Kur papritmas humbet një person i rëndësishëm dhe me vlerë e virtyte të larta njerëzore, fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen. Por për të afërmit dhe më gjerë, ndjehet edhe mirënjohja e thellë, e sinqertë dhe e pamohueshme që patën fatin ta kishin pranë vetes.
Kështu, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së premte, më 12 qershor 2026, anekënd trojeve shqiptare, e në veçanti në Fushë Krujë të Shqipërisë dhe Vuthaj të komunës së Gucisë, si vetëtima u përhap lajmi se në Klinikën “San Francisko” në Bergamo të Italisë, pas një beteje të gjatë dhe të vështirë me sëmundjen e rëndë ka ndërruar jetë Arben (Azem) Ulaj, në moshën 65-vjeçare.
Ai ka lindur më 21 shkurt të vitit 1961 në Fushë Krujë të Shqipërisë. Ishte i biri i Azem Bekës Ulaj, i cili në fund vitet ‘50 të shekullit te kaluar, për shkaqe të rrjedhave të atëhershme politike me disa bashkëvendës vuthjanë të komunës së atëhershme të Plavës kishte braktisur vendlindjen dhe kishte dalë në Shqipëri.
Arbeni ishte i pari nga pesë fëmijët e familjes së Azem Bekë Ulajt. Që në moshë të re mori mbi supe përgjegjësi të madhe dhe u bë një mbështetje e fortë për prindërit. Me punë, përkushtim dhe dashuri, ai kontribuoi në rritjen dhe mirëqenien e familjes. Ai nuk ishte vetëm vëllai i madh. Ishte shembull udhërrëfyes dhe njeriu tek i cili mund të mbështeteshe gjithmonë.
Që i ri u dallua për seriozitetin dhe vullnetin e tij. Ishte nxënës dhe student i shkëlqyer, dhe më pas ndërtoi një karrierë të respektuar në shërbim të komunitetit. Punoi si mësues, funksionar komunal, drejtor në ministri dhe oficer i antikontrabandës, duke e ushtruar çdo detyrë me ndershmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi.
Sporti ishte një nga pasionet e mëdha të jetës së tij. Me talent dhe përkushtim, ai u bë kapiten i ekipit të volejbollit “Kastrioti” në Serinë A. Në fushë, ashtu si në jetë, ishte një njeri që dinte t’i bashkonte njerëzit dhe të udhëhiqte me qetësi e vendosmëri.
Arbeni e donte gjithashtu muzikën dhe luante kitarën me pasion. Mori pjesë në jetën kulturore të qytetit të tij dhe ishte gjithmonë aktiv, krijues dhe i gatshëm të ndante talentet e tij me të tjerët.
Një nga cilësitë më të bukura të Arbenit ishte dëshira për të ndihmuar njerëzit. Gjatë viteve të punës së tij në administratën publike, ai mbështeti shumë familje në nevojë dhe kontribuoi për të përmirësuar jetën e shumë qytetarëve. Ai e konsideronte detyrën jo si privilegj, por si shërbim ndaj të tjerëve. Për këtë arsye fitoi respektin dhe vlerësimin e shumë njerëzve, jo vetëm për atë që bënte, por për mënyrën se si e bënte, me korrektësi, ndershmëri dhe zemërgjerësi.
Edhe në jetën publike dhe politike, Arben A. Ulaj dha kontributin e tij me përgjegjësi dhe përkushtim, duke u përpjekur gjithmonë të sillte diçka pozitive për komunitetin e tij. Por mbi të gjitha, Arbeni ishte njeri i familjes. Ai ishte një bashkëshort i përkushtuar dhe një baba i jashtëzakonshëm. Dashuria për djalin e tij të adhuruar, Rejkardin, ishte një nga gëzimet dhe krenaritë më të mëdha të jetës së tij. Familja ishte qendra e botës së tij.
Sëmundja e rëndë dhe e gjatë, në Klinikën “San Francisko” të Bergamos së Italisë e mundoi, rraskapiti dhe e ndau nga jeta. Ai e përballoi çdo ditë të kësaj sfide me dinjitet, forcë dhe kurajë. Edhe në momentet më të vështira mbeti i njëjti njeri i mirë, i qetë dhe i përkujdesshëm për të gjithë ata që e kanë njohur.
Nuk është rastësi që Arbeni ishte i dashur nga kaq shumë njerëz. E vlerësonin mjekët dhe infermierët që u kujdesën për të, miqtë, fqinjët, kolegët dhe gjithë ata që patën fatin ta njohin. Kushdo që e takonte, gjente tek ai mirësi, respekt dhe gatishmëri për të ndihmuar.
Arben Azem Ulaj u varros me nderimet më të larta në varrezat e Tiranës, në praninë e një numri të madh njerëzish nga vise të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, e në veçanti Fushë Kruja, nga Vuthajt e vendlindjes së babait të tij, por edhe nga vendbanimet tjera shqiptare të trevës së Plavë- Gucisë.
Të afërmit e tij duan të kujtojnë jetën e tij, të mirën që bëri, shembullin që la pas. Dashurinë që u dha njerëzve dhe vlerat që ua mësoi me veprat e tij. Ata me dhimbje e mallëngjim u shprehën se ia dhanë lamtumirën e fundit një vëllai, një bashkëshorti, një babai dhe një miku të dashur. Por ata nuk duan të kujtojnë vetëm dhimbjen e largimit të tij të përmotshëm.
Arben i nderuar dhe i dashur, pusho i qetë në shtëpinë tënde të përmotshme në varrezat e kryeqendrës së Shqipërisë! Të qoftë i lehtë dheu mbi varrin tënd!
Shaban Hasangjekaj
