
Si ish i punësuar në Komunën e Ulqinit, kurse tani pensionist, konstatoi se ish-nëpunësi i Komunës së Ulqinit, Sabri Halili, është në të drejtën e Zotit pasi tashmë dihet që punonjësve të kësaj komune nuk u janë paguar kontributet dhe ata nuk arrijnë t’i marrin pensionet e plota.
Sipas informacionit që disponojmë, Komuna e Ulqinit nuk i ka shlyer detyrimet për kontribute duke filluar nga viti 2013. Por këtu duhet nënvizuar fakti se për këtë faji është i shumëfishtë, pra edhe i vetë Qeverisë së Malit të Zi e cila i ka lejuar kryetarët e Komunës së Ulqinit pas vitit 2013 që t’i paguajnë pagat pa i paguar kontributet, që në vetvete përbën shkelje ligjore.
Bëhet fjalë për kohën kur në pushtetin lokal në Komunën e Ulqinit, pas kryetarëve Mehmet Bardhi, Skender Hoxha, Osman Rexha, Fuad Nimani dhe Gzim Hajdinaga, erdhi opozita “famëmadhe shqiptare” – Forca e Re Demokratike me kryetarin e saj Nazif Cungu, në fillim të gjithë biznesmenë të grumbulluar rreth shoqatës Ulqin Biznes Asociacioni. Kur kjo forcë politike erdhi në pushtet, pushteti qendror filloi ta lejojë të paguante paga pa kontribute. Kjo praktikë e keqe vazhdoi deri në ardhjen në pushtet të kryeministrit Millojko Spajiq, i cili e ndërpreu këtë praktikë. Por tani kanë filluar të ndihen pasojat ekonomike për të cilat ka folur z. Halili në letrën e hapur.
Për më tepër, koha ka filluar të dëshmojë se mospagesa e kontributeve nuk ishte i vetmi keqpërdorim i Forcës, nënkupto i Cungut, që fatkeqësisht po vazhdon edhe nga kryetari aktual i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, po nga kjo parti, por në një metodë më të sofistifikuar për çka nevojitet një analizë më e veçantë në kuptimin që sërish vazhdon e njëjta gjë!
Mendoj se Cungu i zhgënjeu të gjithë ata të cilët mendonin se njerëzit e biznesit nuk do të bënin keqpërdorime dhe se do të favorizonin meritokracinë. Mirëpo, ndodhi e kundërta, nga ku duhet përmendur që në fillim praktikën e re të tij, që në kundërshtim me normat tjera ligjore që i mbrojnë punëtorët, ai u kujtua dhe i uli pagat e punëtorëve të Komunës së Ulqinit për 20 për qind, megjithëse rritja ishte planifikuar me buxhet. Ky veprim i tij përbën shkelje të rëndë ligjore, sepse ne nuk ishim punëtorë të firmës së tij Cungu Company. Sepse, nëse pagat ishin të miratuara në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, atëherë buxheti i miratuar është ligj dhe nuk mund të preket në pagat e punëtorëve, jo për 20 për qind, por as për një për qind, pa treguar ndryshimin me ribalancin e buxhetit se ku planifikonte t’i shpenzonte paratë e planifikuara për paga.
Këtë e bëri për të punësuar njerëz të Forcës së Re Demokratike dhe familjarë të anëtarëve të partisë, gjë që nuk ka guxuar ta bëjë, sepse nuk ishte i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, siç ishte Gzim Hajdinaga, i cili e kishte fituar më herët në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Ulqinit. Për pasojë, të gjithë të punësuarit në Komunën e Ulqinit, me përjashtim të ish-kryeadministratorit Jakup Murati, i cili vinte nga radhët e Forcës, përmes Sindikatës së punëtorëve të Komunës bënë ankesë kolektive përmes Sindikatës shtetërore.
Po çfarë ka ndodhur që nga ajo kohë?!
Mua më duket se edhe Sindikata e punëtorëve të Komunës, përveç disa shkresave, sikur iu nënshtrua shantazhit të administratës vendore dhe vendosi të na vetëtradhtojë të gjithëve, bashkë me Sabriun. Dhe tash unë lirisht konstatoj se fajin nuk e ka tradhtia më shumë se vetëtradhtia e Sindikatës komunale!
Sabriu mori guximin që të flasë për rastin dhe unë vetëm se po e përkrahi.
Për këtë që ndodhi dua të shtoj se në një shkrim të gazetës Vijesti, më 14 gusht 2020, shkruan se duket që çështja e pagesës së kontributeve është tejet e komplikuar, sepse pikërisht në këtë kohë Nazif Cungut si kryetar i Komunës së Ulqinit, i ra të vjelë edhe një kredi prej 5 milionë eurosh nga Qeveria e Malit Zi për të shlyer kontributet e punëtorëve të Komunës dhe sektorit publik.
Për të mos u zgjatur, po citojmë artikullin e gazetës “Vijesti” lidhur me këtë çështje, ku ndër të tjera shkruan:
“Inspektorët e policisë për krim ekonomik po verifikojnë nëse Komuna e Ulqinit në fillim të këtij viti ka shpenzuar në mënyrë të papërshtatshme 900 000 eurot e fituara nga shitja e tokës në Ranë, që është konfirmuar për gazetën ‘Vijesti’ nga disa burime. Sipas burimeve të tilla, lidhur me këtë çështje, në polici janë ftuar për bisedë disa persona, mes tyre edhe disa këshilltarë të Kuvendit të Komunës të Ulqinit. Hetimi ende ka karakter joformal, prandaj nuk ekzistojnë procesverbale të marrjes në pyetje. Bëhet fjalë për verifikime paraprake”, ka deklaruar për “Vijesti” një burim nga hetimet. “Inspektorët dyshojnë se këto para Komuna i ka shpenzuar për pagat e punonjësve dhe për shpenzime tjera operative, në vend që t’i përdorte për ndërtimin e dy sallave të kinemasë, siç është përcaktuar në vendimin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit”.
Ky vlerësim i gazetës është, si duket, me porosi, pra spekulim i vendimit të Kuvendit ngase në vendimin e tij thuhet qartë se dy kinematë – në Ulqin dhe Anë të Malit – vendosen si hipotekë për vjeljen e kredisë prej pesë milionë eurosh, të marrë prej kryetarit Cungu nga Qeveria e Malit të Zi për të shlyer pagat borxh së bashku me kontribute të të punësuarve në Komunën e Ulqinit dhe në sektorin publik, ku bëjnë pjesë punëtorët e Komunës, Qendrës së Kulturës etj.
Kujtojmë se si plani i sanimit nënkuptonte që Komuna e Ulqinit hiqte dorë nga e drejta e punësimit të punëtorëve sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe se komunat tjera nuk kishin pranuar kredi me kushte të tilla, për të cilën garant do të ishte Qeveria e Malit të Zi. Andaj mospenalizimi i pushtetit lokal të Ulqinit në këtë rast duke ia falur kredinë Qeveria do të ishte diskriminues për komunat tjera në Mal të Zi, të cilat kuptohet se nuk nënshkruan marrëveshje që kontraktoi Cungu, e që me sa duket e nënshkroi Gjeka.
Pra, në emër të kontributeve të punëtorëve të pushtetit lokal, sot konstatohet se Komuna e Ulqinit plaçkiti 5 milionë euro kredi nga plani i sanimit, për ç’gjë kemi shkruar më herët në “Koha javore”, plus 900 mijë euro nga shitja e tokës në Ranë.
E nëse paratë nga shitja e tokës në Ranë nuk patën nevojë të shpenzohen për planin e sanimit, sepse u mor kredia nga Qeveria, atëherë pyesim: në cilën llogari bankare qëndrojnë paratë e personit fizik nga Kosova, pasi paratë e privatit me ligj nuk guxojnë të ruhen në llogarinë bankare të Komunës?!
Nga ana tjetër, mësohet se vetë truallin e kinemasë së dikurshme të qytetit – pa dijeninë e Kuvendit, e ka tashmë në pronësi një person privat – avokat nga veriu i vendit!
Prandaj e vlerësoi si veprim të rëndësishëm reagimin e Sabri Halilit, i cili i është drejtuar edhe mbrojtësit të pasurisë së Komunës së Ulqinit.
Por këto nuk janë të vetmet diskriminime partiake e klanore të bëra në administratën lokale të Ulqinit nga militantët partiakë. Si ish-nëpunës i Komunës së Ulqinit, flas nga përvoja se si militantëve partiakë, deri te kryetari i parafundit, kryeshefat militantë familjarëve të vet për dekada ua llogarisnin edhe nga 40 orë pune shtesë në muaj, që do të thotë se kjo kategori edhe pensionet i kanë ose do t’i kenë më të majme. Të mos flasim se si edhe koeficientët e zyrtarëve dhe nëpunësve lokalë, mbi bazën e të cilëve përllogaritet paga, nuk ishin të njëjtë për personat me përgatitje të njëjtë shkollore, siç do të duhej të ishte sipas ligjit! Kështu ndodhte që një person me shkollë të lartë të barazohej me një tjetër që kishte kryer fakultetin. Për këto lloj abuzimesh kemi bërë kallëzime në nivele të ndryshme, edhe në zyrat e institucioneve ndërkombëtare, dhe efektet pozitive po i shoh sidomos kohës së fundit.
