Së bashku për lumin Lim më të pastër

Plavë – Bregu i lumit Lim në shumë lokalitete të komunës së Plavës, të enjten më 24 shtator 2026, ka qenë vend i aksionit të përbashkët të institucioneve, komunitetit lokal dhe të rinjve, të cilët i kanë bashkuar forcat për t’i kontribuuar ruajtjes së këtij lumi dhe të dërgojnë mesazh të qartë që mbrojtja e ujërave fillon nga secili prej nesh.
Aksioni është organizuar në kuadër të iniciativës “Komunitetet lokale për ujëra më të pastra”, të cilën e ka iniciuar dhe financuar Drejtoria për Ujëra e Malit të Zi në bashkëpunim me pesë komuna të Malit të Zi dhe me mbështetjen e projektit “Komunat për BE”, me rastin e Ditës ndërkombëtare të pastrimit të brigjeve.
Në pastrimin e bregut të lumit Lim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Komunës së Plavës, Klubit të Peshkimit Sportiv “Plavsko jezero”, nxënësit e shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq”, anëtarët e seksionit ekologjik, nëpunësit e Ndërmarrjes Komunale etj. Në lokalitete të veçanta, ku ka qenë nevoja e mënjanimit të sasive më të mëdha të hedhurinave, janë angazhuar automjetet e mekanizuara.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq ka theksuar se ruajtja e lumit Lim ka rëndësi të veçantë për Plavën, jo vetëm si çështje e ruajtjes së mjedisit jetësor, por edhe lidhje e qëndrueshme e bashkësisë lokale ndaj njërit prej resurseve të veta më të rëndësishme natyrore.
“Limi është pjesë e identitetit të Plavës dhe natyrisht begati të cilën jemi të detyruar ta ruajmë. Për këtë është me rëndësi që sot së bashku shikojmë përfaqësuesit e institucioneve, shërbimeve komunale, peshkatarëve, të rinjve dhe bashkëqytetarëve tanë. Aksionet e këtilla kanë kuptim të plotë kur pas tyre mbetet më shumë nga bregu i pastruar – ndërgjegjja që përgjegjësia ndaj lumit është e përditshme dhe e përbashkët. Posaçërisht më gëzon pjesëmarrja e të rinjve, sepse mu nga raporti i tyre ndaj natyrës varet se si Plava do të duket në të ardhmen”, ka thënë ai.
Inspektori për ujëra i Drejtorisë së Ujërave, Omar Bashiq, ka nënvizuar se qëllimi i aktiviteteve të këtilla nuk është vetëm pastrimi i brigjeve, por edhe rritja e ndërgjegjes mbi përgjegjësinë që të gjithë e kemi ndaj lumenjve dhe hapësirës ku jetojmë.
“Dëshirojmë të dërgojmë mesazhin e qartë që lumenjtë nuk janë vende për hedhjen e mbeturinave. Mbeturinat në brigjet dhe në shtratin e lumit nuk e prishin vetëm pamjen e hapësirës sonë, por mund të rrezikojnë cilësinë e ujit dhe ekosistemit ujor, kurse paraqet rrezik për të gjithë ne. Duhet të jemi të vetëdijshëm që mbrojta e lumenjve fillon në burimin e tyre, e ne në Plavë jemi ai burim. Duke ruajtur burimet tona, ruajmë lumenjtë tanë, mjedisin jetësor, dhe në fund jetën tonë. Mbrojtja e ujërave nuk është detyrë vetëm e një institucioni apo e një grupi njerëzish – ajo është përgjegjësi e përbashkët e të gjithët neve”, ka porositur ai.
Gjatë aksionit është pastruar bregu i Limit në shumë lokalitete në trevën e komunës së Plavës, përfshirë trevën Novo Naselje dhe Manastirin Sveta Trojica, ndërsa aktivitetet në varësi prej gjendjes në terren janë realizuar me dorë dhe me mbështetjen e automjeteve të mekanizuara.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat