Në ambientet e Muzeut Etnografik në Draginë, mbrëmjen e 15 gushtit 2026 u mbajt një veprimtari letrare kushtuar poetit Hajredin Kovaçi, me rastin e 50-vjetorit të krijimtarisë së tij poetike dhe promovimit të librit të ri “Ylli i poetit”, një përzgjedhje prej 131 poezish nga krijimtaria e autorit, përzgjedhje e bërë nga studiuesi i letërsisë Zija Vukaj, i cili është edhe redaktor i librit.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, ndërsa promovimi u moderua nga Vediha Gjoni.
Në emër të botuesit dhe bashkorganizatorit të promovimit përshëndeti kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, i cili theksoi se Kovaçi është një nga themeluesit dhe bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të kësaj shoqate.
“Ku ka më mirë se ta shënosh 50-vjetorin e krijimtarisë letrare me një përzgjedhje poetike?! Në mesin e krijuesve, miqve, shokëve dhe të afërmve! Dhe në një mjedis të tillë! Hajredin Kovaçi është një poet i lindur. Ai jeton me poezinë dhe për poezinë”, u shpreh Kallaba, duke vënë në dukje se poeti e ka përdorur vargun si mjet për të goditur dukuritë negative të shoqërisë, veçanërisht ato që lidhen me realitetin shqiptar.
“Ai i takon atij brezi të krijuesve, të cilët kanë përjetuar burgosjen e fjalës së lirë, prandaj poezinë e përjeton si një shenjë çlirimi, revolte dhe reagimi ndaj padrejtësive dhe absurdeve shoqërore”, tha ai.
Studiuesi Zija Vukaj e cilësoi Hajredin Kovaçin si një poet të vërtetë, të ndjeshëm dhe me kërkesa të larta estetike, por mbi të gjitha si një poet të angazhuar, i cili përmes vargut mban gjallë kujtesën, gjuhën dhe vazhdimësinë e letërsisë shqipe.
“Unë e njoh letërsinë e gjithë Malit të Zi, por e njoh edhe letërsinë e shqiptarëve. Këto takime mua më shijojnë, jo thjesht për ndjenja kombëtare apo nacionaliste, por sepse më shërbejnë për të ruajtur integritetin e një letërsie që ka vazhdimësinë e vet. Kur ndihesh mirë me letërsinë, ndihesh mirë edhe me gjuhën në të cilën ajo prodhohet. Gjuha mbahet gjallë nga letërsia; ajo nuk mbahet gjallë vetëm nga gjuhëtarët. Në fakt, gjuhën e zhvillojnë poetët. Poetët janë maja e zhvillimit të çdo gjuhe. Dhe Hajredin Kovaçi është një poet i vërtetë, një poet i mirëfilltë, që mban mbi vete barrën e gjuhës amtare”, ka thënë ai.
Në fjalën e tij, poeti Argëzon Sulejmani e ka konceptuar 50-vjetorin e krijimtarisë së Kovaçit si një moment për të parë jo vetëm rrugëtimin individual të poetit, por edhe historinë e një treve që ka kaluar periudha të ndryshme shoqërore e politike.
Ai e cilësoi 50-vjetorin e krijimtarisë poetike të Kovaçit si një ngjarje të veçantë për trekëndëshin kulturor Shkodër-Ulqin-Tivar, duke theksuar lidhjen e autorit me vendin, njerëzit dhe kujtesën e kësaj hapësire.
Duke iu referuar figurës së sahatit, ai e lidhi krijimtarinë e Kovaçit me kohën, kujtesën dhe vazhdimësinë.
“Është sahat i yjeve. Është sahat i majave. Është sahat i gurrave. Është sahat i kullave. Është sahat i hajrit. Sahati i një poeti. Sahati dhe Kulla e Hajredin Kovaçit”, tha Sulejmani në përmbyllje të fjalës së tij.
Një tjetër vështrim i veçantë gjatë promovimit ishte ai i Qazim Mujës, i cili u ndal te satira në krijimtarinë e Kovaçit.
“Në poezinë e Hajredin Kovaçit satira nuk është një zbukurim anësor, as një devijim humoristik nga ligjërimi i pastër lirik, por ajo është njëra nga mënyrat më të rëndësishme me të cilat poeti e vështron njeriun e kohës së vet”, tha ai.
Sipas tij, në shumë prej poezive të përfshira në përzgjedhjen “Ylli i poetit”, veçanërisht në ciklin “Në besë të gjarprit”, humori dhe e qeshura shërbejnë për të zbuluar një realitet më të thellë moral, shoqëror e politik.
Muja e krahasoi këtë dimension të poezisë së Kovaçit edhe me tradita të njohura të satirës botërore, duke përmendur Xhonatan Sviftin dhe Bertolt Brehtin, ndërsa në poezinë shqiptare vuri në dukje afërsinë e tij, në aspekte të caktuara, me Dritëro Agollin.
Megjithatë, sipas Mujës, satira e Kovaçit ruan një identitet të vetin, sepse lidhet fort me përvojën personale, kujtesën historike dhe gjuhën e vendlindjes.
Në mbrëmjen kushtuar 50 viteve të krijimtarisë së tij, poeti Hajredin Kovaçi foli për rrugëtimin e tij poetik, për raportin me fjalën, vendlindjen, kujtesën dhe kohën në të cilën ka krijuar.
Për të, ky përvjetor nuk përfaqëson vetëm një numër vitesh, por një rrugëtim jetësor të lidhur ngushtë me poezinë. Përmes vargut ai ka trajtuar dashurinë, vendlindjen, historinë, njeriun, frikën, lirinë dhe problemet e shoqërisë.
D. Teliqi
