
Eliot Engel ishte kongresist amerikan nga një familje hebreje, gjyshërit e të cilit në fillim të shekullit XX emigruan nga Ukraina në SHBA, duke ikur nga persekutimet antisemite në Perandorinë Ruse. Ai ndërroi jetë në prill të këtij viti, duke lënë pas një karrierë të gjatë politike në Kongresin amerikan. Engeli ishte një nga mbështetësit më të spikatur të angazhimit amerikan në Ballkan, veçanërisht në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe në forcimin e marrëdhënieve me përfaqësuesit politikë shqiptarë.
Gjatë karrierës së tij politike, Engeli tregoi një interes të veçantë për Ballkanin. Ai ishte ndër zërat e fuqishëm që mbështetën angazhimin amerikan në rajon gjatë viteve ‘90, sidomos në kontekstin e çështjes së Kosovës. Qëndrimet e tij shpesh janë interpretuar si një ndërthurje e mbrojtjes parimore të të drejtave të njeriut dhe interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kuptimi i këtyre pozicioneve politike kërkon një vështrim më të gjerë. Politikanë si Engeli nuk veprojnë vetëm nga një interes i ftohtë. Në vendimet e tyre takohen historia personale dhe interesat globale.
Në këtë kuptim, Engeli përfaqëson një shembull sesi biografia individuale mund të ndërthuret me proceset e mëdha historike. Veprimtaria e tij në Ballkan nuk mund të reduktohet në një dimension të vetëm – ajo është, si edhe vetë historia, shtresa-shtresa dhe e hapur për interpretime të ndryshme.
Pikërisht në këtë ndërlikueshmëri qëndron edhe çelësi i kuptimit: pas çdo vendimi politik fshehet një histori që i tejkalon kufijtë e një vendi, të një populli apo të një kohe.
Sot, nga një distancë kohore prej disa dekadash, shtrohet edhe një pyetje e pashmangshme: a janë brezat e sotëm të shqiptarëve në Kosovë të vetëdijshëm për rëndësinë e rolit dhe mbështetjes që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë në momentet kyçe të afirmimit politik dhe shtetëror të Kosovës? Duke marrë parasysh rrethanat e reja gjeopolitike dhe ndikimet e faktorëve të jashtëm, të interesuar ta zgjerojnë ndikimin në këtë pjesë të Ballkanit, kjo pyetje sot merr një peshë edhe më të madhe, duke rikujtuar nevojën që secili shtet duhet t’i ketë prioritet interesat e veta. Mbetet një përshtypje e hidhur se edhe disa media, si dhe personalitete me ndikim në rrjetet sociale, as që e kanë përmendur vdekjen e një miku të madh të Kosovës.
