“Ulqini po lëviz”

Manifestimi “Ulqini po lëviz” u zhvillua me synimin që sporti dhe aktiviteti fizik të bëhen pjesë sa më e rëndësishme e jetës së përditshme të qytetarëve, veçanërisht e fëmijëve dhe të rinjve. Përmes aktiviteteve në natyrë, organizatorët synuan gjithashtu të promovojnë shfrytëzimin e hapësirave publike për rekreacion dhe shoqërim

Pylli i Pishave në Ulqin, të dielën (më 27 shtator 2026) u kthye në një hapësirë të mbushur me sport, fëmijë, të rinj dhe qytetarë, të cilët iu bashkuan manifestimit “Ulqini po lëviz”. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Javës Evropiane të Sportit dhe fushatës #BeActive, me qëllim promovimin e aktivitetit fizik, jetesës së shëndetshme dhe përfshirjes së të rinjve në sport, i organizuar nga Komuna e Ulqinit në partneritet me Ministrinë e Sportit dhe Rinisë.
Shahu, çiklizmi dhe shëtitja rekreative ishin ndër aktivitetet që tërhoqën më shumë vëmendjen e të pranishmëve, ndërsa hapësira e Pyllit të Pishave gjatë gjithë ditës u karakterizua nga një atmosferë sportive dhe shoqërore.
Në emër të Sekretariatit për Sport dhe Rini të Komunës së Ulqinit, të pranishmit i përshëndeti zëvendës-sekretari Edon Çaushi, i cili theksoi rëndësinë e aktivitetit fizik dhe përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve në sport.
“Sot këtu jemi me një mesazh të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm: të jemi aktivë. Qëllimi ynë është të promovojmë sportin si mënyrë të shëndetshme jetese, shoqërimi dhe aktiviteti fizik, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. Faleminderit të gjitha shkollave, nxënësve, sportistëve dhe të gjitha klubeve, partnerëve dhe qytetarëve që sot janë me ne. Një falënderim i veçantë u takon Klubit të Bjeshkatarëve ‘Lipoja’, Klubit të Çiklizmit ‘Buna’, Klubit të Shahut ‘Otrant’ dhe Ministrisë së Sportit dhe Rinisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Sot nuk duam spektatorë, sot duam që të gjithë të jeni pjesëmarrës. Prandaj ju ftojmë që të ecim së bashku, të ngasim biçikletën, të luajmë shah, të shoqërohemi dhe ta shijojmë këtë ditë të bukur. Le të dërgojmë sot nga Ulqini një mesazh të bukur në të gjithë Evropën se Ulqini është qytet i sportit, qytet i rinisë dhe qytet i një jete aktive”, ka theksuar ai.
Hapjen zyrtare të manifestimit e bëri nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sellaj.
Në fjalën e tij, ai theksoi mbështetjen e Komunës së Ulqinit për të rinjtë, klubet sportive dhe aktivitetet që synojnë promovimin e një jete të shëndetshme.
“Komuna e Ulqinit gjithmonë do të jetë në mbështetje të të rinjve tanë, të klubeve tona sportive dhe të të gjitha moshave që i përkasin komunitetit tonë. ‘Ulqini po lëviz’ – vetë kjo shprehje do të thotë që ne duhet të bashkohemi dhe të punojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, të cilët duhet të jetojnë shëndetshëm në komunën e Ulqinit. Këtë aktivitet duhet ta bëjmë traditë dhe të bashkohemi sa më shumë klube në mënyrë që të rinjtë tanë të jetojnë shëndetshëm”, është shprehur ai.
Në kuadër të manifestimit, organizatorët ndanë mirënjohje për partnerët dhe miqtë që kontribuuan në realizimin e aktivitetit. Mirënjohje iu nda KB “Lipoja” për kontributin në organizimin e manifestimit. Një tjetër mirënjohje iu dorëzua KÇ “Buna”, i cili kishte përgatitur poligonin e çiklizmit, ndërsa KSH “Otrant” u vlerësua për kontributin e tij në organizimin e lojës së shahut në ambient të hapur.
Manifestimi “Ulqini po lëviz” u zhvillua me synimin që sporti dhe aktiviteti fizik të bëhen pjesë sa më e rëndësishme e jetës së përditshme të qytetarëve, veçanërisht e fëmijëve dhe të rinjve. Përmes aktiviteteve në natyrë, organizatorët synuan gjithashtu të promovojnë shfrytëzimin e hapësirave publike për rekreacion dhe shoqërim.
Në fund të aktivitetit, të pranishmit ishin të një mendimi se e diela në Pyllin e Pishave duhet të jetë ditë pa automjete në mënyrë që kjo hapësirë të jetë më e sigurt dhe më e përshtatshme për fëmijët, çiklistët, sportistët dhe qytetarët që dëshirojnë ta shfrytëzojnë për shëtitje, rekreacion dhe aktivitete në natyrë.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat