Arkivisti i shpirtit qytetar dhe iritmeve të detit

Ismet Karamanaga është arkivisti i shpirtit qytetar, ai që mblodhi copëzat e harruara të jetëve të njerëzve të thjeshtë të Ulqinit. Përmes penës së tij, historitë e heshtura familjare, detare e krijuese, dikur të shpërndara në harresën e kohës, janë shndërruar në dëshmi të gjalla të memories sonë kolektive, në një thesar të pashlyeshëm që çdo studiues i ardhshëm do ta kërkojë e do ta gjejë në faqet e librave të tij

Gazmend Çitaku

Ç’mund të thuhet për Ismet Karamanagën që nuk është thënë ende?
Të flasësh për Ismetin do të thotë të prekësh shpirtin e një adhuruesi të zjarrtë të artit, kulturës dhe traditave detare e qytetare, i cili me përkushtimin e tij të palodhur është shndërruar në një nga zërat më të rëndësishëm të letrave shqipe në Mal të Zi dhe në një kontribuues të paçmueshëm të trashëgimisë sonë shpirtërore e materiale.
Përmes shkrimeve dhe kronikave të tij – të shkruara jo vetëm në gjuhën e tij amë, por edhe në atë malazeze e gjermane – ai u bë me kohë një “ambasador” i vërtetë mediatik i Ulqinit. Falë këtij angazhimi poliglot, zëri i këtij qyteti antik ka mundur të udhëtojë dhe të dëgjohet kudo ku fliten dhe lexohen këto gjuhë.
Në kafenenë “Timoni”, aty ku era e detit përzihet me bisedat e ngrohta, çdo të diel përsëritet një rit i bukur, ngjashëm me një ceremoni të vogël shpirtërore. Aty pi kafen e mëngjesit në shoqërinë e Ismetit, Mustafë Cankës dhe miqve të tjerë të shtrenjtë që vijnë e shkojnë, duke u dhuruar të dielave një kuptim tjetër. Zakonisht, Ismeti është ai që flet më shumë, duke e mbajtur tavolinën gjallë me rrëfimet e tij, por kjo ndodh vetëm derisa të shfaqet vëllai i tij i madh, Dr. Gani. Atëherë pllaka ndryshon, ritmi i fjalës qetësohet dhe biseda kalon te Ganiu. Kështu Ismeti, ngadalë pas kafes, merr drejtimin e detit ku e pret barka dhe i biri, me atë shpresën e vjetër e të pandalur se “gjonja” do të jetë e mbarë.
E njoh Ismetin gjithë jetën time. Rrugët tona u ndërthurën më fort diku rreth viteve 1999-2000, gjatë botimit të gazetës lokale të Ulqinit – “Kronika”, ku ai hodhi në letër artikullin e tij të parë në gjuhën shqipe. Që atëherë, lidhja jonë u bë më e thellë. Përndryshe unë kam pasur nderin të jem redaktor teknik i pothuajse të gjitha librave të tij. Këto faqe librash janë dëshmi e një bashkëpunimi të gjatë, ku shpesh, mes fjalësh e konsultimesh për ngjarje të ndryshme, kemi ndarë copëza nga historia jonë.
Nëse Hajro Ulqinaku mbetet poeti dhe prozatori më i madh i detit, ai që i fali detit shpirtin letrar, nëse Bahri Brisku është mbledhësi i palodhur i trashëgimisë sonë kulturore, nëse Ruzhdi Ushaku ngriti themelet e studimeve serioze për Ulqinin, nëse Mustafë Canka mishëron ndërlidhësin e madh të interkulturalizmit, nëse Fadil Kroma themeloi për përjetësi fondin e librave të vendlindjes, nëse Nail Draga si një penë e palodhur e publicistikës, gjeografisë dhe studimeve albanologjike, ka gdhendur me përkushtim profilin e identitetit, historisë dhe hapësirës shqiptare në Mal të Zi, atëherë Ismet Karamanaga është arkivisti i shpirtit qytetar, ai që mblodhi copëzat e harruara të jetëve të njerëzve të thjeshtë të Ulqinit. Përmes penës së tij, historitë e heshtura familjare, detare e krijuese, dikur të shpërndara në harresën e kohës, janë shndërruar në dëshmi të gjalla të memories sonë kolektive, në një thesar të pashlyeshëm që çdo studiues i ardhshëm do ta kërkojë e do ta gjejë në faqet e librave të tij.

(Vështrimi është lexuar në promovimin e librit “Ulqini florini: Portrete, In Memoriame V” të autorit Ismet Karamanaga, në kuadër të Panairit të Librit në Ulqin, më 6 gusht 2026)

Të fundit

më të lexuarat