Klubi i Volejbollit “Barbana” nga Ulqini, i themeluar më 6 nëntor 2021, po vazhdon të ndërtojë me ritme të shpejta themelet e një tradite të re sportive në këtë qytet. I njohur fillimisht për punën me vajza të moshave të reja, të cilat prej vitit 2022 marrin pjesë në garat e Federatës së Volejbollit të Malit të Zi, klubi vitin e kaluar shënoi një hap gjigant duke debutuar për herë të parë me ekipin e femrave seniore në Ligën e Parë të Malit të Zi – një sukses i rëndësishëm për sportin lokal.
Por sukseset nuk po ndalen. Prej dy vitesh, KV “Barbana” ka hapur edhe seksionin e djemve, dhe pikërisht këta të rinj, ditën e diel, në debutimin e tyre zyrtar, dhuruan një emocion të veçantë për veten, për klubin, por edhe për prindërit.
Në kategorinë e parapionierëve, djemtë e udhëhequr nga trajnerët Herodit Sinani dhe Enis Gjonaj zhvilluan ndeshjen e tyre të parë zyrtare dhe arritën të marrin edhe fitoren e parë. Ata mposhten ekipin “Rudar” nga Plevla me rezultatin 2:1, një rezultat që i befasoi të gjithë për mirë.
Vetë formimi i kësaj gjenerate është sukses
Trajneri Herodit Sinani nuk e fsheh emocionin pas këtij debutimi të shkëlqyer.
“Kjo është gjeneratë djemsh të lindur në vitet 2012 dhe 2013. Kanë vetëm një vit që stërviten, madje disa edhe më pak. Vetë fakti që arritëm të formojmë një ekip në këtë kategori është një sukses i madh. Numri i fëmijëve që po i bashkohen volejbollit po rritet dita-ditës, gjë që na gëzon jashtëzakonisht. Fitorja e sotme i gëzoi pa masë djemtë, por edhe ne si trajnerë”, theksoi Sinani.
Ai vuri në dukje edhe paraqitjen e mirë të disa lojtarëve, si Muçaj, Osmani, Salaj dhe Kurti, të cilët spikatën në momentet kyçe të takimit.
Një fillim që nuk mund
të imagjinohej më i bukur
Debutim në gara zyrtare. Ndeshja e parë. Fitorja e parë. Për djemtë e KV “Barbana”, sezoni ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ky rezultat është një motivim i fortë për gjeneratat e reja dhe dëshmi se puna e palodhshme e klubit ka nisur të japë frytet e para edhe në seksionin e djemve.
KV “Barbana” po ndërton dalëngadalë një bazë të qëndrueshme volejbolli në komunën e Ulqinit – me vajza, me djem dhe me shumë dëshirë që më të rinjve t’u jepet një mundësi më shumë për rritje të shëndetshme. Dhe nëse që nga dita e parë është e qartë një gjë, ajo është se e ardhmja e volejbollit në trevat tona duket më e ndritshme se kurrë.
(Kohapress)
