Një boshllëk në narrativën evropiane të Malit të Zi

Platforma “28by28” shërben si një instrument i rëndësishëm komunikimi strategjik drejt publikut ndërkombëtar, duke reflektuar progresin në reforma, zhvillimin ekonomik dhe potencialin shoqëror. Megjithatë, çdo përpjekje për përfaqësim gjithëpërfshirës kërkon kujdes ndaj detajeve që përbëjnë identitetin e plotë të vendit. Pikërisht këtu shfaqet një mungesë domethënëse: mungesa e liqenit të Shasit në prezantimin e potencialeve natyrore dhe zhvillimore

Memli Kurti

Platforma digjitale 28by28.eu përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Malit të Zi për t’u pozicionuar si kandidati më serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ambicia e shtetit është e qartë dhe e artikuluar mirë: të ndërtojë një narrativë moderne, të besueshme dhe evropiane për vendin, me synimin për anëtarësim deri në vitin 2028.
Në thelb, kjo platformë shërben si një instrument i rëndësishëm komunikimi strategjik drejt publikut ndërkombëtar, duke reflektuar progresin në reforma, zhvillimin ekonomik dhe potencialin shoqëror. Në kontekstin e procesit të integrimit evropian, iniciativa të tilla janë jo vetëm të mirëpritura, por edhe të domosdoshme.
Megjithatë, çdo përpjekje për përfaqësim gjithëpërfshirës kërkon kujdes ndaj detajeve që përbëjnë identitetin e plotë të vendit. Pikërisht këtu shfaqet një mungesë domethënëse: mungesa e liqenit të Shasit në prezantimin e potencialeve natyrore dhe zhvillimore.
Kjo nuk është një mungesë e parëndësishme. Liqeni i Shasit është një nga pasuritë kryesore natyrore të vendit dhe renditet si liqeni i dytë natyror për nga madhësia pas liqenit të Shkodrës. Përveç dimensionit gjeografik, ai përfaqëson një ekosistem të rëndësishëm me biodiversitet të pasur, në përputhje me prioritetet e agjendës së gjelbër evropiane.
Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni historik dhe kulturor. Mbi këtë zonë shtrihet trashëgimia e Shasit, një dëshmi e qartë e rrënjëve historike dhe evropiane të rajonit. Mospërfshirja e këtyre elementeve krijon një boshllëk në narrativën që synon të paraqesë identitetin e plotë të vendit.
Në një nivel më praktik, kjo lidhet edhe me zhvillimin e balancuar rajonal. Zona e Anës së Malit dhe potencialet e saj turistike dhe natyrore mbeten ende të nënpërfaqësuara, pavarësisht rolit të tyre të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm lokal.
Në këtë kuptim, përfshirja e liqenit të Shasit nuk është thjesht një korrigjim teknik, por një hap i domosdoshëm drejt një pasqyrimi më të plotë dhe më të drejtë të realitetit të Malit të Zi.
Në fund, integrimi evropian nuk është vetëm proces institucional, por edhe proces narrativ: mënyra se si një vend e paraqet veten ka po aq peshë sa reformat që ndërmerr. Për këtë arsye, çdo mungesë në këtë narrativë meriton vëmendje serioze.
(Marrë me leje nga faqja e autorit në Facebook)

Të fundit

më të lexuarat