Ulqini ende pret transportin urban

Prej kohësh flitet për vendosjen e transportit urban në Ulqin, një shërbim që qytetarët e presin veçanërisht në një qytet ku gjatë sezonit veror lëvizja bëhet gjithnjë e më e vështirë. Autobusët janë blerë, është paraparë themelimi i ndërmarrjes që do të merret me transportin publik, por qytetarët ende nuk kanë mundësi t’i përdorin ato në linja të rregullta

Në rrugët e Ulqinit ende nuk shihen autobusët që duhet të ofrojnë transport publik për qytetarët. Ndërkohë, një pjesë e mjeteve të transportit tashmë është siguruar, ndërsa pjesa tjetër dhe organizimi i shërbimit vazhdojnë të jenë në pritje.
Prej kohësh flitet për vendosjen e transportit urban në Ulqin, një shërbim që qytetarët e presin veçanërisht në një qytet ku gjatë sezonit veror lëvizja bëhet gjithnjë e më e vështirë. Autobusët janë blerë, është paraparë themelimi i ndërmarrjes që do të merret me transportin publik, por qytetarët ende nuk kanë mundësi t’i përdorin ato në linja të rregullta.
Komuna e Ulqinit gjatë vitit 2025 njoftoi për sigurimin e autobusëve të parë për nevojat e transportit publik. Bëhet fjalë për mini-autobusë Iveco Daily, me nga 22 ulëse, të prodhuar në vitin 2025. Në atë kohë ishte bërë e ditur se do të siguroheshin edhe autobusë të tjerë, për të kompletuar mjetet e nevojshme. Megjithatë, koha kaloi dhe shërbimi nuk nisi të funksionojë sipas pritshmërive.
Një hap tjetër u ndërmor në maj të vitit 2026, kur Kuvendi i Komunës së Ulqinit miratoi themelimin e ndërmarrjes “Transporti Publik Urban”, e cila duhet të organizojë transportin publik urban dhe suburban në territorin e komunës së Ulqinit. Por edhe pas këtij vendimi, autobusët nuk dolën në linjat e qytetit.
Sipas raportimeve të publikuara në qershor, në atë kohë mbetën ende për t’u zgjidhur disa çështje të rëndësishme për funksionimin e ndërmarrjes, përfshirë strukturën drejtuese, hapësirat për punë, si dhe përcaktimin e linjave dhe stacioneve.
Ndërkohë, në buxhetin e Komunës së Ulqinit për vitin 2026 janë paraparë edhe mjete për blerjen e dy autobusëve të tjerë, me qëllim kompletimin e automjeteve të nevojshme.
Për qytetarët, megjithatë, çështja është më e thjeshtë: autobusët nuk janë të dobishëm vetëm pse qëndrojnë të parkuar. Ata duhet të jenë në rrugë, me linja të përcaktuara, orar të qartë dhe një shërbim që qytetarët mund ta përdorin çdo ditë.
Fotografia e autobusëve të blerë, ndërkohë, ngre një pyetje që qytetarët e Ulqinit vazhdojnë ta bëjnë: kur do të nisin këta autobusë të qarkullojnë dhe kur do të bëhet transporti urban më në fund një shërbim real për qytetin? Deri atëherë, autobusët janë aty, ndërsa qytetarët vazhdojnë të presin.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat