Ende pa drejtësi

Admirina Peçi

Lumi Buna rrjedh i qetë pas shelgjishteve, pak metra larg varrezës katolike në Shënkoll, një fshat kufitar rreth 15 kilometra larg qendrës së Ulqinit.
Më 19 dhjetor 1990, ky vend u bë skenë e një krimi shtetëror.
Rojet kufitare të Shqipërisë vranë në errësirë pesë persona: Pal Palna, Zade Palna, Ernest Daragjati, Olsi Lorja dhe Liljana Palna, një vajzë 11 vjeçe, e cila ra nga varka dhe u zhduk në ujërat e lumit Buna. Ata ishin mes një grupi, pjesa më e madhe me lidhje familjare, që po tentonin të arratiseshin nga Shqipëria komuniste.
I afërmi i familjes Palna, Gjergj Ashta, rindërton skenën e asaj nate nga kujtimet e atyre që mbetën gjallë. Sipas tij, në varkë kanë qenë 8 ose 10 vetë. Janë vrarë katër: Pali, Zadja (nëna e Palit), Liljana – vajza e Palit dhe kunati i tij Ernest Daragjati. Në një lundër tjetër që kanë qenë bashkë me këta, është vrarë Olsi Lorja.
“Të gjithë ata kanë ardhur nga zona e Daragjatit të Shkodrës, kanë hyrë në Bunë me lundra dhe pas pak minutash janë përballur me forcat e policisë shqiptare dhe janë vra. Një pjesë janë vrarë dhe një pjesë i ka kapur ushtria e Malit të Zi dhe i kanë çuar në kamp”, thotë Ashta për Kujto.al.
Ngjarja nuk tronditi vetëm Shkodrën, por dhe fshatin e vogël të Shënkollit, matanë kufirit në Mal të Zi.
Anton Hoti, banor i Shënkollit, e ka akoma të freskët në kujtesë.
“I kanë vra atje dikund në Pentar. I kanë vrarë dhe i kanë masakruar. Thonin madje që njërit ia kishin prerë gjysmën e kokës me fletët e motobarkës”, rikujton ai ndodhinë e 36 viteve më parë, kur trupat e të vrarëve u sollën për t’u varrosur në fshatin e tij.
Krimet e regjimit komunist, të udhëhequr nga Enver Hoxha, e pas vdekjes së tij nga Ramiz Alia, mbeten të padënuara ende sot. Një raport i datës 20 nëntor 1990, i firmosur nga ish-ministri i Brendshëm i kohës, Hekuran Isai, zbulon përmasat e vrasjeve në kufijtë e Shqipërisë, që ishin shndërruar në muret e një burgu të madh.
“Nga viti 1944 deri në vitin 1990 janë arratisur nëpërmjet kufirit shqiptar 9220 persona dhe 4472 të afëm të tyre, gra e femijë, prej të cilëve 988 kanë vdekur”, thuhet ndër të tjera në dokumentin arkivor.
Në mungesë të statistikave zyrtare të sakta, të dhënat e përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike tregojnë se numri më i lartë i vrasjeve në kufi u shënua në kohën kur regjimi komunist ishte në grahmat e fundit.
“Numri më i lartë i vrasjeve ndodhi në dhjetor 1990 me 12 raste, i ndjekur nga qershori 1990 me 9 raste, maji me 8 raste, gushti dhe nëntori me nga 5 raste secili etj.”, thuhet në një studim të kësaj organizate.
Dëshmi e gjallë e këtyre krimeve është parcela e varreve në varrezën e Shënkollit, e përdorur për të varrosur shqiptarët që vriteshin në kufirin me Malin e Zi.

Vrasjet në kufi, ende sot të padënuara
Pak kilometra larg varrezës së Shënkollit, në një pikë të plazhit të Velipojës në Shkodër, më 18 maj 1990, dy vëllezër – Gjekë dhe Vatë Beqi, ishin nisur për të kaluar me not kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke synuar ishullin Ada në grykëderdhjen e Bunës.
Një fjalim publik i presidentit komunist Ramiz Alia, më 7 maj të atij viti, ku njoftoi se shkelja e kufirit nuk do të ishte më vepër penale “tradhti e lartë ndaj Atdheut” dhe nuk dënohej me vrasje, i kishte inkurajuar ata, siç u inkurajuan mijëra të tjerë që tentuan largimin në kapërcyell të rrëzimit të regjimit komunist.
