Shoqata “Ora” organizoi të shtunën, më 25 tetor 2025, edicionin e katërt të Turit Çiklistik “Dritan Kurti”, një aktivitet tashmë tradicional që mbledh dashamirët e biçikletës dhe sportit në natyrë.
Turi nisi në orën 10:00 nga Sukubina, në vendin e njohur si “Pusi mas Oborrit”, dhe vazhdoi përgjatë një itinerari rreth 20 kilometra. Pjesëmarrësit përshkuan rrugët që lidhin Sukubinën me Boret, Shtodrin, Shasin dhe Fraskanjelin, për t’u rikthyer më pas në pikën e nisjes.
Rruga përfshinte segmente të rrafshta dhe ngjitje të lehta, me paralajmërim për kujdes në zbritjen nga Suka e Çunit. Turi u vlerësua si i përshtatshëm për të gjitha moshat dhe për çdo lloj biçiklete, duke krijuar një atmosferë miqësore dhe sportive.
Kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti, njëherazi bashkëshortja e të ndjerit Dritan Kurti, thotë se “ky tur është mënyra jonë për ta mbajtur të gjallë kujtimin e Dritanit, për të nderuar pasionin dhe shpirtin e tij komunitar”.
Ajo tregon se ideja për organizimin e këtij turi ka lindur me rastin e shënimit të njëvjetorit të vdekjes së kryetarit të Shoqatës “Ora”, në tetor 2021, me ç’rast është shfaqur edhe filmi dokumentar “Një vit pa Dritanin”.
“Dhe në atë përvjetor morëm vendimin që, në kujtim të emrit dhe veprimtarisë së tij, të organizohej çdo vit turi çiklistik ‘Dritan Kurti’. Ky është tashmë viti i katërt me radhë që e zhvillojmë këtë aktivitet, pa ndërprerje, që nga humbja e tij. Dritani ka qenë një veprimtar i palodhur, por një nga aktivitetet që e ka dashur më shumë dhe që e ushtronte me pasion ka qenë çiklizmi. Pikërisht për këtë arsye kemi dëshiruar të mbetet diçka në kujtim të emrit të tij, një tur çiklistik që bashkon njerëz të të gjitha moshave, nga më të vegjëlit deri te më të rriturit”, shprehet Kurti.
Kryetarja e Shoqatës “Ora” tregon se turi çiklistik është konceptuar si një aktivitet socializues që bashkon komunitetin në kujtim të Dritanit, dhe se qoftë përmendja e emrit të tij, qoftë një lutje për shpirtin e tij, janë shenja respekti dhe dashurie për të.
Sipas saj, turi çiklistik është rritur nga viti në vit.
“Vitin e parë e nisëm me më pak se 20 pjesëmarrës, ndërsa sot më gëzon fakti që çdo vit numri i pjesëmarrësve rritet. Marrin pjesë çiklistë nga e gjithë komuna e Ulqinit. Përpiqemi t’i shmangemi rrugës kryesore për shkak të trafikut, ndaj kemi përzgjedhur një itinerar që kalon nëpër fshatra, duke nisur nga Sukubina e deri në Fraskanjel e më pas në rikthim”, thotë Kurti.
Kohëzgjatja e aktivitetit ishte rreth tri orë, gjatë së cilave dhjetëra çiklistë shijuan natyrën e bukur të zonës dhe shoqërinë e njëri-tjetrit. Organizatorët falënderuan pjesëmarrësit për entuziazmin dhe respektimin e rregullave të sigurisë, duke theksuar se synimi i turit është promovimi i sportit, shëndetit dhe turizmit lokal në zonën e Anës së Malit.
Shoqata “Ora” njoftoi se turi do të vazhdojë të mbahet çdo vit për nder të Dritan Kurtit, si simbol i përkushtimit ndaj komunitetit dhe dashurisë për sportin.
D. Teliqi
