
Gjatë javës së kaluar, presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq vizitoi disa shkolla në Ulqin, konkretisht shkollën e mesme të përzier “Vëllazërim-Bashkim” si dhe shkollat fillore “Boshko Strugar” e “Marshall Tito”.
Vizita e Millatoviqit vjen në një moment kur këto shkolla janë ballafaquar me probleme të natyrave të ndryshme – nga kontestimi i zgjedhjes së drejtorëve të rinj për shkak të mosnjohjes së gjuhës shqipe, protestës së prindërve për shkak të një mësueseje shqiptare që jep mësim në klasë ku mësimi zhvillohet në gjuhën malazeze, por e cila i ka kryer studimet në gjuhën shqipe etj. Prandaj vizita e presidentit Millatoviq dhe momenti i zgjedhur për t’i vizituar këto shkolla ngre në vetvete disa pikëpyetje dhe lë shteg për interpretime të ndryshme.
Edhe pse presidenti ka të drejtë dhe nuk ia ndalon kush, rrallëherë ndodh që ai t’i vizitojë shkollat, me përjashtim të rasteve të ndonjë përvjetori apo ceremonie të rëndësishme. Në këtë prizëm, vizita e tij nuk është e natyrshme.
Pse Millatoviqi zgjodhi të vizitojë disa shkolla të Ulqinit dhe nuk i vizitoi edhe shkollat në Katërkollë dhe Shtoj?! Natyrisht, ai ka të drejtë të vizitojë shkollat që do, por nuk duhet të harrojë se përfaqëson unitetin e popullit. Nisur nga kjo, pyetja që lind është se mbi çfarë kriteri u bë përzgjedhja e shkollave që ai vizitoi? Dhe a i ndan ai shkollat sipas përkatësisë nacionale të drejtuesve të tyre? Ka edhe shumë pyetje të tjera (pa përgjigje) që mund t’i shtrohen presidentit Millatoviq.
Në anën tjetër, edhe pse Millatoviqi nuk i përmendi në deklaratat e tij problemet në këto shkolla, duke përdorur gjuhë diplomatike, vizita e tij në njëfarë mënyre është mesazh dhe konfirmim i mbështetjes për disa prej drejtuesve të rinj të këtyre shkollave.
Një pyetje tjetër, që nuk lidhet me arsimin dhe zhvillimet aktuale në shkollat me mësim në gjuhën shqipe: Pse presidenti Jakov Millatoviq nuk mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të sivjetshëm të Panairit të Librit në Ulqin? Në dijeninë tonë, ai ishte ftuar nga organizatori në hapje të Panairit të Librit në Ulqin, ku i pranishëm ishte presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Edhe pse nuk është një rregull i shkruar, praktika dhe etika diplomatike kërkon që në rastin e vizitës së një presidenti të shtetit tjetër, ai të shoqërohet nga homologu i tij vendas, në këtë rast presidenti Millatoviq.
Prandaj kemi të drejtë të pyesim (kurse lexuesi mund ta marrë edhe si konstatim) nëse presidenti Jakov Millatoviq përdor dy standarde (të ndryshme) kur janë në pyetje Ulqini dhe shqiptarët?!
