Të premten (7 gusht 2026) në Ulqin është hapur zyrtarisht studioja e re e Radio Televizionit të Malit të Zi (RTMZ), një projekt që merr rëndësi të veçantë jo vetëm për qytetin, por edhe për bashkëpunimin mediatik në rajon.
Studioja do të shërbejë si pikë e rëndësishme e raportimit nga Ulqini, ndërsa në të njëjtën hapësirë do të kenë mundësi të punojnë edhe gazetarët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).
Sipas drejtuesve të RTMZ-së, ky model përfaqëson një mundësi të veçantë për bashkëpunimin ndërmjet tre shërbimeve publike mediatike.
Hapja e studios është pjesë e procesit të zgjerimit të rrjetit korrespondent të RTMZ-së në të gjithë territorin e Malit të Zi. Përpara Ulqinit, RTMZ ka hapur studio në Bijello Pole, Nikshiq dhe Tivat. Me hapjen e studios në Ulqin, rrjeti korrespondent i transmetuesit publik zgjerohet edhe në pjesën jugore të vendit.
Projekti i studios rajonale ishte paralajmëruar që në korrik të vitit 2025, kur Komuna e Ulqinit nënshkroi memorandum bashkëpunimi me RTMZ-në, RTK-në dhe RTSH-në. Në atë kohë u bë e ditur se Komuna do të vinte në dispozicion hapësirën, ndërsa investimi për studion do të mbështetej nga RTMZ.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, e ka vlerësuar hapjen e studios si një mundësi për të promovuar më shumë kulturën, traditën, bukuritë dhe potencialet e Ulqinit në rajon dhe më gjerë.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet tre transmetuesve publikë krijon një hapësirë të rëndësishme për lidhjen e njerëzve, institucioneve dhe mediave të vendeve të rajonit.
Edhe përfaqësuesit e RTMZ-së e kanë cilësuar studion si një hap të rëndësishëm në zhvillimin teknologjik dhe profesional të shërbimit publik.
Anëtari i Këshillit të RTMZ-së, Amar Shkrijel, ka theksuar se studioja e Ulqinit është e katërta në kuadër të zgjerimit të rrjetit dhe se veçantia e saj qëndron në faktin se do të përdoret edhe nga transmetuesit publikë të Kosovës dhe Shqipërisë.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, e cila theksoi se studioja në Ulqin përfaqëson më shumë se një hapësirë të re pune.
“Kjo studio është simbol i përkushtimit tonë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet RTK-së, RTMZ-së dhe RTSH-së, shkëmbimit të përvojave dhe avancimit të misionit të transmetuesve publikë në rajonin tonë”, ka deklaruar ajo.
Për Ulqinin, hapja e studios pritet të sjellë një prani më të madhe të mediave publike në jetën e përditshme të qytetit. Ngjarjet lokale, zhvillimet ekonomike, turizmi, kultura, sporti dhe çështjet që prekin komunitetin mund të marrin një pasqyrim më të drejtpërdrejtë në programet e transmetuesve publikë.
Një rëndësi të veçantë ka edhe dimensioni gjuhësor dhe kulturor i projektit. Ulqini, si një qytet me karakter shumëgjuhësh dhe me lidhje të forta me Shqipërinë dhe Kosovën, përbën një pikë të natyrshme bashkëpunimi ndërmjet tri hapësirave mediatike.
Në këtë kuadër, studioja e re nuk shihet vetëm si një hapësirë pune për gazetarët, por edhe si një urë bashkëpunimi ndërmjet Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë, duke krijuar mundësi për shkëmbim të informacionit, përmbajtjeve dhe përvojave profesionale.
D. Teliqi
