
Politika, në thelb, është arti i së mundshmes. Ajo është gjuha e kompromisit, e vizionit dhe e përgjegjësisë, hapësira ku idetë lindin, zhvillohen, përplasen, realizohen ose mbeten peng i rrethanave.
Në shoqëritë demokratike, politika matet me aftësinë për t’i shërbyer interesit publik, ndërsa në shoqëritë e vogla, si ajo shqiptare në Mal të Zi, ajo matet edhe me aftësinë për të ruajtur identitetin, dinjitetin dhe perspektivën e një kombi. Historia politike e shqiptarëve në Malin e Zi, veçanërisht pas referendumit për pavarësinë e vitit 2006, përmban mjaft mësime. Pavarësia e Malit të Zi nuk do të kishte të njëjtën peshë pa votën vendimtare të pakicave, ndër to edhe të shqiptarëve, të cilët u rreshtuan qartë në mbështetje të shtetit të ri. Ishte një zgjedhje politike e mbështetur jo vetëm mbi interesin e momentit, por edhe mbi bindjen se një Mal i Zi i pavarur do të krijonte kushte më të favorshme për avancimin e të drejtave të pakicave.
Megjithatë, shqiptarët hynë në këtë proces të përçarë politikisht. Ata nuk kishin një zë unik, një platformë të përbashkët dhe as një përfaqësim të unifikuar. Veçanërisht në Malësi, përplasjet politike mes shqiptarëve shpesh e zbehën rëndësinë e momentit historik, por e shkërmoqën edhe rëndësinë jetike të votës shqiptare.
Vetë termi pakicë, që përdorim sot, u caktua në Kushtetutën e re të Malit të Zi që po pavarësohej. Në vend se politikëbërësit në Mal të Zi të përqendroheshin rreth përcaktimit të fatit të vet kushtetues, duke u regjistruar si pakicë autoktone, te të drejtat e veta jetike, politike, ata vazhduan me bajraktarizmin e vet. Ndërkohë, politika shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e atëhershme bënte thirrje që shqiptarët ta mbështesnin pavarësinë e Malit të Zi, duke e konsideruar atë si një zhvillim me rëndësi strategjike për gjithë rajonin, por pa ndonjë kërkesë specifike për bashkëkombësit e vet, ndaj të cilëve i obligon edhe vetë Kushtetuta.
Sot, me distancën që krijon koha, lind pyetja nëse shqiptarët u trajtuan si partnerë të barabartë apo si një mjet i domosdoshëm për arritjen e një qëllimi politik. Shumë zhvillime të mëvonshme kanë ushqyer bindjen se mbështetja e tyre nuk u shpërblye në përputhje me kontributin që dhanë. Kjo përvojë është e njohur nga shqiptarët, të cilët në disa situata vendimtare kanë vepruar në sinkron me fqinjët e tyre, por nuk kanë pasur vizion që t’i formojnë idetë e veta të qarta e t’i mbrojnë ato, por vazhdimisht janë gjetur “të prerë në Besë”. As në pavarësimin e Malit të Zi, në politikën moderne të shtetit tonë, nuk pati përjashtime.
Një nga ngjarjet më të rënda që la gjurmë në kujtesën kolektive ishte aksioni policor i njohur si “Fluturimi i Shqiponjës”, i zhvilluar vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë. Për një pjesë të madhe të shqiptarëve, kjo ngjarje u perceptua si një paradoks i dhimbshëm: qytetarët me kombësi shqiptare që kishin dhënë një kontribut të rëndësishëm për pavarësinë e shtetit u përballën me një operacion që u përjetua si goditje ndaj besimit të krijuar. Nga ana tjetër, edhe shqiptarët që mbështetën vazhdimisht Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) mbetën shpesh të zhgënjyer. Për vite me radhë u kultivua bindja se Malësia nuk mund të funksiononte si komunë e pavarur, se zhvillimi i saj ishte i pamundur pa varësinë administrative nga Podgorica dhe se çdo kërkesë për vetëqeverisje ishte e parealizueshme. Si pasojë, investimet në Malësi mbetën të kufizuara dhe, në shumë raste, më tepër simbolike sesa zhvillimore.
Akoma më keq Ulqini, i cili edhe pse ishte komunë më vete, investimet atje ishin dhe vazhdojnë të jenë edhe sot, shumë shumë të vogla. Përveç kësaj, edhe pse partitë shqiptare nuk e kishin nevojën e partisë së Gjukanoviqit, përçarja bajraktareske e shqiptarëve vazhdonte në elegancën e vet vetëshkatërruese. Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore shpesh krijonte përshtypjen e një përfshirjeje formale, pa ndikim të vërtetë në vendimmarrje.