Pasi ishin pikasur në errësirë nga projektorët e rojës kufitare, ndaj dy vëllezërve ishte zbrazur një breshëri automatiku. Gjekë Beqi, njëri prej dy vellëzërve, tregon ngjarjen e asaj nate, ku vetë mbeti i plagosur rëndë me një plumb që i përshkroi nofullën, ndërsa vëllanë ia vranë.
“Komandanti – një njeri mizor, sadist, na vrau kot. Ai sapo u afrua me skaf, ka qëlluar. Jam plagosur unë. Jam fundosur në ujë. Më ka nxjerrë lart vëllai. Vëllai ju ka thënë ‘që jemi vendas këtu’ e ka tentuar të bisedojë me ta. ‘Mbaje, mbaje’, i kanë thënë mos të mbytet se, ‘ty do të të vrasim sa të dalësh në breg’. Dhe e ka vrarë vëllain në breg vërtet”, tregon ai për Kujto.al duke rikujtuar natën më të errët të jetës së tij.
Nëna e Vatë Beqit, 92 vjeçe, që jeton pak kilometra larg vendit ku iu qëlluan të bijtë, pret ende drejtësinë për vrasjen e Vatës, atëkohë vetëm 25 vjeç, por si besimtare e krishterë ajo thotë se ia ka lënë drejtësinë Zotit.
“Zoti nuk ka thënë me vra, ka thënë me fal. Ai të mos fshihet. Nuk duhej ta vriste, e ka vra… Nuk duhej ta vriste se me 7 maj, tha Ramiz Alia, kufiri është i lirë. Unë s’them që të vrasim, se jam me këtë”, thotë ajo duke treguar kryqin që mban në qafë.
Personi që qëlloi me gjakftohtësi mbi të birin quhej Bino Binaj, me detyrë komandant i Postës Kufitare të Velipojës.
Në mes të viteve ’90, Gjekë Beqi nisi betejën e tij ligjore duke shënuar një nga rastet e pakta kur gjykatat shqiptare dhanë një vendim për krimet e regjimit totalitar gati gjysmëshekullor.
“Kur kam dalë nga burgu, kam dalë i traumatizuar dhe ndoshta më ka shkuar mendja edhe për vetëgjyqësi. Por babai im thoshte jo. Të ka vrarë shteti, ndiqe në rrugë shtetërore. Dhe e kam paditur brenda rregullave”, thotë ai.
Në gjyq, sipas Beqit, kanë dalë dëshmitarë shokët e tij ushtarë që i kishte në repart dhe me vendimin nr. 96, datë 14.05.1996, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, gjyqtari Admir Thanxa ka dhënë verdiktin “burgim i përjetshëm” për veprën penale “Krime kundër njerëzimit“.
Gjykata e Apelit të Rrethit Tiranë, me vendimin e saj nr. 496, datë 05.07.1996, ka lënë në fuqi dënimin e dhënë në shkallën e parë, duke rrëzuar ankimimin e avokatëve të Binajt. Ndërkohë Binaj, në tentativë për t’i shpëtuar dënimit kishte ndryshuar emrin në gjendjen civile të Vlorës.
Një urdhër për ekzekutimin e dënimit ndaj tij, i dhënë në vitin 2009 nga Prokuroria e Shkodrës, saktëson se Bino Binaj ishte i njëjti person me emrin e ri Besnik Ali Zykaj. Por ky urdhër, që Kujto e disponon, nuk u zbatua kurrë nga policia shqiptare, pasi Zykaj (alias Binaj) ishte arratisur nga vendi.
I shpallur në kërkim ndërkombëtar me emrin e ri, ai u arrestua në vitin 2012 në Firence (Itali), por institucionet shqiptare përgjegjëse dështuan që ta ekstradojnë atë drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin.
“…autoritetet gjyqësore italiane nuk kanë pranuar ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë”, thuhet në një korrespondencë mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Rrethit Shkodër, vënë në dispozicion me kërkesën për të drejtë informimi nga kjo e fundit.
