Koha javore: Z. Islami, ju keni një përvojë të gjatë në fushën muzikore. Sa vite u bënë që kur nisët ta ushtroni atë dhe si u bë fizarmonika pjesë e këtij rrugëtimi?
N. Islami: Fillimisht më lejoni t’u falënderoj juve, Toni, dhe revistës “Koha javore” për këtë bashkëbisedim.
Unë me muzikë merrem që në fëmijëri, por në skenë u bënë plot 34 vite. Tash, si u bë fizarmonika pjesë e këtij rrugëtimi? Për këtë e kam një histori interesante.
Kur isha 5 vjeç, babin e kisha shumë të sëmurë. I premtoi nënës sime se, nëse do shërohej, do të më blinte një biçikletë, pasi unë doja biçikletë. Deshi Zoti, u bë mirë dhe shkoi që ta mbante premtimin dhe e pa biçikletën në një dyqan, por tha me vete: ‘Do t’i kryej disa punë, pastaj do vij të blej biçikletën’, të merrte autobusin dhe të vinte në shtëpi. Por, kur u kthye, biçikleta nuk ishte më, e kishte blerë dikush, mirëpo në vend të biçikletës ishte një fizarmonikë e vogël. Atë e mori, pasi nuk kishte më kohë se do i ikte autobusi, dhe ky ishte fati im. Mendoj që është një forcë që të udhëheqë drejt fatit. Ishte e shkruar.
Koha javore: Çfarë vendi ka pasur ky instrument në muzikën e Ulqinit dhe në ahengjet shqiptare të asaj kohe, dhe çfarë mund të na tregojë ai për një traditë muzikore që sot brezi i ri mbase nuk e njeh aq mirë?
N. Islami: Në atë kohë, në muzikën tonë të Ulqinit, fizarmonika ishte ndër instrumentet kryesore bashkë me violinën, dajren etj., pasi në atë kohë dominonin instrumentet akustike. Edhe tradita e dasmave tona, marrja e nuses apo edhe dasma bëhej me këto instrumente.
Tash kohët kanë ndryshuar, teknologjia është zhvilluar, kompjuterizimi, gjë që është shumë e mirë, por vetëm nëse përdoret për mirë, duke i ripërtërirë këngët tradicionale, këngët e vjetra, pasi që janë një vlerë dhe pasuri e madhe. Duhet të shfrytëzohet rasti që brezi i ri të hulumtojë vlerat te brezi i vjetër, që të ruhen tekstet e këngëve të vjetra tradicionale dhe muzika e tyre, që mos të vijë një kohë që do t’i kërkosh, por s’do kesh ku t’i marrësh.
Koha javore: Duke pasur përvojë të gjatë në muzikë dhe duke parë disa breza, si ka ndryshuar mënyra e të bërit muzikë, nga koha kur nisët ju deri tek kjo që vazhdoni të interpretoni sot në ahengje dhe dasma?
N. Islami: Ka ndryshuar shumë. Muzika më parë dëgjohej më rrallë, sot je i rrethuar me muzikë nga të gjitha anët: televizor, kompjuter, telefona, rrjete sociale. Muzika e huaj arrin më shpejt te ti, prandaj, duke dëgjuar muzikë të çfarëdo zhanri qoftë ajo, edhe e huaj, vjen dhe i modernizon këngët duke fituar elemente të ndryshme në këngë. Kështu bëhet evoluimi i muzikës, por është shumë e vështirë të ruhet ajo e vjetra, origjinale, pak a shumë.
Koha javore: Keni qenë ndër vite pranë muzikantëve të rinj, duke u dhënë një dorë atyre që sot janë pjesë e skenës. Çfarë ka nënkuptuar për ju kjo mbështetje ndaj tyre?
N. Islami: E kemi borxh, ashtu si unë që kam mësuar nga brezi më i vjetër se unë. Jam munduar që atë çfarë kam mësuar ta përcjell te të rinjtë, aq sa kam pasur mundësi. Sot brezi i ri ka muzikantë të shkëlqyer dhe s’kam çka t’ju mësoj, përkundrazi, por gjithmonë ka diçka më me vlerë tek e vjetra. Kështu që është mirë të përcillet. Brezat shkojnë e vijnë, e ajo që përcillet mbetet.
Koha javore: Ju keni përjetuar vitet kur koncertet mbushnin sallat aq shumë sa përsëriteshin edhe dy herë brenda së njëjtës natë. Si ka ndryshuar raporti i publikut me koncertet dhe muzikën sot?
N. Islami: E vërtetë! Shumë herë më ka ndodhur të mbanim koncertet dy herë, pasi salla ishte e vogël. Atëherë muzika mungonte, rrallë dëgjohej, s’kishte telefona, kompjuterë, rrallë ndonjë emision me këngë në televizor ose radio.
E sot, në çdo hap dëgjon muzikë nëpër lokale, telefona, TV, e prandaj koncertet nuk e kanë efektin e dikurshëm.
Koha javore: Gjatë gjithë këtyre viteve dhe duke qenë ende shumë aktiv në muzikë, keni punuar me shumë këngëtarë të njohur. Çfarë ju kanë sjellë këto bashkëpunime në rrugëtimin tuaj si mjeshtër i fizarmonikës?
N. Islami: Të punosh me këngëtarë të njohur është privilegj, mundësi e mirë, stres dhe sfidë. Po e theksoj stresin, sepse ke frikë se s’do të jesh në nivelin e tyre në skenë, dhe kështu sfidon veten drejt përvojave të reja. Gjithmonë kënaqësi, pasi ke ç’të mësosh nga më të mirët.
Koha javore: A mendoni se muzika tradicionale shqiptare e Ulqinit dhe e trevave përreth po ruhet ende dhe cilat elemente të kësaj tradite mendoni se janë më të rrezikuara?
N. Islami: Mendoj se më të rrezikuara janë këngët e vjetra. Ka edhe persona që i ruajnë, por ata pak muzikantë e këngëtarë që i ruajnë nuk përkrahen nga institucionet që promovojnë ruajtjen e kulturës së një vendi.
Koha javore: Nga gjithë karriera juaj, a mund të na rrëfeni një kujtim nga ahengjet, festivalet apo koncertet që e mbani mend edhe sot?
N. Islami: Të të them të drejtën, janë shumë, duke filluar nga netët pa gjumë, duke bërë muzikë deri në mëngjes, prishja e instrumenteve gjatë dasmës, streset, shakatë me shokë etj. Të gjitha janë momente që s’harrohen!
Koha javore: Sot, pas gjithë kësaj përvoje, çfarë do t’u thoshit të rinjve që duan të ndjekin rrugën e muzikës? Nga mendoni se duhet t’ia nisin dhe çfarë është përcaktuese për një rrugëtim të qëndrueshëm?
N. Islami: Të rinjve që duan të merren me muzikë, ju uroj shëndet, fat, sukses në rrugëtimin e tyre! I këshilloj që të punojnë fort për ëndrrat e tyre, pavarësisht vështirësive. Të dëgjojnë këshillat e më të vjetërve. Të dëgjojnë sa më shumë muzikë që të pasurojnë veshin. Ta ruajnë traditën, këngët dhe muzikën e vjetër dhe të realizojnë qëllimet e tyre në jetë.
Bisedoi: Toni Ujkaj
