Sukses i shkëlqyer i KT “Ulqini”

Sportistët e këtij klubi arritën të fitojnë gjithsej nëntë medalje ballkanike (tri medalje të arta, katër medalje të argjendta dhe dy medalje të bronzta), tri trofe ekipore dhe një çmim individual

Në Bukuresht të Rumanisë, më 18-19 prill 2026, u zhvillua Kampionati Ballkanik në Taekwondo për fëmijë dhe disiplinën Poomsae (forma), një ndër ngjarjet më të rëndësishme rajonale të këtij sporti. Ky aktivitet mblodhi mbi 450 sportistë nga vendet e Ballkanit, duke dëshmuar nivelin e lartë të konkurrencës dhe rëndësinë e tij në kalendarin sportiv.
Klubi i Taekwondosë “Ulqini” u paraqit në këtë kampionat me 12 sportistë, të cilët shënuan rezultate mbresëlënëse. Sportistët e këtij klubi arritën të fitojnë gjithsej nëntë medalje ballkanike (tri medalje të arta, katër medalje të argjendta dhe dy medalje të bronzta), tri trofe ekipore dhe një çmim individual.
Kampionë ballkanikë, pas fitimit të tri ndeshjeve, u shpallën Nejra Dervisheviq, Asija Kollari dhe Gani Resulbegoviq, nënkampionë Rea Nelaj, Xhihan Maniq, Armend Lula dhe Amra Dushku, kurse medalje të bronzta fituan Leandra Bogdanoviq dhe Rajana Bogdanoviq.
Një vlerësim i veçantë iu dha sportistes Nejra Dervisheviq, e cila u shpall garuesja më e mirë në kategorinë e fëmijëve (Best Children Female) në këtë kampionat, duke u nderuar me një trofe individual.
Në renditjen ekipore, Taekwondo “Ulqini” arriti rezultate të larta, duke u pozicionuar tri herë në vendin e dytë dhe duke fituar trofetë për vendin e dytë për meshkuj, vendin e dytë për vajza dhe vendin e dytë në disiplinën e formave (Poomsae).
Në KT “Ulqini” vlerësojnë se ky sukses është rezultat i një pune të vazhdueshme, përkushtimi dhe bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet trajnerëve, sportistëve dhe mbështetjes së pakursyer nga prindërit dhe sponsorët.
Drejtuesit e tij shprehin mirënjohje për të gjithë ata që kontribuojnë në arritjet këtij klubi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat