çështjeve dhe marrjes së qëndrimeve të qarta ndaj çështjeve të përcaktuara dhe shoqërisht të përvetësuara ideopolitike dhe profesionale, është e nevojshme të organizohen dhe zhvillohen biseda të hapura politike dhe profesionale.
(Marrë nga libri “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi (1945-1990)”), Art Club, Ulqin, 2021)
