
Në dhjetor 2025, presidenti amerikan Donald Trump publikoi Strategjinë e Sigurisë Kombëtare duke i riformuluar prioritetet e politikës së jashtme dhe të sigurisë amerikane në përputhje me parimet e sovranitetit shtetëror dhe interesit kombëtar.
Parimi “America First” dhe prioritetet kryesore
Strategjia vendos mbrojtjen e qytetarëve, territorit dhe ekonomisë amerikane si qëllim kryesor. Siguria kombëtare shihet përmes fuqisë ushtarake, ekonomike, teknologjike dhe kontrollit të kufijve.
Kjo qasje u reflektua qartë me rastin e aksionit të rrufeshëm ushtarak të SHBA-së në Venezuelë, në fillim të janarit, me ç’rast u rrëmbye presidenti Nicolas Maduro. Kjo ilustron kthimin e SHBA-së drejt “Doktrinës së Monros”, duke e bërë prioritet kontrollin strategjik të hemisferës perëndimore në krahasim me angazhimet globale. Presidenti J. Monroe e publikoi këtë strategji më 1823, duke iu bërë thirrje perandorive evropiane të heqin dorë nga Amerika. Nga ana tjetër, SHBA është obliguar që të mos ndërhyjë në politikën dhe luftërat evropiane.
Sfidat dhe kërcënimet
Dokumenti identifikon terrorizmin, migracionin e paligjshëm, trafikun e drogës dhe kërcënimet nga armët e shkatërrimit masiv. Kina shihet si rival strategjik kryesor, ndërsa ndaj Rusisë aplikohet një qasje pragmatike dhe selektive.
Aleancat dhe pozicioni global
NATO dhe aleatët evropianë vlerësohen përmes kontributit të tyre të pabarabartë të ngarkesave, ndërsa zgjerimi i Aleancës, përfshirë Ukrainën, nuk është prioritet. SHBA fokusohet më shumë në hemisferën perëndimore dhe zvogëlim të angazhimit në krizat globale të largëta.
Teknologjia dhe ekonomia
Dominimi në inteligjencën artificiale, bioteknologji dhe në fushën e kompjuterëve kuantikë definohet si element kyç i sigurisë kombëtare, ndërsa ekonomia – duke përfshirë industrinë vendase dhe zinxhirët e furnizimit – barazohet me fuqinë ushtarake.
Trump vs. Biden
Strategjia e Trumpit tregon kthesë drejt qasjeve kombëtare dhe sovraniste, me më pak fokus në multilateralizëm dhe rol global normativ, krahasuar me Bidenin.
Ballkani Perëndimor dhe Kosova
Ballkani Perëndimor zë një rol margjinal. Kosova dhe faktorët politikë shqiptarë nuk janë më prioritet amerikan; pritet që ata të marrin përgjegjësinë për sigurinë dhe funksionalitetin institucional. Kosova shihet si pjesë e dinamikës ballkanike, ndërsa roli i SHBA-së kalon te strukturat evropiane dhe mekanizmat rajonalë, duke reflektuar një qasje të orientuar kah realpolitika.
