Nuk tregojnë se do të na fusin pa radhë!

Pas mbylljes së festës për hapjen e grup-kapitujve dhe, kur u shtruam të shikojmë realisht se çfarë kemi e çfarë duhet të bëjmë, duket se të gjithë i kanë “varur veshët”. Së pari ne, pasi kuptuam se anëtarësimi dhe mbyllja e kapitujve nuk është as çështje kohe, as çështje dëshire, as çështje dashurie dhe as çështje përqafimesh me udhëheqësit në Bruksel. Por i ka varur edhe vetë komisionerja Kos, edhe pse detyra ia kërkon të jetë entuziaste

Mentor Kikia

Entuziazmi që tregonte Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, sa herë përballej me kryeministrin e Shqipërisë, ishte vërtet mbresëlënës. Ajo dukej edhe më e bindur se vetë qeveria shqiptare për anëtarësimin e Shqipërisë në vitin 2030, dhe paraprakisht, për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Referuar raportit shumë miqësor të kryeministrit Edi Rama me Marta Kosin, Presidenten Ursula von der Leyen, raportit motëror me Melonin e raportit vëllazëror me Makronin, për ne që jemi mësuar t’i bëjmë punët “me të njohur”, anëtarësimi dukej punë e mbaruar.
“Kushtet mund të mos i plotësojmë, por për arsye gjeopolitike do na fusin. Shiko sa mirë na presin”, ky ishte dhe është ende perceptimi masiv ndër shqiptarë, i krijuar nga PR-i qeveritar.
Referuar këtij perceptimi, anëtarësimin e sigurt në Bashkimin Evropian në vitin 2030 qeveria e bëri flamur elektoral në zgjedhjet e 2025-s. Ishte premtimi i parë dhe i vetëm. Por, pas mbylljes së festës për hapjen e grup-kapitujve dhe, kur u shtruam të shikojmë realisht se çfarë kemi e çfarë duhet të bëjmë, duket se të gjithë i kanë “varur veshët”. Së pari ne, pasi kuptuam se anëtarësimi dhe mbyllja e kapitujve nuk është as çështje kohe, as çështje dëshire, as çështje dashurie dhe as çështje përqafimesh me udhëheqësit në Bruksel. Por i ka varur edhe vetë komisionerja Kos, edhe pse detyra ia kërkon të jetë entuziaste.
Të martën, Parlamenti Evropian e votoi raportin për zgjerimin, por disa kandidatëve ua kujtoi se “anëtarët e rinj duhen të jenë demokraci të forta, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve”. Ndërsa vendeve që supozohen favoritë, ku bëjmë pjesë edhe ne, iu kujtua se edhe pse të tillë “kjo nuk ju garanton një status të veçantë. Progresi duhet të ruhet në vijimësi përmes zbatimit të reformave”, tha Kos, tashmë pa referuar një datë, as në takimin e një dite më pas me ministrin e Jashtëm shqiptar.
Çfarë ndodh në Tiranë?
Pasi u fol për një “status të ndërmjetëm”, të tipit anëtarësim pa qenë anëtar, pa të drejtë vetoje e vote, pra për të bërë sikur, pasi u fol për anëtarësim me kusht, që disa kritere t’i plotësojmë rrugës, “Shqipëria 2030” nuk po referohet më si objektiv i sigurt. Madje u fol për “një Gjermani që po na pengon”, ndërsa mbyllja e të gjithë kapitujve më 2027, nuk zihet me gojë.
Madje lëvizjet politike, në disa raste, kanë marrë kurs të kundërt me atë që kërkohet nga negociatat. Sipas raportit të zgjerimit, “procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm nëse reformat nuk realizohen”.
Ndoshta duhet shtruar edhe pyetja, nëse është ende integrimi një prioritet apo jo?
Asnjëherë një qeveri nuk ka patur një premtim kaq të drejtpërdrejtë dhe kaq të matshëm.
Më 31 dhjetor 2027, Shqipëria ose i ka mbyllur negociatat ose nuk i ka mbyllur. Nuk ka as “një hap më afër”, as “një hap larg”.

Të fundit

më të lexuarat