
“Ju nuk po shkoni në Bashkimin Evropian, por po ktheheni në shtëpi.” Kështu u shpreh në Podgoricë, me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës, ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler.
Kjo nuk është thjesht një frazë diplomatike. Në Ballkan, deklaratat për Evropën rrallëherë janë vetëm protokollare. Ato hapin çështje të identitetit, kujtesës historike dhe ndjenjës së përkatësisë.
Çfarë do të thotë në të vërtetë “të kthehesh në shtëpi”?
A është Evropa për Ballkanin një projekt politik, një interes ekonomik apo një rikthim civilizues? Dhe nëse bëhet fjalë për rikthim – cila ka qenë “shtëpia” e këtij rajoni gjatë historisë?
Pikërisht këtu qëndron pesha e deklaratës së Sattlerit. Ajo është e shkurtër, por ka domethënie shumë më thellë sesa një mbështetje për integrimin në Evropë. Nënkupton se Ballkani i afrohet Evropës si një hapësirë që tashmë i takon asaj – në pikëpamje gjeografike, por edhe historike dhe kulturore.
Dhe pikërisht këtu fillojnë pyetjet më interesante.
Mali i Zi ndodhet në gjysmën e kësaj rruge. Ideja evropiane për këtë shtet prej kohësh nuk është më abstrakte: ajo matet përmes funksionimit të institucioneve, përparimit të negociatave dhe ligjeve, por edhe përmes një pyetjeje të brendshme – çfarë do të thotë “shtëpi” kur historia e Ballkanit është kaq e ndërlikuar? Te shumë njerëz ekziston ndjenja se Ballkani nuk po hyn në diçka krejtësisht të re, por po rikthehet gradualisht në një kornizë së cilës i ka takuar në forma të ndryshme historike.
Por, deklarata e ambasadorit Sattler bëhet edhe më interesante kur nga Podgorica shikohet drejt jugut – kah Shqipëria.
Shqipëria e sheh rrugën drejt Evropës si një përafrim të shpejtë me diçka që për një kohë të gjatë është shikuar nga jashtë. Objektivat politike janë të qarta dhe të përcaktuara në kohë – flitet për vitin 2030 si një moment të mundshëm të anëtarësimit. Por, nën këtë optimizëm politik ekziston edhe një shtresë më e thellë: çështja e identitetit. Në këtë kontekst lindin shpesh emocione të forta – nga krenaria deri te pasiguria. Te një pjesë e njerëzve ekziston ndjenja se Evropa si hapësirë juridike dhe ekonomike nuk është gjithmonë e njëjta gjë me Evropën si ide kulturore.
Në Kosovë, për të cilën flitet gjithmonë me një peshë të veçantë, këto dilema bëhen edhe më të ndërlikuara. Atje perspektiva evropiane ec paralelisht me çështjen e statusit të pazgjidhur politik (pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës) dhe me ndikime të forta nga jashtë që vijnë nga drejtimet e ndryshme, prandaj identiteti shpesh interpretohet përmes narrativave të ndryshme. Megjithatë, Kosova mbetet pjesë e së njëjtës histori më të gjerë evropiane dhe pjesë e transformimit të Ballkanit, edhe pse kjo rrugë vazhdon më ngadalë dhe më vështirë.
Prandaj, fjalia për “kthimin në shtëpi” mund të kuptohet në disa mënyra. Për disa ajo është konfirmim i përkatësisë, për të tjerët një premtim, ndërsa për disa të tretë është ende një çështje e hapur. Në këtë kuptim, Ballkani nuk është një hapësirë që shkon drejt Evropës si drejt një destinacioni të panjohur, por një hapësirë që vazhdimisht përballet me nënshtresat e veta evropiane – herë i pranon ato, herë i refuzon, e më shpesh jeton mes këtyre dy impulseve.
Ndoshta pikërisht në këtë tension qëndron kuptimi i gjithë procesit: jo në arritjen në një vend të caktuar, por në rikthimim e vazhdueshëm te pyetja se çfarë është në të vërtetë shtëpia.