Arsyet se pse autoritetet italiane nuk janë bindur nga institucionet shqiptare që ky individ duhej të dërgohej drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin mbeten ende të paqarta, pasi as Prokuroria e Shkodrës dhe as Ministria e Drejtësisë nuk e vunë në dispozicion dokumentacionin e plotë.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit pranoi për Kujto.al se Besnik Zykaj (alias Bino Binaj) rezulton ende në kërkim ndërkombëtar me status “Aktiv”.
I revoltuar, Beqi fajëson shtetin shqiptar.
“Pra, shteti ka pasur mundësi që ta gjejë atë, por e ka ndihmuar vetë shteti për të mos u ekstraduar”, thotë ai.
Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike, i tha Kujto.al se pas rrëzimit të regjimit komunist nuk pati asnjëherë përpjekje për t’i dënuar këto krime dhe as personat që i kryen ato.
“Kur ne tentuam për të krijuar procese hetimore, ishte jashtëzakonisht e vonuar dhe individët nuk ndodheshin më në Shqipëri, ose nuk kishte më dokumentacion që mbështeste hetimet gjyqësore”, tha Krasniqi,
Ai e lidh fluksin e vrasjeve në vitin ’90 pikërisht me ndryshimet ligjore të kohës, të cilat ndryshe nga sa u premtua nga Ramiz Alia, nuk u zbatuan nga postat kufitare.
“Në muajt prill-maj 1990, vrasja në kufi u dekriminalizua dhe u konsiderua kalim i paligjshëm i kufirit, që dënohej me disa vite burg. Ndërkohë aktet nënligjore që duhet të rregullonin gjithë këtë, nuk dolën në kohë. Strukturat brenda Partisë së Punës vazhduan të veprojnë në linja partiake me urdhër politik dhe jo sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe për pasojë, edhe në aspektin ligjor edhe në aspektin kushtetues, edhe në aspektin e të drejtave të njeriut, të gjitha vrasjet në kufi të vitit 1990 janë kundër Kushtetutës, kundër ligjit, kundër parimeve të të drejtave të njeriut dhe kundër angazhimit shtetëror”, thotë Krasniqi.
Alibia që përdoret se individët kanë zbatuar ligjet e kohës, sipas tij, “bie automatikisht për shkak të kësaj rrethane specifike”.
Pavarësisht premtimeve publike, udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia, i nxiste këto vrasje, siç tregon procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike, më 4 dhjetor 1990, ku ai e justifikonte si normale gjuajtjen me armë ndaj atyre që tentonin arratisjen nga ushtarët e kufirit.
Alia e mbajti detyrën si president i vendit dhe disa muaj pas ndryshimit formal të sistemit, kohë që ai e shfrytëzoi për t’u dhënë imunitet politik të gjithë atyre që i kishin shërbyer në momentet e fundit shtetit totalitar.
Kështu, më 5 janar 1991, u dha dekorata të larta presidenciale të gjithë oficerëve përgjegjës për vrasjet në kufi, përfshirë edhe vrasësin e Vatë Beqit, Besnik Zykaj (alias Bino Binaj).
Sipas Afrim Krasniqit, “ky ka qenë një mesazh drejtuar forcave të sigurimit të kufirit se kanë mbrojtje të lartë, që nga presidenti, Parlamenti dhe struktura të larta politike të vendit dhe si i tillë ka promovuar të keqen dhe e ka kthyer në sistem dhe deri diku ka ndikuar edhe në mbylljen e dosjeve”.

Të vrarë dhe të braktisur nga shteti
Familjarët e viktimave, të cilët u vranë në kufijtë e Shqipërisë në përpjekje për t’i shpëtuar diktaturës, u përballën me dyert e mbyllura të shtetit shqiptar për të mësuar të vërtetën dhe për të gjetur trupat e tyre. Ndërsa shteti komunist i kishte vrarë, shteti i ri demokratik i braktisi në përpjekjet e tyre për drejtësi.
Kjo ndodhi edhe me Gjergj Ashtën, i cili i kushtoi shumë vite të jetës zbardhjes së ngjarjes dhe sidomos gjetjes dhe kthimit të eshtrave të të vrarëve që kishin mbetur në Mal të Zi.
Ai thotë se, të gjitha përpjekjet i ka bërë në rrugë private dhe e vetmja ndihmë shtetërore që mori ishte nga autoritetet e Komunës së Ulqinit.