Megjithatë, do të ishte e padrejtë që e gjithë përgjegjësia t’i atribuohej vetëm pushtetit të atëhershëm. Edhe faktori politik shqiptar mbart pjesën e vet të përgjegjësisë. Për shumë vite, skena politike shqiptare u karakterizua nga fragmentarizmi, rivalitetet personale dhe krijimi i vazhdueshëm i subjekteve të reja politike. Në vend të bashkimit rreth interesave kombëtare dhe lokale, energjia shpesh shpenzohej në përplasje të brendshme, akuza reciproke dhe gara për një elektorat gjithnjë e më të vogël.
Pamjet e zgjedhjeve të atyre viteve mbeten simbolike: disa parti shqiptare garonin për disa qindra vota, ndërsa në debatet televizive përfaqësoheshin nga një numër disproporcional “liderësh”, secili duke pretenduar se përfaqësonte interesin kombëtar. Në një komunitet me rreth tridhjetë mijë banorë, kjo përçarje e vazhdueshme dobësonte fuqinë politike të shqiptarëve dhe ua lehtësonte të tjerëve kontrollin mbi proceset vendimmarrëse.
Prandaj, është e vështirë t’i vihet faji votuesit shqiptar. Ai u gjend mes një sistemi politik që, nga njëra anë, dinte të shfrytëzonte përçarjet, ndërsa nga ana tjetër përballej me një klasë politike shqiptare që rrallëherë arrinte të ndërtonte një front të përbashkët. Në një situatë të tillë, qytetari mbetej spektator i vendimeve që merreshin larg interesave të tij. Ndërkohë, Malësia, Ulqini, Kraja, Ana e Malit e në veçanti shqiptarët në Rozhajë, Plavë e Guci, përballeshin me dy plagë të mëdha: emigrimin dhe stagnimin ekonomik. Mungesa e perspektivës bëri që qindra familje të largoheshin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera perëndimore. Me kalimin e viteve, shumë shtëpi mbetën të boshatisura, fshatra të tëra humbën banorët e tyre, ndërsa disa shkolla u mbyllën për shkak të rënies së numrit të nxënësve. Në të njëjtën kohë, përçarja politike u thellua edhe më shumë.
Në debatet publike filluan të përdoren elemente që tradicionalisht nuk i kishin ndarë shqiptarët e Malësisë, përfshirë edhe përkatësinë fetare. Një komunitet që historikisht ishte krenuar me vëllazërinë e vet kombëtare që nuk pranonte ta quante tolerancë, rrezikonte të ndahej për interesa të ngushta politike.
Paralelisht me këto zhvillime, nisi të bëhej gjithnjë e më i dukshëm edhe një proces tjetër: ndryshimi gradual i strukturës demografike përmes shitjes së tokave në zonat më të ndjeshme të Malësisë. Ndërsa çdo javë përcilleshin lajme për familje që emigronin, prona të shumta kalonin në duar të reja. Kjo krijoi shqetësime të shumta për të ardhmen e identitetit shqiptar në këtë trevë dhe ngriti pyetje serioze mbi mënyrën se si duhet të mbrohet trashëgimia historike, kulturore dhe territoriale e Malësisë.
Pavarësisht përçarjeve dhe vështirësive të shumta, ndër shqiptarët në Mal të Zi nuk munguan përpjekjet për të ndërtuar një front të përbashkët politik. Ishte një proces i gjatë, i vështirë dhe shpeshherë i mbushur me mosbesim, por me kalimin e viteve u kuptua se asnjë subjekt politik shqiptar, i vetëm, nuk e kishte fuqinë për të përfaqësuar denjësisht interesat kombëtare dhe lokale. Nga një palë zgjedhje te tjetra, partitë shqiptare nisën të afrohen, të krijojnë koalicione dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi. Çdo marrëveshje e re ishte një hap drejt bindjes se uniteti nuk ishte vetëm një slogan politik, por një domosdoshmëri për mbijetesën dhe zhvillimin e Malësisë. Ky rrugëtim u kurorëzua me një nga arritjet më të rëndësishme politike të shqiptarëve në Mal të Zi: krijimin e Komunës së Tuzit. Ky sukses nuk ishte rezultat i një vendimi të rastësishëm politik, por fryt i dekadave të angazhimit të shumë individëve, aktivistëve, intelektualëve dhe veprimtarëve, si edhe i kontributit të jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare. Për vite me radhë, bashkatdhetarët tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera kontribuuan me mjete financiare, me angazhim politik, me lobim dhe me mbështetje morale për kauzën e vetëqeverisjes lokale. Ata nuk investuan vetëm para, por edhe kohë, energji dhe besim se Malësia meritonte të qeverisej nga vetë qytetarët e saj.
