
Tabelat orientuese janë pjesë e rëndësishme e sinjalistikës rrugore, pasi ato ua lehtësojnë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve gjetjen e destinacioneve që synojnë t’i vizitojnë.
Përveç funksionit informues, ato janë pjesë të infrastrukturës publike dhe luajnë një rol të rëndësishëm edhe në mbarëvajtjen dhe sigurinë në komunikacion.
Megjithatë, jo rrallëherë ato bien pre e akteve të vandalizmit, duke humbur funksionin e tyre informues si pasojë e dëmtimeve me mbishkrime të paautorizuara, të cilat njëherazi dëmtojnë edhe estetikën e hapësirës publike.
Raste të tilla hasen edhe përgjatë rrugës kryesore në afërsi të Tuzit, e cila e lidh atë me disa fshatra të Malësisë, ku tabelat orientuese janë dëmtuar me mbishkrime dhe lyerje me sprej, duke u bërë pjesërisht të palexueshme.
Në një hapësirë ku numri i pikave të vizitueshme dhe objekteve me interes kulturor mbetet i kufizuar, sinjalistika orientuese luan rol thelbësor për vizitorët, ndërsa dëmtimi i saj vështirëson orientimin, por edhe ndikon në përvojën e vizitorëve, duke krijuar çorientim dhe vështirësi në gjetjen e destinacioneve.
Siç shihet edhe në tabelën e cila i orienton vizitorët drejt Muzeut Etnografik – Fototekës, Bibliotekës dhe Filatelisë së Malësisë, mbishkrimet janë mbuluar pjesërisht me ngjyrë të bardhë, duke e vështirësuar leximin e tyre. Po kështu, edhe në dy tabelat tjera të të njëjtit aks rrugor, vërehen dëmtime të ngjashme, ku mbishkrimet janë mbuluar me bojë, çfarë lë të kuptohet se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar.
Pavarësisht se akte të tilla mund të duken si veprime të parëndësishme, dëmtimi i sinjalistikës publike cenon pronën e përbashkët, krijon përshtypje të shëmtuar për mjedisin dhe vizitorët, por dhe sjell kosto shtesë për riparimin ose zëvendësimin e tabelave.
Ato, përveçse dëmtojnë imazhin e vendit, pasqyrojnë mungesë të kulturës qytetare dhe të respektit ndaj pronës publike, pasi sinjalistika orientuese është vendosur për t’u shërbyer të gjithëve, jo për t’u dëmtuar nga veprime të papërgjegjshme që cenojnë interesin e përbashkët.
Për këtë arsye, çdo akt vandalizmi ndaj pronës publike duhet të trajtohet me përgjegjësi për të mos u bërë dukuri e normalizuar në vazhdim.
Krahas ndërgjegjësimit për rëndësinë e ruajtjes së pronës publike, është e nevojshme edhe vëmendja e institucioneve përgjegjëse në mirëmbajtjen e sinjalistikës orientuese.
Në këtë kuadër, ndërhyrjet në kohë për riparimin e tabelave të dëmtuara dhe masat parandaluese do të kontribuonin në ruajtjen e funksionalitetit dhe pamjes së infrastrukturës publike.
Dëmtimi i pronës publike, përfshirë edhe tabelat informuese dhe orientuese, përbën një veprim të palejueshëm dhe dëmton funksionin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve.
Ruajtja e infrastrukturës publike mbetet përgjegjësi e përbashkët e qytetarëve dhe institucioneve.