Fillimisht atë e ndihmoi një banor i zonës, Nikolla Elezoviq, nga fshati Shënkoll (Mali i Zi).
“Një shok i imi më thotë: kanë ardhur disa katolikë, interesohen për disa të vdekur, që janë vrarë në kufi dhe i kanë sjellë te kisha juaj dhe i kanë varrosur”, tregon Elezoviq për Kujto.al.
Më pas ishin autoritetet vendore të Ulqinit që e asistuan për të tërhequr trupat e të afërmëve të tij.
“Kam takuar ish-kryetarin e Komunës së Ulqinit, Mehmet Bardhi, i cili më është gjendur shumë dhe më ka ndihmuar për të gjetur vendin se ku ishin varrosur. Janë dashur procedura pesëvjeçare për t’i tërhequr eshtrat, për t’i zhvarrosur dhe për t’i çuar në Shqipëri”, thotë ai.
Mes zyrtarëve që e ndihmuan për identifikimin e vendvarrimit ishte edhe Gjergj Pepgjoni, i cili kishte shërbyer në vitin 1990 si sekretar i Komunës së Ulqinit.
Në një përgjigje me shkrim që Pepgjoni i dha Kujto.al, kuptojmë se të vrarët nga policia kufitare e Shqipërisë, merreshin nga ushtria malazeze, identifikoheshin prej të afërmve të mbijetuar dhe me një urdhër gjykate varroseshin në një varrezë të posaçme të komunës.
“Ulqini nuk kishte varre qyteti, por varre fetare dhe bashkësitë nuk pranonin varrosje pa ditur përkatësinë fetare. Kështu që caktuam një parcelë në Kishën e Shënkollit. Urbanizmi ka bërë skicën, që është arkivuar, pastaj një kopje bashkësisë lokale, kishës dhe gjyqit. Në skicë janë shkruar edhe emrat, edhe pozicioni”, thotë ai.
Ashta konfirmon se pikërisht në këtë varrezë të caktuar nga Komuna, ai i kishte gjetur trupat e të afërmve.
“Kur i kemi hapur varret, brenda ishin të shkruajtur në arkivole emrat e personave siç i kërkonim ne dhe i kemi marrë e i kemi kaluar në kufi në Hanin e Hotit dhe i varrosëm në Shkodër”, tregon ai.
Me marrjen e eshtrave familja Palna duket sikur e ka lehtësuar disi dhimbjen. Por drejtësia për ta është ende larg. Askush nuk u dënua për atë ngjarje dhe Liljana, vajza e vogël e familjes, e vrarë po atë natë, rezulton e zhdukur edhe sot.
Ende sot, qindra familje nuk dinë se çfarë ndodhi me njerëzit e tyre në tentativë për të kaluar kufijtë.
Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH), një institucion i ngritur në vitin 2015 me qëllim hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ka në fondet e tij arkivore informacion të bollshëm për vrasjet në kufi, që mund të shërbejë për të zbardhur përmasat e këtij krimi shtetëror por dhe për të ndihmuar institucionet e tjera dhe familjarët në kërkimet e tyre.
Kryetarja e këtij institucioni, Gentiana Sula, thotë për Kujto.al se janë hapur dosjet që lidhen me vrasjet e ndodhura në kufirin juglindor dhe atë verior dhe do të vijohet me hapjen e dosjeve për kufirin me Kosovën dhe atë jugor.
“Një burim mund të jenë regjistrat e kufirit, një burim mund të jenë komunikatat ditore, një burim mund të jenë dosjet personale”, shton ajo, duke ofruar gatishmërinë e institucionit për të vënë dokumentet arkivore në dispozicion të kërkimeve të familjarëve për drejtësi.
“Për ata që mendojnë se ishte ligji i kohës, të paktën moralisht sot, të kërkojmë ndjesë dhe të përpiqemi t’ia lehtësojmë sa më shumë dhimbjen që kaloi. Kurse për atë pjesë që edhe legjislacioni i kohës e ndaloi vrasjen në kufi, aty drejtësia duhet të funksiononte dhe duhet të funksionojë”, thekson Sula.
(Marrë nga Kujto.al)

Të fundit

më të lexuarat