Realiteti (që) përgënjeshtron politikën zyrtare

Përtej këtij ligjërimi diplomatik dhe propagandistik, një realitet tjetër shfaqet në jetën e përditshme. Ky realitet të cilin e përjetojnë qytetarët e thjeshtë përgënjeshtron politikën zyrtare dhe propagandën e zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe malazezë, si dhe të atyre të Bashkimit Evropian

Ismet Kallaba

Mali i Zi dhe Shqipëria kanë përparuar në procesin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Javën e kaluar Mali i Zi ka mbyllur formalisht edhe dy kapituj, duke e çuar në 18 numrin e kapitujve negociues të mbyllur përkohësisht nga 33 gjithsej, ndërsa Shqipëria ka mbyllur tre kapitujt e parë. Kjo ngjarje, e cilësuar si “super e marta”, u proklamua si një sukses i madh nga të dy shtetet, por edhe nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian. Po t’u referohesh (besosh) këtyre deklaratave zyrtare, fitohet përshtypja se jemi afër anëtarësimit në BE dhe sikur me hyrjen në BE do t’i zgjidhim të gjitha problemet!
Por përtej këtij ligjërimi diplomatik dhe propagandistik, një realitet tjetër shfaqet në jetën e përditshme. Ky realitet të cilin e përjetojnë qytetarët e thjeshtë përgënjeshtron politikën zyrtare dhe propagandën e zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe malazezë, si dhe të atyre të Bashkimit Evropian.
Pasqyra më e mirë e “evropianizimit” të dy vendeve është vendkalimi i përbashkët kufitar Sukubinë-Muriqan, i cili është shndërruar në një makth të vërtetë për të gjithë ata që kalojnë nëpërmjet tij. Ky ndoshta është vendkalimi kufitar që funksionon më së keqi në rajon, nëse merret parasysh kohëzgjatja e pritjes së udhëtarëve. Edhe pse zyrtarsht ky vendkalim është i pari i përbashkët në rajon, ai që prej fillimit nuk funksionon si i tillë! Pse duhet të ketë kontrolle nga të dyja palët në një vendkalim të përbashkët kufitar?!
Për ironi apo absurd, ky vendkalim i përbashkët kufitar është ndërtuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por ai vazhdon të jetë një vendkalim kufitar që vetëm “evropian” nuk është!
Radhët e gjata janë pjesë e përditshmërisë, sidomos gjatë muajve të verës. Kjo është pasqyra më e mirë e mënyrës së funksionimit të kësaj pike kufitare. Duhet ta konsiderosh veten me fat nëse kalon për më pak se gjysmë ore, por jo rrallë ndodh që të duhen edhe më shumë se një orë, ndonjëherë edhe dy orë. Për më keq, pritja është shndërruar në normalitet saqë askush nuk e llogarit kohën e humbur duke pritur! Bile mund të thuhet se nga viti në vit është përkeqësuar qarkullimi në këtë pikë kufitare për shkak edhe të rritjes së numrit të pasagjerëve dhe automjeteve.
Pasojat më të mëdha i përjetojnë punëtorët e krahut, të cilët e kalojnë çdo ditë këtë vendkalim kufitar për të shkuar në punë. Për shkak të vonesave dhe pritjeve të shumta, disa kanë gjetur “zgjidhje” duke pasur dy automjete: njërin në njërën anë të kufirit, kurse tjetrin në anën tjetër të kufirit.
Problem më vete përbën kalimi gjatë sezonit të verës për shkak të fluksit në rritje të udhëtarëve, i cili rritet disafish. Në këtë mënyrë, funksionimi i këtij vendkalimi kufitar është bërë pengesë edhe për zhvillimin e turizmit. Mu për shkak të shmangies së peripecive kufitare, një pjesë e turistëve, kryesisht nga Kosova, zgjedhin t’i kalojnë pushimet në bregdetin e Shqipërisë dhe jo në Ulqin apo në ndonjë vend tjetër në Mal të Zi.
Edhe pse për çdo vit, zakonisht para sezonit turistik, flitet për këtë problematikë, deri tani nuk është bërë pothuajse asgjë në gjetjen e një zgjidhjeje për lehtësimin e qarkullimit të udhëtarëve.
Është e vërtetë se raportet ndërmjet dy vendeve janë të mira. Mali i Zi dhe Shqipëria kanë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi me njëri-tjetrin, qeveritë e dy vendeve kanë zhvilluar edhe mbledhje të përbashkëta ndërqeveritare, por e gjithë kjo ka ndikuar fare pak ose aspak në jetën e përditshme të qytetarëve.
Duke marrë parasysh se lëvizja ose qarkullimi i lirë është një nga të drejtat themelore të njeriut, diskriminimi i udhëtarëve (pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë) për shkak të keqfunksionimit të vendkalimit të përbashkët kufitar Sukubinë-Muriqan, apo vendkalimeve tjera kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, është i patolerueshëm. Për këtë arsye, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë nevojë që para se të integrohen në Bashkimin Evropian t’i heqin barrierat administrative ndërshtetërore që janë pengesë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të tyre.

Të fundit

më të lexuarat