Vepër monumentale kushtuar mbretëreshës Teutë

Në saje të angazhimit të gazetarit Marin Mema si iniciator i projektit, pas katër vitesh përkushtim, përpjekje dhe shumë vështirësish, më së fundi mbretëresha ilire Teuta tashmë qëndron në ballkonin panoramik mbi Ranën e Hedhun, përgjatë rrugës Shëngjin-Velipojë, si dëshmi e kujtesës sonë historike me trashëgiminë e lashtë ilire

Nail Draga

Në vendet e qytetëruara është bërë praktikë që të nderohen personalitete e ngjarje nga historia kombëtare, sepse veprimtaritë dhe ngjarjet e tilla përveçse kanë peshë historike kanë edhe karakter kombëtar. Pikërisht duke marrë parasysh këtë mision, në Shqipëri dallohet gazetari Marin Mema i cili në vitin 2022 opinionit i ka prezantuar idenë për vendosjen e shtatores së mbretëreshës ilire Teuta në një bashki në Shqipëri, duke pasur parasysh rolin e saj në Iliri.

Tri bashki refuzuan shtatoren e Teutës
Por që nga fillimi janë shfaqur pengesa subjektive nga ata që është dashur ta përkrahin një nismë të tillë, gjë që është e pashpjegueshme, sepse sipas të dhënave nga Marin Mema tri bashki refuzuan ta përkrahin, ndryshe nga Bashkia e Lezhës që e pranoi menjëherë idenë e tij. Një veprim i tillë refuzues nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse nuk kemi të bëjmë me një projekt personal, partiak apo të ndonjë forme tjetër, përveç nga xhelozia e komplekset e drejtuesve të bashkive të tilla!
Gjatë inaugurimit Mema falënderoi veçanërisht Bashkinë Lezhë dhe kryebashkiakun Pjerin Ndreu, të cilët, siç u shpreh ai, e pranuan menjëherë idenë dhe i hapën rrugë vendosjes së shtatores në Shëngjin. Ndërsa një kontribut të veçantë ka dhënë edhe arkeologu Paulin Zefi, duke ndihmuar që projekti të realizohej.
Për Memën, vendndodhja ka edhe këtë simbolikë të veçantë: Teuta u vendos pikërisht në Shëngjin, në trevën ku ajo mbretëroi, përballë Adriatikut.

Ngjarja më e rëndësishme kulturore e këtij viti
Data 15 shtator 2026 është ngjarja më e rëndësishme kulturore e vitit, jo vetëm në Lezhë por në tërë hapësirën mbarëkombëtare, sepse vendosja dhe inaugurimi i shtatores së mbretëreshës Teutë ka përmasa kombëtare, kur ilirët dhe Iliria ishin sovran në hapësirën e tyre. Një vepër e tillë nderon historinë, krenarinë dhe trashëgiminë shqiptare.
Urojmë që ky projekt madhështor të shërbejë si një shembull frymëzues për të gjitha bashkitë dhe qytetet tjera shqiptare, për ta pasuruar hapësirën publike me vepra monumentale që e nderojnë historinë, kulturën dhe figurat e shquara të paraardhësve tanë të lavdishëm – ilirëve!
Teuta jonë qëndron tashmë me shumë hijeshi mbi Ranën e Hedhun, pranë rrugës Shëngjin-Velipojë, si dëshmi e gjallë e kujtesës sonë historike dhe e Lidhjes së Lezhës (2 mars 1444) me trashëgiminë e lashtë ilire.

Monumenti – donacion nga diaspora
Monumenti ka një lartësi prej 8.70 metra, ku statuja prej bronzi është 5.45 metra e lartë, ndërsa baza e saj është 3.25 metra. Vepra është realizuar nga skulptori Julian Muçollari.
Projekti është financuar përmes donacioneve private nga shqiptarët e diasporës përmes një fushate ku u mblodhën rreth 15.000 dollarë amerikanë nga 268 donatorë të ndryshëm shqiptarë. Dhe atë çka nuk e bëri qeveria apo institucionet shtetërore e realizoi diaspora, që në shumë raste është treguar solidare për të ndihmuar në raste të veçanta, ku kësaj here monumenti kushtuar mbretereshës Teutë nuk ishte përjashtim por dëshmi e një qëndrimi kulturor kombëtar.
Nga data 15 shtator 2026 bregdeti shqiptar në veriperëndim është më i pasur dhe më atraktiv, sepse statuja e mbetëreshës Teutë do të jetë një motiv më shumë për të vizituar Shëngjinin dhe Velipojën për të gjithë shqiptarët e në veçanti për turistët e shumtë të cilët gjatë verës i frekuentojnë këto mjedise.

Përfundim
Realizimi i një projekti kulturor për një figurë historike me përmasa kombëtare sikurse është mbretëresha Teutë dëshmon se kur ekziston vullneti dhe bashkëpunimi arrihet qëllimi. Një vepër e tillë monumentale është dashur të realizohet shumë më herët, sepse përveç vlerave historike e kulturore ka edhe vlera edukative. Sepse historia nuk është vetëm ajo që lexojmë në libra, por është ajo që e shohim dhe e prekim, që krijon emocion dhe reflektim se kush ishim dikur dhe kush jemi sot. Dhe brezi i ri ka një nevojë të tillë të vizionit në kohën tonë, për të mos u tjetërsuar në kohën moderne por në mbrojtje të identiteti kombëtar, pavarësisht se ku gjenden – në hapësirën e tyre etnogjeografike apo në diasporë.
Vendosja e këtij monumenti në një vend atraktiv në bregun e Detit Adriatik paraqet një vlerë të shtuar në favor të zhvillimit të turizmit në këtë mjedis. Kemi të bëjmë me një kryevepër arti sot dhe një simbol të jashtëzakonshëm për brezat që do të vijnë. Shpresojmë që vepra të tilla të inaugurohen në të ardhmen edhe në bashkitë e tjera, sepse përmes tyre nderojmë historinë dhe trashëgiminë shqiptare, si kudo në botën e qytetëruar.

Të fundit

më të lexuarat