Kurthi i kujtimeve

Për ata që janë larguar dikur, me apo pa dëshirë, vendlindja nuk është më thjesht një vend gjeografik. Ajo shndërrohet në kohë, në ndjenjë, në kujtim që jeton brenda shpirtit dhe nuk shteron kurrë. Sepse aty është fëmijëria, aty janë varret e të parëve, kujtimet e papërsëritshme që koha i ka mbuluar, por s’i ka fshirë

Haxhi Zeneli

Ka një mall që nuk shuhet kurrë. Një zë i heshtur që të thërret nga thellësia e shpirtit, sado larg të shkosh. Ka diçka njëkohësisht të çuditshme dhe të dhimbshme në mënyrën se si shpirti i një emigranti mbetet i lidhur me vendlindjen.
Për ata që janë larguar dikur, me apo pa dëshirë, vendlindja nuk është më thjesht një vend gjeografik. Ajo shndërrohet në kohë, në ndjenjë, në kujtim që jeton brenda shpirtit dhe nuk shteron kurrë. Sepse aty është fëmijëria, aty janë varret e të parëve, kujtimet e papërsëritshme që koha i ka mbuluar, por s’i ka fshirë.
Shpesh, ata që lanë pas gjithçka në kërkim të një jete më të mirë, për një siguri ekonomike apo një të ardhme për familjen, e ruajnë vendlindjen si një pasuri të shenjtë. Por kur, pas shumë vitesh, kthehen, përballen me një realitet të hidhur: ajo që kanë mbajtur gjallë në kujtesë nuk ekziston më. Vendi i ëndrrave shndërrohet në një kurth zhgënjimi, në diçka që nuk të lejon të shkëputesh, sepse është rrënjosur thellë në çdo pore të trupit të tij.
Emigrantët nuk kthehen vetëm për të parë shtëpinë, oborrin, rrugën apo lagjen. Ata kthehen për të shijuar atë që kanë përjetuar dikur: gëzimin e thjeshtë, aromën e mëngjesit nga kuzhinat e nënave dikur, gjelbërimin e pranverës, vapën e verës, por edhe zërat e fqinjëve që thërrisnin emrin e tyre dikur, por edhe sot: ”A paskeni ardhur?”
Por harrojnë se koha nuk ka mëshirë për ndjesitë. Ajo ndryshon gjithçka. Njerëzit plaken, prindërit disave u kanë ikur, shtëpitë e braktisura rrënohen, bari dhe çubat e ferrave i mbulojnë çatitë, miqtë janë shpërndarë në vende të ndryshme, të rinjtë nuk të njohin më. Kështu që ai në vendin e tij është i huaj dhe papritur kupton se asgjë nuk është më si më parë.
Atëherë shpirti i thyhet përballë së vërtetës: vendlindja nuk është më ajo që ishte. Dhe ndoshta as ai nuk është më ai që ka qenë. Gjithçka ka ndryshuar. Kështu që nostalgjia shndërrohet në një mashtrim të bukur. Ajo i vesh kujtimet me petkun e artë, me një hijeshi që ndoshta kurrë nuk ka qenë reale, por që mendja e ka stolisur me kalimin e viteve. Kjo është arsyeja pse shumë emigrantë kthehen plot mall e shpresë, por largohen të zhgënjyer, të zbrazët, sikur një pjesë e tyre të kishte mbetur përgjithmonë aty ku janë rritur, aty ku kanë qenë fëmijë, aty ku dikur kanë jetuar thjesht.
Ata mësojnë një të vërtetë të dhimbshme: jo sepse vendi ka ndryshuar për keq, por sepse ata kanë ndryshuar vetë. Sepse janë gjithmonë në kërkim të një jete të shkuar, të mirë apo të keqe, që nuk kthehet më.
Po pse kthehemi përsëri, edhe kur largohemi të zhgënjyer?
Mbase kjo ndoshta mund të shpjegohet kështu: Edhe kur ka boshllëk, edhe kur gjithçka duket e huaj, kthehen sepse kanë nevojë për rrënjët e tyre, për ushqim shpirtëror, për oksigjen, për aromën e malit dhe të fushës, për zhurmat. Kthehen për t’ia kujtuar vetes se kush kanë qenë, për ta parë me sytë e tyre se ajo botë e fëmijërisë dhe e rinisë, edhe pse nuk ekziston më, ka qenë reale dhe jeton ende brenda tyre, sepse ajo nuk zhduket lehtë nga qenia e tyre.
Ndoshta kthehen edhe për t’i dhënë fund një ëndrre që i ka mbajtur gjallë për vite me radhë, që u është shfaqur shpesh në gjumë, i ka ushqyer përmes ëndrrave dhe i ka mbushur me energji për të vazhduar jetën, si një premtim i pambaruar. Një shpresë.
Ka një thënie që thotë: “Mos u kthe aty ku ke qenë i lumtur; ruaje ashtu siç ishte, në kujtesë.”
Duhet të mësojnë të largohen me paqe. Duhet pranuar se nuk mund të kthehesh më ashtu siç shpreson zemra jote. Të ruhen kujtimet, por mos të kërkohet prej tyre lumturia e sotme.
Ky është një proces që dhemb, por që të rrit, të bën të jetosh në kohën tënde.
Sepse çdo gjë ka kohën e saj. Më mirë do të ishte që ato kujtime të mbaheshin gjallë, sesa t’i kërkonim aty ku nuk mund t’i gjejmë më.

Të fundit

më të lexuarat