Kulmi i këtij procesi erdhi në vitin 2019. Pas gati dy dekadash përpjekjesh për bashkim, shqiptarët arritën të paraqiten para qytetarëve me një listë të përbashkët zgjedhore. Për herë të parë, vota shqiptare nuk u shpërnda në shumë drejtime, por u përqendrua rreth një projekti të vetëm politik. Rezultati ishte historik. Jo vetëm që u fitua besimi i qytetarëve, por u dëshmua se uniteti politik mund të shndërrohej në një forcë reale qeverisëse. Ajo që për vite ishte konsideruar e pamundur, u bë realitet. Malësia fitoi një drejtim të ri dhe një besim të ri në vetvete.
Ndryshimet filluan të ndiheshin shpejt. Pas shumë dekadash pritjeje, investimet publike morën një ritëm të ri. U ndërtuan dhe u rikonstruktuan rrugë lokale, u asfaltuan rrugë fushore dhe malore, u investua në ujësjellës, në arsimin parauniversitar, në infrastrukturën sportive, në hapësirat publike dhe në objektet administrative të komunës. Njëkohësisht, nisi të krijohej një klimë më e favorshme për zhvillimin ekonomik. Biznese të reja u hapën, investitorët filluan ta shihnin Malësinë me më shumë interes dhe administrata lokale fitoi një rol më aktiv në planifikimin e zhvillimit të komunës.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme ishte edhe ai psikologjik. Për herë të parë pas shumë vitesh, qytetarët filluan të ndienin se vendimet për Malësinë merreshin në Malësi. Kjo krijoi një ndjenjë përgjegjësie, por edhe krenarie qytetare.
Në të njëjtën kohë ndryshoi edhe pozicioni politik i shqiptarëve në nivel shtetëror. Barra e mbajtjes në pushtet të një partie të vetme nuk ishte më prioriteti kryesor politik. Përfaqësuesit shqiptarë filluan ta vendosnin theksin te realizimi i interesave të shqiptarëve dhe te vazhdimi i rrugës euroatlantike të Malit të Zi. Ky ndryshim ndikoi pozitivisht edhe në komunat e tjera me shumicë shqiptare. Fryma e bashkëpunimit u reflektua në Ulqin, në Plavë dhe në Guci, duke dëshmuar se bashkimi nuk ishte vetëm interes lokal, por një model politik që mund të sillte rezultate në të gjitha trevat shqiptare të Malit të Zi.
Është krejt e kuptueshme që politika kërkon shumë kompromise të cilat shpeshherë nuk janë zgjidhjet që i kemi menduar, mirëpo nëse këto kompromise i bëjmë për të mbajtur balanca e për të mira më madhore, për të mira kolektive, politikëbërësit në Mal të Zi do të ishte më se e nevojshme të bisedonin për një kompromis i cili do të shkonte në të mirë të shqiptarëve që jetojnë brenda shtetit të vet të Malit të Zi, duke krijuar një platformë të përbashkët, për të mbrojtur interesat politike, kulturore, gjuhësore, ekonomike dhe assesi të fesë, sepse fetë tona mbrohen nga institucionet relevante, nga kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Jemi në metrat e fundit para hyrjes në familjen e madhe së cilës i përkasim, atë të Bashkimit Evropian, pra është një mundësi historike për të përmirësuar gabimet tona përçarëse shekullore. Ky moment duhet shfrytëzuar që politikëbërësit shqiptarë të ulen dhe të unifikohen, për hir të interesave të shqiptarëve në Mal të Zi, të cilët rrugëtimin evropian e kanë aq për zemër, duke forcuar zërin shqiptar para institucioneve të BE-së, si komb që pret me shekuj të rikthehet në gjirin e familjes së vet kulturore.
Uroj që kësaj here, politikëbërësit shqiptarë ta kapin momentin, të kthejnë dinjitetin historik kulturor të shqiptarit, të Ulqinit, të Tivarit, të Podgoricës, të Rozhajës, të Plavës, të Gucisë, të Krajës, të Anës së Malit e të Malësisë. Po e përfundoj me shembullin më të shenjtë që na ka dhuruar historia jonë kombëtare e që quhet “Besëlidhja e Lezhës”.
Zoti krijon mundësi, njeriu duhet t’i shfrytëzojë ato për të mirë!
