
Gjatë vitit 2025, qytetarët e Kosovës kanë marrë pjesë në katër zgjedhje: më 9 shkurt në zgjedhjet parlamentare, më 12 tetor në zgjedhjet lokale e më 9 nëntor në balotazhin e 17 komunave në zgjedhjet lokale, dhe së fundi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025, ku Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore të thellë.
Votuesit kanë dëshmuar pjekuri politike, sepse gjatë ditës zgjedhore nuk është shënuar asnjë incident që meriton të theksohet. Ndërsa mbyllja e kutive të votimit në orën 19 dhe shpallja e rezultateve preliminare pas tri orëve, dëshmoi se Kosova është vend demokratik dhe model për regjionin e më gjerë.
Bazuar në rezultatin paraprak të zgjedhjeve dhe të dhënat nga Komisioni Qendror Zgjedhor, të plotësuar pas numërimit përfundimtar të votave, edhe atyre nga diaspora dhe votave me kusht, të premten, më 9 janar 2026, subjektet politike kanë arritur këto rezultate: Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 486.994 vota apo 51.11% dhe 57 deputetë, PDK 192.407 (21.19%) – 22 deputetë, LDK 126.102 (13.23%) – 15 deputetë dhe AAK 52.370 (5.50%) – 6 deputetë. Këtij numri i shtohen edhe 20 mandate të deputetëve: 10 për serbët dhe 10 për komunitetin joserb.
Përveçqë LVV arriti rezultat historik në zgjedhje, edhe udhëheqësi i saj Albin Kurti ka thyer të gjitha rekordet me fitimin e 404.023 votave, duke qenë personi më i votuar deri më tash në Kosovë.
Nëse i krahasojmë të dhënat me zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt 2025, LVV ka arritur fitore madhështore, sepse arriti rezultatin historik me 51.11% të votave, duke e rritur numrin e deputetëve për 9, ndërsa PDK ka rënie për 2 deputetë, LDK për 5 deputetë dhe AAK për 2 deputetë.
Duke marrë parasysh se për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë nevojiten më së paku 61 vota, kësaj here LVV i ka kushtet t‘i formojë këto institucione me mbështetjen e komuniteteve joserbe, që së paku kësaj here së bashku kanë 65 deputetë, por që nuk përjashtohet mundësia që ky numër të jetë më i lartë.
Certifikimi i rezultateve më 21 janar 2026
Pas përmbylljes së procesit të numërimit të votave, më 9 janar 2026, i është hapur rruga Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që ta bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare. Por, koha kur do të kumtohen rezultatet diktohet nga ankesat eventuale që palët mund t’i bëjnë mbi procesin e zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Nga një situatë e tillë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të presë më së shumti 12 ditë, para se ta bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që sipas të gjitha gjasave do të certifikohen më 21 janar 2026.
LVV – e para në 24 komuna
Ndonëse me rastin e zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 12 tetor 2025 dhe më pas balotazhin më 9 nëntor 2025, skena politike në Kosovë pësoi një dekompozim, që ishte në favor të opozitës, duke qenë si bindje se në zgjedhjet parlamentare do të jenë ata fitues, por qytetarët në zgjedhjet parlamentare më 28 dhjetor, si në vend dhe në diasporë, votuan masivisht për LVV-në, ku harta e Kosovës u skuq pothuaj në tërësi, sepse LVV doli e para në 24 komuna.
Kështu LVV është e para në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicën e Jugut, Lipjan, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik dhe Hanin e Elezit,
Partia Demokratike e Kosovës është e para në Drenas e Skenderaj, ndërsa në Deçan është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e në Mamushë është subjekti turk KDPT.
Cekim se komunat me përkrahje më të lartë për LVV-në janë Mitrovica 65.08%, Hani i Elezit 62.38%, Gjilani 62.09% dhe Vitia 61.75% etj.
Përgjegjësi për humbje
Opozita dhe humbësit në këto zgjedhje duhet të merren me analizën e humbjes, duke reflektuar për shkaqet dhe pasojat e një humbjeje të thellë, sepse ata para zgjedhjeve kanë qenë optimistë për rezultatin e zgjedhjeve, jo vetëm në Kosovë por edhe në diasporë.
Një ndër çështjet kyçe në humbjen e opozitës ka të bëjë me mungesën e ofertës bindëse opozitare, sepse si PDK e LDK nuk kanë arritur të paraqesin një alternativë politike serioze, si dhe mungesë e kontakteve të drejtëpërdrejta me qytetarët, duke i dhënë avantazh LVV-së, gjë që u dëshmua me humbjen e tyre.
Euforinë e opozitës pas zgjedhjeve lokale, LVV në fushatën zgjedhore parlamentare e shfrytëzoi me mjeshtëri përmes propagandës së fuqishme politike, duke u paraqitur si e vetmja alternativë stabile, ndërsa konkurrentët si të paaftë për të marrë pushtetin, sepse me kritikat e tyre ata ishin joseriozë, ngaqë nuk ishin në gjendje të vlerësojnë të arriturat e Qeverisë, jo vetëm me rikthimin e sovranitetit në veri të vendit por edhe shumë çështje të tjera e në veçanti në mbrojtje të integritetit të Kosovës. Vetëm me një analizë racionale, opozita e ka obligim të reflektojë dhe të mbajë përgjegjësi para elektoratit të vet votues. Në të kundërtën, ajo do të vazhdojë me rënie të vazhdueshme, ku LDK është dëshmi e një konstatimi të tillë.
Mediat e politizuara
Në fushatën parazgjedhore, mediat në Kosovë kanë ftuar në studiot televizive individë të përzgjedhur për të kritikuar Qeverinë e Kosovës, e kryesisht kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke përdorur një fjalor që në shumë raste ishte banal, me shpifje, trillime e gënjeshtra e që më tepër fliste për moralin dhe diletantizmin e tyre.
Madje një opinionist nga Kosova, i ftuar në një studio televizive në Tiranë, ka deklaruar se “nëse fiton VV-ja e Albin Kurti, unë do ha bagla, në vend të bukës”. Pasi më 28 dhjetor 2025 LVV fitoi bindshëm, lexues të ndryshëm i kanë reaguar se “tani duhet të sigurohen bagla për këtë opinionist për 4 vjet me sasi të bollshme! Çmimi do të jetë i volitshëm, por kualiteti i baglave të jetë i klasit të parë!”
Por, fatmirësisht një retorikë e tillë tek opinioni i gjerë nuk pati ndikim, sepse qytetarët e Kosovës e kishin të qartë se kush ishin ata që bllokuan formimin e institucioneve në Kosovë. Ndërsa me votimin në mënyrë plebishitare mbi 51% për LVV-në, përmes thirrjes “Mos lësho pe”, populli i Kosovës iu tregoi të gjithëve se koha e talljes nga opozita, mediat e pseudoanalistët i takon së kaluarës, ku retorika e tillë dëshmoi dështimin e tyre mediatik.
Diaspora mbështeti masivisht LVV-në
Si në zgjedhjet e mëparshme por edhe në këto të fundit, diaspora e Kosovës tregoi se është e lidhur me vendin e vet, që u dëshmua se është e angazhuar politikisht me pjesëmarrjen në zgjedhje. Në favor të kësaj pjesëmarrjeje ishte edhe data e zgjedhjeve – 28 dhjetori 2025, ku ata vijnë për të kaluar festat e fundvitit në vendlindje.
Një pjesëmarrje e tillë nuk është pritur mirë nga partitë opozitare, ku individë të ndryshëm nga këto subjekte kanë pasur qëndrim refuzues ndaj tyre. Por, të tillët kanë harruar se janë mërgimtarët nga Kosova, në vendet e ndryshme të Evropës dhe më gjerë, që kanë dhënë kontribut të madh për Kosovën – si para luftës, gjatë saj e pas saj – duke ndarë mjete financiare nga buxheti i tyre. Në saje të këtij qëndrimi e angazhimi, diaspora kosovare ishte dhe vazhdon të jetë krenari kombëtare, andaj edhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhje është legale, ndërsa mbështetja e subjekteve politike, në këtë rast e LVV-së në mënyrë masive, mbetet preferencë e tyre, jo vetëm personale e shtetërore por edhe kombëtare.
Kosova – model për Shqipërinë
Mbyllja e kutive të votimit në orën 19:00, shpallja e rezultateve brenda tri orëve dhe moskontestimi i tyre nga asnjë parti politike është dëshmi e demokracisë funksionale në Kosovë, që është model për vendet e ndryshme e në veçanti për Shqipërinë.
Madje modeli i Ligjit zgjedhor të Kosovës është i përshtatshëm edhe për Shqipërinë, andaj është e tepërt të formohet Komisioni për reformën zgjedhore në Shqipëri, sepse nuk kanë nevojë, ngaqë Ligji zgjedhor i Kosovës duhet të jetë model edhe për Shqipërinë. Por, për diçka të tillë duhet të ekzistojë vullneti politik nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, sa më parë dhe pa humbur kohë në këtë drejtim, që do të jetë në favor të demokracisë pluraliste, duke vlerësuar qytetarët përmes listave të hapura e jo mbajtur peng ata si deri më tash.
Përfundim
Pas fitores madhështore të LVV-së, këtë subjekt politik e presin sfida të mëdha. Këtu kryesisht kemi të bëjmë me formimin e institucioneve, duke filluar me konstituimin e Kuvendit e më pas edhe formimin e Qeverisë.
Në saje të rrethanave aktuale dhe formimit të institucioneve funksionale, çështje parësore mbeten rikthimi i besimit në proceset demokratike dhe qeverisja në avancim të përgjegjësisë përmes kuadrove të dëshmuara profesionale, në respektim të shtetit ligjor dhe demokracisë pluraliste.
