Kthimi në Evropë

Pas pesë shekujsh sfidash historike, Diella shënon fillimin e kthimit të identitetit shqiptar në sferën e kulturës perëndimore - jo vetëm përmes teknologjisë, por edhe përmes trashëgimisë kulturore

A.M. Perkaj

.
Diella është një sistem inteligjence artificiale, i zhvilluar nga Agjencia Kombëtare Shqiptare për Shoqërinë e Informacionit (AKSH). Në janar 2025 u lansua në platformën e-Albania si asistente virtuale për shërbimet publike dhe lëshimin e dokumenteve digjitale. Në shtator, Diella u emërua zyrtarisht “Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale” – rasti i parë i këtij lloji në botë.

Reagimi politik
Kur kryeministri i Shqipërisë e prezantoi Diellën si anëtare të kabinetit ministror, ishte ky një moment madhështor ku teknologjia digjitale foli për të parën herë me zërin e identitetit shqiptar. Opozita reagoi me zhurmë dhe seanca u mbyll pas vetëm 25 minutash. Reagimet dominuese të opozitës ishin se emërimi i ministres për IA ishte një “truk marketingu” i Edi Ramës dhe se Shqipëria nuk po përjeton një transformim të vërtetë digjital, por një “teatër digjital”. Disa deputetë e quajtën madje këtë hap “teatër tekno-politik”.

Aspekti teknologjik dhe identitar
Në vend të një debati serioz rreth rolit të inteligjencës artificiale në administratën publike, vëmendja u përqendrua te fakti se Diella do të kontrollohet nga njeriu. Çdokush që e njeh funksionimin e inteligjencës artificiale e di se ajo nuk mund të funksionojë pa faktorin njerëzor. ChatGPT thekson se “Diella është një mjet që ndihmon njerëzit: pa njerëzit, sistemi do të ishte një autopilot pa kontroll”. Një opozitë serioze do ta shihte teknologjinë digjitale si mundësi për të rritur transparencën, sepse në sistemin digjital mbesin gjurmët, të cilat është më vështirë t’i fshehësh sesa në administratën klasike.
Ekziston edhe një aspekt tjetër që ka rëndësi: dimensioni identitar i Diellës. Aspekti vizual (veshja, ngjyrat, simbolika) dhe emri i saj, nuk janë të rastësishme. Avatari në figurën e një gruaje të re, mban veshje burimore të veriut të Shqipërisë, duke treguar që IA nuk paraqitet si një makinë e ftohtë, por si një personifikim i “Shqiptares digjitale”.

Roli i gjuhës dhe kultura
Në një popull me identitet të copëzuar nga religjionet dhe ndikimet kulturore të ndryshme, gjuha mbetet shtylla e vetme e qëndrueshme e identitetit. Diella si një simbol që komunikon ekskluzivisht në gjuhën shqipe, ka një mision të thellë: përmes mjeteve teknologjike forcon unitetin gjuhësor dhe kulturor.

Sfidat historike dhe kthimi në sferën e kulturës perëndimore
Pas pesë shekujsh sfidash historike, Diella shënon fillimin e kthimit të identitetit shqiptar në sferën e kulturës perëndimore – jo vetëm përmes teknologjisë, por edhe përmes trashëgimisë kulturore.

Të fundit

më të lexuarat