
Më 10 qershor të këtij viti, në qendra të ndryshme të trojeve etnike shqiptare dhe më gjerë, me manifestime përkujtimi, mburrjeje e krenarie, u shënua 148-vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarjes më të rëndësishme historike, politike dhe kombëtare të shqiptarëve në shekullin XIX. E krijuar më 10 qershor 1878, Lidhja u shndërrua në organizimin e parë gjithëkombëtar kundër vendimeve jo të drejta të fuqive të mëdha e me qëllim të mbrojtjes së trojeve etnike shqiptare nga copëtimi që po planifikohej pas Kongresit të Berlinit.
Në këtë kapitull të lavdishëm të historisë kombëtare, krahina e Plavë-Gucisë zuri një vend të veçantë. Pikërisht këto troje u bënë simbol i rezistencës dhe qëndresës shqiptare kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit, sipas të cilëve parashihej që Plava e Gucia padrejtësisht t’i dhurohen Malit të Zi. Përballë këtij rreziku, shqiptarët e krahinës u organizuan me forca vetanake, nën udhëheqjen e dy figurave emblematike: Ali Pashë Gucisë dhe Jakup Ferrit.
Ali Pashë Gucia ishte një nga themeluesit dhe udhëheqësit më të shquar politikë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai mobilizoi mijëra luftëtarë shqiptarë për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë, duke u bërë figura kryesore e rezistencës në atë trevë. Ndërkaq, Jakup Ferri ishte kryekomandant i forcave vullnetare shqiptare në terren. Nën drejtimin e tij, forcat shqiptare arritën ta ndalin avancimin e ushtrisë së rregullt malaziase dhe të dëshmojnë para Evropës se shqiptarët ishin të gatshëm t’i mbronin tokat e tyre me armë në dorë.
Jakup Ferri, luftëtari legjendar nga Plava, organizoi mbrojtjen në pikat strategjike të krahinës dhe udhëhoqi luftëtarët shqiptarë në betejat vendimtare duke korrur në Luftën e Nokshiqit një nga fitoret më të lavdishme në historinë shqiptare të arritur vetëm me forca vullnetare nga trojet etnike shqiptare e pa kurrfarë ndihme nga jashtë. Ai ra heroikisht në fushëbetejë duke mbrojtur trojet etnike shqiptare, duke u shndërruar kështu në një simbol të rezistencës së vendosur, sakrificës dhe patriotizmit. Emri i tij mbetet edhe sot ndër figurat e shquara, më të nderuara dhe më të ndritura të historisë kombëtare mbarëshqiptare.
Rezistenca e organizuar nga Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri dhe fitorja e forcave shqiptare në Luftën e Nokshiqit i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishqyrtojnë vendimin për dorëzimin e Plavës dhe Gucisë Malit të Zi. Kjo ishte fitorja më e madhe dhe më e rëndësishme ushtarake dhe politike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në këtë përvjetor, shqiptarët përkujtojnë me respekt kontributin e jashtëzakonshëm të Plavë-Gucisë në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe përulen para figurave të pavdekshme të Ali Pashë Gucisë dhe Jakup Ferrit, të cilët me vizionin, vendosmërinë, trimërinë dhe sakrificën e tyre shkruan faqet më ndritura të historisë sonë kombëtare.
Lavdi Lidhjes Shqiptare të Prizrenit! Lavdi Ali Pashë Gucisë dhe Jakup Ferrit dhe heronjve të tjerë të Plavë-Gucisë e të kombit shqiptar!
Kombi shqiptar mburret dhe krenohet që ka dhënë kësi trimash!
