Ulqini edhe këtë verë pa transport publik?

Dafina Teliqi

Nga premtimet në sallën e Kuvendit deri te realiteti në rrugët e qytetit, diferenca është e madhe.
Kur u diskutua dhe u votua themelimi i ndërmarrjes që do të merrej me transportin publik, qytetarëve iu dha përshtypja se Ulqini po hynte në një fazë të re të zhvillimit urban. U fol për përmirësimin e shërbimeve, për zgjidhjen e kaosit në trafik dhe për një qytet më funksional. Sot, në kulmin e sezonit turistik, asgjë nga këto nuk shihet në terren. Autobusët nuk qarkullojnë. Transporti publik nuk ekziston. Ndërsa kolonat e automjeteve janë bërë simboli i përditshëm i Ulqinit.
Paradoksi është i dukshëm. Një qytet që çdo vit pret dhjetëra mijëra turistë, ende nuk është në gjendje të ofrojë një shërbim bazë që e kanë edhe qytete shumë më të vogla në rajon. Turistët lëvizin me automjete private, taksi ose në këmbë. Banorët përballen me të njëjtin problem çdo ditë. Punëtorët sezonalë, të rinjtë, të moshuarit dhe ata që nuk kanë makinë mbeten pa alternativë.
Atëherë, për çfarë u votua?
Nëse vendimet janë marrë, pse nuk janë zbatuar? Nëse ndërmarrja është krijuar, ku është plani i punës? Ku janë autobusët? Ku janë linjat? Ku janë oraret? Dhe mbi të gjitha, pse qytetarët nuk informohen se në çfarë faze ndodhet projekti?
Një administratë serioze nuk matet me numrin e vendimeve që miraton, por me rezultatet që qytetarët shohin në jetën e përditshme.
Transporti publik nuk është luks. Është pjesë e infrastrukturës bazë të një qyteti modern. Ai ndikon drejtpërdrejt në uljen e trafikut, në mbrojtjen e mjedisit, në sigurinë rrugore dhe në cilësinë e jetës. Për një qytet turistik si Ulqini, ai është edhe pjesë e ofertës turistike.
Çdo verë dëgjojmë të njëjtat ankesa: mungesë parkimi, bllokim rrugësh, pritje të gjata, ndotje dhe kaos në qarkullim. Megjithatë, zgjidhja më logjike – një transport publik funksional vazhdon të mungojë.
Është e vështirë të flitet për zhvillim të qëndrueshëm, turizëm cilësor apo standarde evropiane, kur qyteti nuk ka asnjë linjë të rregullt autobusi që e lidh qendrën me Plazhin e Madh, Shtojin, Pinjeshin, Limanin apo zonat tjera turistike.
Qytetarët nuk kanë më nevojë për konferenca shtypi, premtime apo njoftime optimiste. Ata kanë nevojë për rezultate. Për autobusë që qarkullojnë. Për orare të afishuara. Për stacione funksionale. Për një shërbim që iu shërben atyre dhe mijëra vizitorëve që zgjedhin Ulqinin.
Nëse ky projekt është vonuar, publiku meriton ta dijë arsyen. Nëse ka pengesa financiare apo administrative, ato duhet të bëhen publike. Heshtja nuk është përgjigje.
Sepse çdo ditë pa transport publik është një tjetër ditë që dëshmon se mes vendimeve të Kuvendit dhe zbatimit të tyre ekziston një hendek që qytetarët e paguajnë çdo ditë me kohë, para dhe nerva.
Dhe ndërsa sezoni vazhdon, mbetet një pyetje që kërkon përgjigje: Kur do të nisë të funksionojë transporti publik në Ulqin, apo edhe ky do të mbetet një projekt që ekziston vetëm në procesverbalet e Kuvendit?

Të fundit

më të lexuarat