
Takimi 12 vjet më parë kushtuar arsimit shqip
Pikërisht duke marrë parasysh gjendjen ekzistuese në fushën e arsimit, më 14-15 qershor 2014 Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve organizoi në Ulqin seminarin me temë “Pozita dhe nevojat e arsimit shqip në Malin e Zi”. Ishte ky takimi i parë që është mbajtur në Mal të Zi, kushtuar çështjes së arsimit në shqip në pluralizëm, ku kanë marrë pjesë punonjës të arsimit dhe studiues të ndryshëm nga Mali i Zi, Shqipëria e Kosova. Në fund të seminarit janë miratuar përfundimet dhe rekomandimet, duke dëshmuar se pozita e arsimit shqip në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi ballafaqohet me probleme programore e të teksteve shkollore që duhen të përmirësohen. Fjala është për lëndët e identitetit kombëtar, si gjuhë shqipe e letërsi, histori, kulturë muzikore, gjeografi e art figurativ, nga del se nxënësit shqiptarë mësojnë për të tjerët e jo për veten e tyre.
Ndonëse organizatorët premtuan se materialet e prezantuara do të botohen në një botim të veçantë, një gjë e tillë deri më tash nuk është realizuar. Por një veprim i tillë nuk është për t’u çuditur, sepse KKSH nuk ka botuar as materialet e konferencës shkencore kushtuar “Masakrës së Tivarit”, mbajtur në Ulqin më 30-31 mars 2013. Mosbotimi i materialeve të tilla dëshmon joseriozitetin nga ana e organizatorit për çështjet e trajtuara, sepse nuk kemi të bëjmë me çështje personale por të shqiptarëve në këtë mjedis.
Heshtja e partive politike është nënshtrim
Ndonëse kanë kaluar 12 vjet nga ky takim, nuk kemi ndryshime pozitive, sepse çdo gjë vazhdon si më parë. Dhe për të ndryshuar kjo qasje nga ana e pushtetit, përkatësisht institucioneve arsimore, ka munguar angazhimi i partive politike që përfaqësojnë shqiptarët në Kuvendin e Malit të Zi. Fjala është për ato subjekte politike parlamentare që marrin pjesë në Qeveri, sepse deri më tash çështjes së arsimit shqip nuk i kanë kushtuar kujdesin e merituar.
Pavarësisht rrethanave shoqërore e politike në vend, mosangazhimi i tyre si përfaqësuesit autentikë të shqiptarëve nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse kemi të bëjmë me çështje autonome në mbrojtje të identitetit kombëtar, si kudo në botën demokratike. Sepse ka kaluar koha e fjalëve të mëdha në fushatat zgjedhore apo në takime të rastit, andaj duhet veprim konkret.
Duke marrë parasysh se shqiptarët janë e vetmja popullsi josllave me gjuhë të veçantë në Mal të Zi, për çështjen e arsimit shqip në kuadër të Ministrisë së Arsimit duhet të themelohet subjekti i veçantë, me emërtimin Qendra e Arsimit Shqip, që do të ishte në favor të mbrojtjes dhe avancimit të arsimit shqip në këtë mjedis. Çdo ngurrim apo heshtje në këtë drejtim, si deri më tash, është nënshtrim.
Tekstet e lëndës së historisë në depo
Duke marrë parasysh gjendjen ekzistuese, e cila është e papërshtatshme për nxënësit shqiptarë në shkollat në gjuhën shqipe, nga lëndët e identitetit kombëtar, një grup profesionistësh së bashku me KKSH-në dhe shtëpinë botuese për librat shkollorë “Albas”, vitin e kaluar është angazhuar në përgatitjen e tekstit mësimor për lëndën e historisë, për shkollën fillore e të mesme. Një veprim i tillë ka mbështetje në nenin 79 të Kushtetutës së Malit të Zi (2007), Strategjinë e Politikës së Pakicave në Mal të Zi të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe standardet ndërkombëtare (BE).
Pas një pune serioze, këto dy tekste i janë prezantuar opinionit në një konferencë për media, që është mbajtur në Ulqin, më 26 shkurt 2026, duke cekur se tekstet e tilla përfaqësojnë historinë e shqiptarëve, që është në kuadër të programit mësimor prej 20% për lëndët e identitetit kombëtar. Tekstet e tilla paraqesin përmbledhje temash nga historia kombëtare shqiptare dhe plotësojnë mungesën në programet mësimore në Mal të Zi.
Por, ndonëse KKSH si botues, në bashkëpunim me partitë politike të shqiptarëve, e ka obligim shpërndarjen e teksteve të tilla në shkollat fillore e të mesme në shqip, deri më tash nuk është vepruar në këtë drejtim, nga del se ato janë ende në depo.
Mbetet të presim që më në fund këto tekste të shpërndahen në shkolla, që nxënësit nga viti i ardhshëm shkollor t’i përdorin si tekste plotësuese mësimore të obligueshme. Çdo ngurrim në këtë drejtim do të ishte dështim i një pune profesionale në përgatitjen e teksteve të tilla, që është konform ligjit dhe standardeve ndërkombëtare, sepse janë në favor të barazisë arsimore, qytetare e kombëtare të shqiptarëve në këtë mjedis.
Ndërkohë, menjëherë duhet të vazhdohet me hartimin dhe botimin e librave të tjerë të lëndëve identitare, bazuar në përfundimet e seminarit për arsimin shqip të vitit 2014, në mënyrë që kjo çështje problematike e arsimit shqip në Malin e Zi të zgjidhet njëherë e mirë.
Mungon angazhimi nga Shqipëria
Ndonëse sipas nenit 8 të Kushtetutës, Qeveria e Shqipërisë e ka obligim të përkujdeset për shqiptarët jashtë Shqipërisë, deri më tash për shqiptarët në Malin e Zi në fushën e arsimit ka munguar angazhimi konkret. Edhe pse midis dy qeverive ka një bashkëpunim, ku janë realizuar takime e nënshkruar marrëveshje të ndryshme mes dy palëve, fusha e arsimit është margjinalizuar. Në këtë drejtim ka munguar angazhimi konkret nga ana e Qeverisë së Shqipërisë, sepse është dashur të nënshkruhet Memorandumi në fushën e arsimit në mes dy vendeve. Një dokument i tillë do të ishte në favor të shqiptarëve në Malin e Zi, ku arsimi shqip në shkollat me mësim në gjuhën shqipe do të ishte me efekte pozitive.
Zgjidhje sipas standardeve ndërkombëtare
Ndërsa mosangazhimi konkret në këtë drejtim nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse arsimi është baza e mbrojtjes së identitetit kombëtar. Sepse nuk mjafton të thuhet se shqiptarët në Mal të Zi mësojnë shqip në shkolla, por ka munguar pyetja se me çfarë programesh mësimore mësojnë dhe cilat tekste shkollore i përdorin dhe sa janë ato të pranueshme për shqiptarët në viset e tyre në këtë mjedis. Pikërisht kjo është çështje shqetësuese për shqiptarët, sepse ka mbetur e pazgjidhur nga koha e monizmit edhe tash në pluralizëm, që kërkon zgjidhje sipas standardeve ndërkombëtare.
Në këtë aspekt ekzistojnë modele nga vendet demokratike evropiane, si Zvicra, Belgjika, Finlanda etj., por duhet vullnet politik për veprime konkrete në favor të barazisë qytetare e kombëtare, duke eliminuar unitarizmin e aplikuar, pluralizmin arsimor, si kudo në vendet demokratike shumëkombëshe, ku Mali i Zi është i veçantë në Evropën Juglindore.
